Nga Pjetër  META (PËRPALI)

            Asnjë nikaj- merturas nuk e ka të lehtë t’i japë lamtumirën Dod Prognit, Dodës që sot ka ndërruar jetë. Një dhimbje e thellë, një lëndim i thellë, që del nga palca e shpirtit tim, si tek çdo nikaj- merturas, nuk më lejon ta shqiptoj fjalën vdekje për Dodën e dashur. Doda nuk ishte vetëm i shtëpis së vet, ai ishte i Nikaj- Merturit, i Tropojës, i Veriut dhe krejt Shqipërisë. Doda ishte një njeri, një mësues, një historian, një atdhetar, një intelektual, një ish-sportist, një mik, një dashamirës, një humanist, një vëlla, një prind, një koleg, pra Doda ishte i të gjithëve, një njeri me shpirt të bardhë.

            Kudo shkoi Dod Progni la gjurmët e tij të pashlyeshme. Doda la pas kujtesën e moshatarëve të tij dhe të fëmijëve kur e shihnin tek vallëzonte me topin në livadhet e Nikaj- Merturit apo në stadiumin e Korabit të Peshkopisë apo të B.Curri; la pas kujtesën e mësuesit të talentuar, i cili ishte i dashuruar me të deri në sakrificë, la pas trashëgiminë me dhjetëra studime për Nikaj- Merturin, Tropojën e histori të tjera, të botuara dhe të pabotuara; la pas imazhin dhe kujtesën e intelektualit të shkëlqyer të Tropojës dhe të Shqipërisë, i cili ka shkëlqyer në hulumtimet dhe interpretimet shkencore; la pas dashurinë për nikaj- merturasit e tij, që i donte pa kursim,; la pas bjeshkët e natyrën që e adhuronte deri në vdekje.

            Pas të sotmes Doda do të na mungojë, por ai ka mbetur një njeri i përkryer dhe i tillë do të vazhdojë udhëtimin e tij në kujtesën, librat, ata që e njohën dhe ata që tashmë do ta njohin përmes trashëgimisë së shkruar që ka lënë. Ikjen e Dodës nuk e mbush gjë, e mbush vetëm adhurimi për atë njeri të rëndësishëm dhe tejet njerëzor, e mbush vetëm nderimi i figurës  dhe punës së tij.

            Nikaj- Merturit tashmë i është këputë një krah i fortë i kujdestarit të historisë së tij. E në kujtim të tij, ndoshta shpejt, ndonjë lahutë do të zbresë nga muri e do t’i bulojë në buzë lahutarit nikaj- merturas dhimbjen për Dodën. Bjeshka jonë do të lotojë në këtë ditë fund- tetori dhe sa herë do të vijë kjo ditë e trishtuar dhe në vitet e mëvonshme.

            Dodë, qofsh i parajsës, qofsh i paqes së shpirtit brilant, qofsh i lartësive, diell qofsh gjithmonë! Doda jonë i shtrenjtë. Çdo nikaj- merturas e ka një lot për ty, se ti e meriton dhimbjen, Doda ynë i mirë! Sa e paskeni dashur njëri- tjetrin ju vëllezërit! Sa pak kohë për të qenë me njëri- tjetrin! Veç fjalën vdekje nuk mund ta zë në gojë për ty, o Dodë Progni!

 

            DOD PROGNI*

Dod Progni, lindi në Salcë të Merturit më 02.08. 1942. Ai mbaroi filloren në fshatin e tij të lindjes dhe një vit në shtatvjeҫaren Gjonpepaj, familja e tij u vendos në Kolgecaj, ku mbaroi edhe shtatvjeҫaren. Shkollën e mesme e filloi në shkollën pedagogjike në Shkodër dhe pas vitit të dytë e çojnë në shkollën pedagogjike të qytetit të Peshkopisë. Aty mori diplomën e maturës 1956-1960. Duke qenë një lojtar mjaft i mirë i futbollit e mbajnë në Peshkopi mësues, duke e federuar me skuadrën “Korabi”, e cila lunate në kategorinë e parë, me Dinamon, Partizanin, 17 Nëndorin, Vllazninë etj. Me ekipin e “Korabit, ai lujti dy vjet me të rinjtë e njërin vit me të rriturit, në kategorinë e parë të kampionatit kombëtar të Shqipërisë.

Me kërkesë të Komitetit Ekzekutiv të Tropojës, në vitin 1962, transferohet mësues në qytetin B. Curri, duke e aktivizuar menjëherë në skuadrën e futbollit “Valbona”. Siҫ kam cituar tek nën ҫeshtja për sportin, Doda ishte ndër lojtarët më të mirë e ndoshta më i miri që gëzonte një trup të gjatë, të zhdërvjellët e mjaft elegant e zhvillonte një lojë të shpejtë, të bukur, siҫ ai ishte  në gjithë pamjen e tij prej djaloshi.

