Harta me tinguj për ata që nuk mund të udhëtojnë…
Të mbyllur në shtëpi prej muajsh, në shumë raste kemi lënë pas dore kontaktin me natyrën. Veçanërisht ata që jetojnë në metropolet e mëdha, me pak hapësira të gjelbra. Vera na ndihmoi të rikuperonim disi, por vjeshta dhe masat kufizuese për një ‘lockdown’ tjetër, rrezikojnë të na largojnë sërish nga jeta në ajër të pastër.
Hapësirat e gjelbra, të qeta, të izoluara apo të largëta, prej muajsh janë kthyer në prioritetet tona në kohën e lirë. Por edhe të mundeni thjesht të vlerësoni tingujt e atyre pyjeve, duke ditur se janë ata origjinalë të mbledhur nga vizitorë dhe ekskursionistë, banorë të atyre vendeve, mund t’ju japë një dorë të kapërceni “urinë për gjelbërim”
Kjo është ajo çfarë ka bërë një organizatë britanike Wild Rumpus, në bashkëpunim me National Forest të Mbretërisë së Bashkuar. Krijimin e një lloj baze të dhënash me regjistrime tingujsh natyrorë për të ngushtuar atë distancë mes jetës sonë në gjysmë izolim dhe natyrës. Quhet Sound of Forest dhe është një hapë magjepsëse ndëraktive, në të cilën kushdo mund të japë ndihmën e tij, duke ngarkuar regjistrimin e tij të “kolonës zanore” të hapësirave të gjelbra dhe pyjeve pranë vendit ku jetojnë. Në pamje të parë, numërohen më shumë se 600 fragmente audio, nga rreth 60 vende në 6 kontinente.
Projekti lindi për një festival muzikor, Timber Festival, i programuar për t’u zhvilluar korrikun e kaluar, dhe i anuluar. Por pastaj u ngrit dhe u shndërrua në një platformë autonome dhe globale. “Kur kuptuam se këtë vit nuk do të mund të takoheshim personalisht për shkak të pandemisë, menduam të realizojmë një projekt me tinguj, që të ishte demokratik dhe i hapur për sa më shumë njerëz, diçka që të mund të krijonte lidhje emocionale të brendshme mes njerëzve dhe natyrës” – shpjegoi Sarah Bird, bashkëdrejtuese e Wild Rumpus, për Lonely Planet
Sipas Bird, më shumë se 30 mijë persona në ditë lidhen me hartën për të humbur mes tingujve të pyjeve nëpër botë, nga zemra e Loire tek pylli skocez Glenn Doll deri tek streha e kafshëve të egra në Marguerite-D’Youville, Châteauguay, në Quebec, apo Yus Conservation Area në Papua Neë Guinea.
“Harta shërben edhe si arkiv i ekosistemeve që janë transformuar në mënyrë shumë të shpejtë nga ndryshimet klimatike – shtoi një nga ideuesit e projektit – dhe është e qartë se koha në zemër të natyrës mund të ndihmojë në uljen e ritmit kardiak dhe rritjen e mirëqenies së përgjithshme. Nëse nuk mund të kalojmë kohë mes pemëve, kjo është të paktën një ndihmë”.
Në edicionin e ardhshëm të festivalit, ndër të tjera, artistët do të duhet të marrin frymëzim nga ky arkiv i stërmadh për të realizuar veprat e tyre: për shembull, organizata u ka kërkuar muzikantëve Erland Cooper, Hinako Omori dhe Jason Singh të shfrytëzojnë “Soundmap” për të shoqëruar performancat e tyre vitin e ardhshëm.
Burimi: La Repubblica