Bota po shënon të dielën Ditën Ndërkombëtare të Vajzave, gjatë një viti kur pandemia globale dhe rënia ekonomike si pasojë e saj ka sjellë sfida të mëtejshme për vajzat.

Kombet e Bashkuara, të cilat në vitin 2011 caktuan 11 tetorin si ditën për të promovuar të drejtat e vajzave, thonë se vështirësitë të cilat vajzat i hasnin edhe më parë, janë bërë më sfiduese nga kriza shëndetësore e koronavirusit, përfshirë fushat e arsimit, martesat e të miturve, dhunës në familje dhe mundësive ekonomike.

Në një faqe të OKB-së për Ditën e Vajzave, thuhet se vitin e ardhshëm, rreth 435 milionë gra dhe vajza do të jetojnë me më pak se 1.90 dollarë në ditë – përfshirë 47 milionë “që kanë hyrë në varfëri si rezultat i COVID-19”.

Të dhënat vënë në dukje se rënia e mirëqenies ekonomike dhe mungesa arsimit për vajzat, nxitur nga kriza lidhet gjithashtu me rritjen e niveleve të dhunës.

OKB thotë se edhe para pandemisë, një në tre gra në të gjithë botën kishte përjetuar dhunë fizike ose seksuale. “Të dhënat tregojnë se që nga shpërthimi i COVID-19, dhuna ndaj grave dhe vajzave dhe veçanërisht dhuna në familje, është intensifikuar.”

Martesat nën moshë

Gjatë krizave humanitare, “shohim gjithmonë se aspekte të tjera marrin përparësi ” – përfshirë ushqimin dhe strehimin, thotë Lyric Thompson, një eksperte e politikave për Qendrën Ndërkombëtare për Kërkime mbi Gruan me qendër në Uashington.

Zonja Thompson, e cila së bashku me Aria Grabowskin, drejton edhe “Girls Not Brides USA”, pjesë e koalicionit global që përpiqet të ndalojë martesën e fëmijëve, tha se gjatë periudhave të tilla krize, planifikimi për t’iu kundërvënë “formave gjinore të dhunës, përfshirë martesën e fëmijëve, lihet pas dore “.

Martesat e të miturve kanë qenë në rritje gjatë pandemisë pasi izolimet e lidhura me COVID-in, i kanë mbajtur të rinjtë jashtë shkollës dhe në disa raste, i kanë bllokuar në lagjet në afërsi me grabitqarë seksualë. Pandemia gjithashtu ka bërë që disa familje të duan t’i dërgojnë vajzat në familje më të qëndrueshme ekonomikisht për të lehtësuar barrën e tyre financiare.

Rreth 500,000 vajza të tjera në të gjithë botën rrezikojnë të detyrohen të martohen në moshë të mitur në vitin 2020 si rezultat i efekteve të COVID-19, sipas një raporti të tetorit nga organizata Save the Children.

Shtimi i numrit të martesave nën moshë është zhgënjyese, por zonja Grabowski nuk është e befasuar. Ajo rekomandon përkushtimin e fondeve dhe programimin herët në pandemi për të luftuar martesat e fëmijëve dhe dhunën me bazë gjinore.

“Pjesa më e madhe e përgjigjes shëndetësore përqendrohet në parandalimin dhe kontrollin e infeksionit,” tha ajo.

Mundësi të pakta

Kampet e refugjatëve Rohingya në Bangladesh janë një vend ku martesat e fëmijëve janë rritur që nga fillimi i pandemisë.

Një banor i kampit të refugjatëve i tha VOA Bangladesh në kushte anonimiteti se “Në disa raste, familjet duhet të jetojnë së bashku në çadra të mbipopulluara në kamp. Për të liruar vend, vajzat e tyre u martuan para se të arrinin moshën e rritur.”

“Asnjë prind nuk dëshiron ta lërë vajzën në duart e të tjerëve, por ato duhet të martohen për shkak të rrethanave,” shtoi ai.