Pas mbarimit të shërbimit ushtarak Doda përsëri kthehet në Tropojë si mësues dhe regjistrohet në Institutin e Lartë Pedagogjik në Shkodër në degën Histori-Gjeografi e më pas me provime plotësuese mbron fakultetin dhe merr diplomën në fakultetin Histori-Gjeografi, në Universitetin e Tiranës.

Pas mbarimit të fakultetit shumë shpejt do ta prezantonte veten si një gjurmues i historisë e më pas si një historian i ri në rradhën e intelektualëve të tjerë të profileve të tjera të Tropojës.

Deri rreth viteve 1975, Doda do të punonte si mësues pranë gjimnazit “Asim Vokshi”, duke mbetur mësues e studiues i thelluar i historisë së Tropojës që nga lashtësia. Historia dhe historiku që ai tashmë po thellonte njohjen u bënë pjesë e punës dhe e përkushtimit të tij për të nxjerrë para lexuesve e popullit kureshtar tabanin tonë historik të trevave, gjurmët e gjurmimet e paraardhësve tanë dhe leximet për lashtësinë e qytetërimin nëpërmes rrënojave e gjetjeve të veglave e sendeve të tjera të përdorura prej tyre.

Në vitin 1975, kur Doda kishte grumbulluar një bagazh të madh njohjeje mbi historinë e Tropojës e të Malësisë së Gjakovës e më gjerë, në Dukagjin e Pult, Mirditë etj, pushteti vendosi që ta angazhonte të udhëhiqte punët shkencore- historike për gjithë Tropojën. Thjesht për arsye të një “njolle” biografike, atij nuk ia besuan edhe historikun e të gjitha kohrave, përfshirë atë të regjimit komunist. Por për Dodën, kjo periudhë ishte krejt e parëndësueshme, pasi ajo po jetohej, e nuk mund të quhej shkencore e jo më historike. Ai e pëlqente atë me të vështirën, të cilën dhe ia “vunë përpara”, për ta studjuar dhe ekspozuar në muzetë, që do ngriheshin për Lashtësinë, Mesjetën dhe Rilindjen.

Që nga viti 1975 e deri më sot, puna shkencore në fushën historike e historianit të talentuar e mjaft rezultativ e konkurrent, ndahet në 5 kapituj të punës e krijimtarisë.

E para, si udhëheqës i punës shkencore e historike për zbulimin e grumbullimi,n më pas pajisjen me dokumenta dhe objekte muzeale të Muzeut Historik të Tropojës, të periudhave të Lashtësisë, të Mesjetës dhe Rilindjes. Me një vullnet e punë të pakursyer, mbi bazën e studimeve e të gjurmimeve të thelluara e shkencore Doda arriti jo vetëm afatet e depozitimit e të reklamimit, por mbi të gjitha cilësinë e saktësinë, bazën dokumentare e relike, që argumentonin jetën e zhvillimin e qytetërimin e paraardhësve tanë, gjatë këtyra periudhave historike. Pavionet reklamonin historikun e këtyre tre periudhave, të realizuar që nga e para nga Dodë Progni, ishin pa dyshim më të mira dhe më të argumentuara. Për përurimin e muzeut më 11 janar 1988 e deri në vitin 1997, Doda punoi pranë muzeut si historian, lektor dhe shpjegues i gjithë historisë muzeale të Tropojës që nga lashtësia.

E dyta, ai ishte udhëheqësi i punës shkencore si historian për ngritjen e shtëpisë muze të Heroit të Popullit Bajram Currit dhe të Heroit të Popullit Mic Sokoli. Këto dy muze u udhëhoqën e u pajisën si dhe u ngritën si qendra muzeale shumë dinjitoze, në sajë të dijeve, vizionit e profesionalizmit të Dod Prognit.

E treta, pas përfundimit me sukses të dy këtyre muzeve me rëndësi kombëtare Dodës do t’i ngarkohej ngritja e 6 muzeve të tjera në gjashtë zona të rrethit të Tropojës, të cilët përmblidhnin historikun e fiseve të këtij rrethi që nga lashtësia e deri në vitet ’90 të shekullit XX. Këto muze u ngritën në Pac, Tropojë, Bujan, Shëngjergj, Gjonpepaj e Dragobi.

E katërta, Tashmë Doda do të futej në paraqitjen shkrimore për lexuesit të studimeve historike dhe etnografike për zhvillimet për ngjarjet, figurat dhe fenomenet e ndryshme të jetës shoqërore të Malësisë së Gjakovës. Ato janë të shumta, të cilat historiani Dodë Progri i ka ekspozuar në internet, por që akoma ato nuk janë “përkthyer” në një libër të vetëm për arsye financimi. Dhe ne po citojmë disa prej tyre:

