Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha se njerëzit duhet të qëndrojnë brenda nga ora 21:00 deri në orën 06:00 në Paris dhe në tetë qytete të tjera, për të frenuar përhapjen e koronavirusit në këtë vend.
Ora policore do të hyjë në fuqi nga e shtuna dhe do të zgjasë për së paku katër javë, tha Macron në një fjalim televiziv të mërkurën.
Gjendja e jashtëzakonshme u shpall po ashtu.
“Masat do t’i ndalojnë njerëzit të vizitojnë restorante dhe të bëjnë vizita private në shtëpi gjatë mbrëmjes dhe natës”, tha Macron.
Ai shtoi se banorët duhet të kenë arsye të vlefshme për të qenë jashtë shtëpive të tyre gjatë orës policore.
Shkollat do të qëndrojnë të hapura dhe njerëzit do të jenë në gjendje të udhëtojnë midis rajoneve gjatë ditës.
“Duhet të veprojmë. Duhet të vendosim një fren në përhapjen e virusit”, tha Macron, duke shtuar se e kupton që ora policore është një gjë “e vështirë” për t’ua kërkuar njerëzve që ta respektojnë.
Kushdo që e shkel orën policore do të gjobitet me 135 euro.
Të mërkurën në Francë u konfirmuan 22,951 raste të reja me koronavirus.
Që nga fillimet e pandemisë në muajin mars, ky vend ka konfirmuar mbi 820,000 raste me koronavirus dhe mbi 33,000 viktima.