Wai Wai Nu, bashkëthemelues dhe drejtor i Rrjetit të Paqes së Grave, i tha Zërit të Amerikës se rritja e martesave të fëmijëve në kampe është alarmante.

Ajo tha se prindërit i lejojnë vajzat e tyre të mitura të martohen jo sepse janë të varfra ose të paarsimuara, por sepse besojnë se martesa mund të sjellë siguri për jetën e vajzave të tyre.

“Prindërit besojnë se nëse bijat e tyre janë të martuara, burrat e tyre mund t’i mbrojnë ata më mirë sesa prindërit”, tha ajo.

Dhuna në familje dhe seksuale

Format e tjera të dhunës ndaj vajzave janë gjithashtu në rritje gjatë pandemisë, përfshirë hapësira në internet ku më shumë njerëz po komunikojnë si rezultat i rritjes së distancës sociale.

Një sondazh i fundit nga “Plan International” zbuloi se 32% e vajzave indoneziane kanë përjetuar dhunë në mediat sociale, ndërsa 56% kanë qenë dëshmitare të dhunës në mediat sociale. Organizata anketoi 500 vajza indoneziane midis moshës 15 dhe 20 vjeç.

“Këtu (në Indonezi), vajzat nuk përjetojnë vetëm një lloj dhune në internet me bazë gjinore. Nga 500 vajza, 395 thanë se kishin përjetuar raste të shumta (të dhunës), tha Nazla Marisa, drejtore e “Plan International Indonesia”.

Asnjë vend nuk është imun ndaj abuzimit. Në Shtetet e Bashkuara, të miturit ishin gjysma e atyre që kishin telefonuar në Mars në Linjën Kombëtare për Sulmet Seksuale, të Rrjetit Kombëtar kundër Përdhunimit, Abuzimit dhe Incestit (RAINN). Nga ata që pretendojnë shqetësime për koronavirusin, “67% identifikuan autorin e tyre si një anëtar të familjes”, sipas Qendrës së Kujdesit Parësor të Fakurltetit Mjekësor të Harvardit.

Programi i Grave i OKB-së, e ka përshkruar dhunën me bazë gjinore gjatë shpërthimit global të koronavirusit si një “pandemi e dytë ” dhe se që nga shpërthimi i COVID-19, të gjitha llojet e dhunës ndaj grave dhe vajzave, veçanërisht dhuna në familje, janë intensifikuar.

Arsimi

Arsimi është një fushë tjetër në të cilën vajzat po vuajnë për shkak të krizës shëndetësore të koronavirusit. Kërkimet nga Fondi Malala vlerësojnë se 20 milionë vajza të moshës së shkollës së mesme nuk do të kthehen dot më në klasë pasi kriza të ketë mbaruar.

Fondi Malala ishte nismë e aktivistes Malala Yousafzai, e cila i mbijetoi një goditjeje me armë zjarri pasi u vu në shënjestër pasi kishte bërë fushatë për arsimimin e vajzave në Pakistan.

Malala, e cila fitoi Çmimin Nobel të Paqes për përpjekjet e saj në 2014, foli për efektin e pandemisë në arsimimin e vajzave me Princin Harry dhe gruan e tij, Meghan, në një video që u bë publike të dielën për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Vajzave.

Shkollimi i vajzave është thelbësor për përparimin e e barazisë gjinore, sipas një raporti të ri, hartuar në bashkëpunim me UNESCO-n. Raporti thotë se pavarësisht nga një rritje në të gjitha nivelet e arsimit, vajzat kanë ende më shumë gjasa të vuajnë përjashtim sesa djemtë, një rezultat që është përkeqësuar nga pandemia aktuale.

Në të gjithë botën, 132 milion vajza nuk janë në shkollë, sipas shifrave të Kombeve të Bashkuara, me 1 në 3 vajza adoleshente nga familjet më të varfra që nuk kanë shkuar kurrë në shkollë.