1.“Alpinët dardanë”, (studim historik), 2. Harta arkeologjike e Tropojës, (studim historik), 3. Masakra e Herecit 1944 (stud. historik), 4. Ka edhe një Borovë tjetër në Shqipërinë e veriut- ai është Bytyҫi i Malësisë së Gjakovës (studim historik), 5. Kulla e Mic Sokolit (studim etnografik), 6. Kulla e ngujimit (kulla e Thepit) në Curraj Epër (studim etnografik), 7. Orët dhe zanat në përfytyrimin e nikajmërturasve (stud etnografik) 8. Qëndresa popullore e Koders Palҫit dhe Qafës së Agrit (stud historik), 9. Një shembull i shkëlqyer i dashurisë vëllazërore (operacioni i mbledhjes së armëve në Nikaj-Mertur 1946, (studim historik), 10. Rreth emrit dhe shtrirjes së Dukagjinit (stud historik), 11. Pjetër Mehmeti i Shalës, një yll i patriotizmit shqiptar (studim historik), 12. Bajram Curri, atdhetar dhe demokrat i shquar (studim historik), 13. Kuvendet e Malësisë se Gjakovës dhe roli i tyre në organizimin e vetqeverisjes dhe luftës për liri e pavarësi (studim etnografik), 14. Në Koferencën e Bujanit 31 dhjetor 1943- 2 janar 1944, u vendos në mënyrë demokratike bashkimi i Kosovës me Shqipërinë (studim historik) etj. Të gjitha këto e shumë të tjera studime historike, etnografike e publicistike, të cilat nuk i cituam, të shkruara nga Dodë Progni në një përmbledhje botimesh do nxirrnim disa volume libri.

Së pesti, krijimtaria e Dod Prognit në fushën e studimeve historike, etnografike e publicistike është pasqyruar e paraqitur edhe në shtypin e kohës, kryesisht për objektet muzeale të Tropojës si “Gjamadani i Zeqir Halilit”, “Cingarishtja e qelibarit e Prel Tulit”, “Cingarishtja e Isa Boletinit”, “Pasaporta e Bajram Currit” etj.

Për punën e përkushtimin që Dod Progni bëri për nxjerrjen e pasurimin e historisë shekullore të trevave të Malësisë së Gjakovës, Doda është dekoruar dy herë me urdhërin Naim Frashëri.

Por libri, i cili lartëson, jo vetëm vlerat e autorëve (bashkautorëve) Dod Progni e Zef Doda, por në mënyrë të veҫantë historinë e krahinë së Nikaj-Merturit, për të cilat edhe është shkruar ky libër është ai me titull “Nikaj-Merturi” (vështrim historik). Ky libër vërtet ka autorësi, por ai është “libri ynë”, “libri i nikajmerturasve”, siҫ thotë Mhill Ndrepepaj, i cili u botua në vitin 2003, pikërisht në kohën e duhur për popullin e kësaj krahine, për plotësimin e kërkesave tona të kahershme e interesin e veҫantë të banorëve të Nikaj-Merturit për njohjen e historisë.

Paraqitja e gjerë dhe e plotë nga Dodë Progni e historisë së Nikaj- Merturit, pak e trajtuar e si e munguar, pra jo e plotë nga historiografia, tashmë ajo ka një paraqitje dinjitoze si pjesë e pandarë e historisë së popullit tonë dhe e qëndresës shekullore për të qenë i lirë e i pavarur. Përgjegjësia që kanë marrë Dodë Progni e Zef Doda, për të shkruar këtë libër; pasqyrimi me vërtetësi e historisë së popullit të Nikaj-Merturit, na bëri të ndjehemi krenarë për origjinën, për qëndresën, për shpirtin atdhetar e të papërkulur para vështirësive të panumërta njerzore e natyrore.

Me materialin e paraqitur në librin e tij si bashkautor dhe të gjithë materialeve të tjera volumore si krijime shkencore, historike e etnografike Dod Progni vjen si një historian i formuar dhe i talentuar, i cili ven më para logjikën e më pas fakte e argumente shkencore, duke shkruar thjesht e kuptueshëm, të bën për vete duke tërhequr këndshëm ҫdo lexues, nga faqja e parë deri tek e fundit dhe për të kërkuar më pas ҫdo shkrim të tij të postuar në internet.

Dodë Progri e mbylli aktivitetin e tij të punës me shtetin në vitin 2005, duke marrë si “shpërblim” disa stimuj siç jepeshin në ato vite si: dekoratë “Mësues i dalluar”, medalje “Naim Frashëri” e  klasit. III-të dhe të Klasit të II-të, si dhe Medalje Pune, por Doda, për asnjë arsye, as shëndetsore, nuk e ka ndërprerë leximin e as gjurmimin historik e atë etnografik. Ai vazhdon të shkruajë akoma dhe më në thellësi të historisë e të etnografisë deri në gjenezë për popullin e Nikaj-Merturit, i cili së shpejti do të dalë përpara lexuesit me një tjetër libër tematiko-etnografik për jetën e aktivitetin e popullit të vet, që nuk e braktisi asnjëherë.

____________________

*Jetëshkrimi për Dodë Prognin është marrë nga libri në proces botimi, me titull “Nikaj- Merturi nga lashtësia deri sot”, me autor  Pjetër Meta.

 

 Tale, Lezhë, 22 tetor 2020