Ballina Bota Kombet e Bashkuara kërkojnë sisteme efektive të paralajmërimit të motit ekstrem

Kombet e Bashkuara kërkojnë sisteme efektive të paralajmërimit të motit ekstrem

 

Një raport i ri i Kombeve të Bashkuara i bën thirrje komunitetit ndërkombëtar që t’i rrisë shpejt investimet në sistemet e paralajmërimit të hershëm të motit ekstrem.

Raporti paralajmëron për rritje dramatike të katastrofave gjatë dekadave të ardhshme, për shkak të ndryshimit të klimës.

I publikuar më 13 tetor, në Ditën Ndërkombëtare për Reduktimin e Rrezikut nga Katastrofat, raporti thotë se një e treta e popullsisë së botës është e mbuluar në mënyrë joadekuate nga sistemet e paralajmërimit, ndërsa “numri i njerëzve në nevojë, pas katastrofave natyrore, mund të rritet për gjysëm here në dekadën e ardhshme”.

Raporti, i titulluar Gjendja e Shërbimeve Klimatike 2020, u hartua nga ekspertë të 16 agjencive ndërkombëtare dhe institucioneve financiare dhe u koordinua nga Organizata Botërore e Meteorologjisë e Kombeve të Bashkuara.

“Të qenët i përgatitur dhe i aftë për të reaguar në kohën e duhur dhe në vendin e duhur, mund të shpëtojë shumë jetë dhe të mbrojë jetesën e komuniteteve kudo që janë”, tha sekretari i përgjithshëm i kësaj organizate, Petteri Taalas.

Më shumë se 11,000 fatkeqësi që i atribuohen motit, klimës dhe rreziqeve të lidhura me ujin, janë regjistruar gjatë pesë dekadave të fundit, duke marrë 2 milionë jetë njerëzish dhe duke shkaktuar më shumë se 3.6 trilionë dollarë humbje ekonomike, thekson raporti.

Autorët bëjnë thirrje për sisteme efektive të paralajmërimit të hershëm, që do të tregonin atë që do të sillte moti.

Edhe pse sistemet efektive paralajmëruese janë veçanërisht të nevojshme në vendet më të varfra dhe në shtetet e vogla ishuj, vetëm 26 për qind e rrjeteve të vëzhgimit të motit në Afrikë i plotësojnë standardet e Organizatës Botërore të Meteorologjisë.