Nëse para më shumë se një shekulli Austria-Hungaria na e dhuroi shtizën për të ngritur flamurin Pavarësisë, ne sot me tërë qenien jemi me popullin austriak në këto momente të vështira  kur frika ka zëvendësuar rehatinë dhe kur paragjykimi ka rrezik të dominoj mbi besimin dhe respektin reciprok.

Nga Mehmet PRISHTINA

Sulmi terrorist në Vjenë, është vija ndarëse në mes njerëzve të arsyeshëm dhe të paarsyeshëm. Jam i prirur të besoj se çdo njëri normal që i ka pa të hënën në mbrëmje skenat e tmerrshme në rrugët e kryeqytetit austriak, e ka pyetur veten : Çka po ndodhë? Pse kjo dhunë në shek. 21? Kush po i frymëzon këta monstra të marrin jetë njerëzish të pafajshëm?
Të gjitha këto pyetje më mundojnë edhe mua gjatë gjithë këtyre orëve dhe nuk gjej fjalë që të shprehi zemërimin tim mbi këtë akt barbar mu në zemër të Europës.
Pati jo pak veta që identitetin e vrasësve e lidhën me përkatësinë etnike shqiptare.
Pati edhe prej atyre që gjithë fajet për këto akte të dhunshme t’ia mveshin Islamit, si fe dhe si civilizim.
Por, përgjithësimet asnjëherë nuk sjellin analiza gjakftohta.
Së pari, ai djaloshi që të hënën në mbrëmje përgjaku rrugët e Vjenës, dhe mori jetë njerëzish të pafajshëm, në asnjë mënyrë nuk guxon të trajtohet si përfaqësues i etnisë shqiptare. Ai këtë akt makabër, siç u pa edhe nga raportimi i detajuar i mediave, nuk e kishte bërë në emër të kombit që i takon, por në emër të një ideologjie radikale fetare, e cila për të kishte qenë shkollë trajnimi për të kryer vepra të shëmtuara, që kurrfarë lidhje s’kanë me doktrinën burimore Islame dhe më së paku me shqiptarinë.
E dyta, shqiptarët që jetojnë në Austri dhe në vendet tjera të Europës, nuk kanë nevojë të ndjehen bashkëfajtor për krimin e kryer nga një bashkëkombës i tyre, sepse ky i fundit nuk përfaqëson shumicën. Ai madje nuk përfaqëson as familje e tij, siç u dokumentua edhe nga raportimi i mediave.
Shqiptarët kanë arsye më tepër të ndjehen heronj dhe viktimë të këtij akti, për arsye se në ekipin antiterror të policisë austriake ishin të përfshirë edhe tre efektivë shqiptarë, për të cilët u fol mjaft në media, kurse në mesin e viktimave, njëri ishte shqiptar nga Veleshta e Maqedonisë. Pra nuk qëndron teza se të qenit e një shqiptari si fajtor në këtë skenë terrori, mund t’i jep asaj përkatësinë etnike të autorit të krimit.
Së treti, akte terroriste po ndodhin në shumë vende të botës, por në asnjë rast nuk është vënë shenjë barazimi në mes të individëve që kryejnë akte të tilla dhe etnisë apo religjionit që ata iu takojnë. Sepse, fundja terroristët nuk kanë komb, as religjion. Kombi dhe religjioni i tyre është mbjellja e frikës tek jobashkëmendimtarët, kurse bota gjithnjë e më tepër po bëhet e vetëdijshme se çdo kush në mesin e vet duhet t’i luftojë dukuritë devijonte që mund të prodhojnë defekte të tilla me pasoja fatale.

Si përfundim, mund të themi se ai personi që të hënën në mbrëmje mori jetë njerëzish në Vjenë, nuk është dhe nuk mund të jetë asnjëherë faktor i fajësisë kolektive të shqiptarëve. Përkundrazi, ai mund të jetë një arsye më tepër për të refuzuar fuqishëm çdo lloj radikalizmi që prodhon vdekje dhe terror.
Austria është mike tradicionale e shqiptarëve dhe nuk mundet asnjë individ i çmendur ta prishë këtë lidhje.
Nëse para më shumë se një shekulli Austria-Hungaria na e dhuroi shtizën për të ngritur flamurin Pavarësisë, ne sot me tërë qenien jemi me popullin austriak në këto momente të vështira  kur frika ka zëvendësuar rehatinë dhe kur paragjykimi ka rrezik të dominoj mbi besimin dhe respektin reciprok. Por kjo nuk guxon të ndodhë!
Lidhja tradicionale e shqiptarëve me Austrinë kishte vazhduar edhe pas pavarësisë, atëherë kur shqiptarët krah për krah me ushtarët austriakë merrnin pjesë në fushëbetejat ballkanike. Ose, edhe atëherë kur Austria pengoi marrjen e Durrësit nga trupat serbe gjatë luftërave ballkanike.
Me Austrinë na lidh edhe një urë e fuqishme e intelektualizmit që prodhoi elitën shqiptare të viteve 30 e më vonë të shekullit të kaluar, ndërkohë që shumë emra studiuesish e albanologësh austriakë (Gotfrid Vilhem Lajbnicit, Norbert Joklit, Paul Kretschmerit, të Holger Pedersenit, Gustav Majer)  ishin ndriçuesit më eminent të trashëgimisë kulturore e shkrimore të shqiptarëve.
Shqiptarët ishin, janë dhe do të jenë me Austrinë, edhe tani kur një pjesë e saj është lënduar pa miratimin e pjesës dërmuese të shqiptarëve.

Gott segne Österreich!

Prishtinë, 4 tetor, 2020

Nuk ka asnjë përshkrim të disponueshëm