Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) do të financojë një program investimesh në infrastrukturën turistike dhe trashëgiminë në disa qytete të Shqipërisë, si në Shkodër, Berat, Fier, Korçë dhe Gjirokastër, transmeton Anadolu Agency(AA).

Marrëveshjet e financimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe BERZH-it për programin për zhvillimin e turizmit dhe infrastrukturës përfshijnë shumën totale prej 100 milionë eurosh, nga të cilat 40 milionë euro janë grant dhe 60 milionë euro kredi.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë e Shqipërisë njoftoi se një memorandum i mirëkuptimit mes Qeverisë së Shqipërisë dhe BERZH-it u nënshkrua nga Kryeministri Edi Rama dhe presidenti në detyrë i BERZH-it, Jürgen Rigterink, në prani edhe të ambasadorit të Bashkimit Evropian (BE) në Tiranë, Luigi Soreca.

Gjithashtu ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, firmosi me presidentin e BERZH-it edhe dy marrëveshje për zhvillimin e turizmit dhe infrastrukturës.

Gjatë ceremonisë të publikuar online në rrjetet sociale, kryeministri Rama tha se memorandumi është një hap i rëndësishëm, i cili sipas tij, njeh plotësisht objektivat e integrimit në Bashkimin Evropian, duke kombinuar politikën e angazhimit, ndihmën teknike dhe investimet.

“Ai përbën një instrument shtesë mjaft të vyer, që me shpresë do të ndihmojë Shqipërinë për të ecur shpejt me punën me kapitujt e legjislacionit komunitar. Po kështu jam shumë i lumtur të pranoj atë çfarë kemi arritur në kuptimin e zhvillimeve tona, për të cilat sigurisht BERZH-i ka qenë kyç”, tha Rama.

“Nuk ka dyshim që BERZH-i do të luajë një rol mjaft parësor në ecurinë e mëtejshme në lidhjen mes Shqipërisë dhe BE-së dhe nënshkrimi i marrëveshjeve të njësimit të infrastrukturës turistike është pjesë e kësaj, përveç rrugëve. Ky program është mjaft i mirëpritur, sepse përfshin një paketë të plotë të riparimeve dhe zhvillimeve të zonave të trashëgimisë”, u shpreh më tej Rama.

Presidenti i BERZH-it, Jurgen Rigterink, tha se “Jam shumë i kënaqur për nënshkrimin e këtij memorandumi mirëkuptimi që rikonfirmon angazhimin e BERZH-it për të ndihmuar Shqipërinë në rrugëtimin e saj për integrimin në Bashkimin Evropian, duke u përqendruar në 3 çështje, për infrastrukturën e qëndrueshme, forcimin ekonomik dhe forcimin e klimës së investimeve dhe qeverisjes.”

Sipas ministrisë, programi synon rritjen e kontributit të turizmit të qëndrueshëm ndaj rritjes ekonomike të Shqipërisë dhe do të ketë si objektiva të veçantë rritjen e cilësisë dhe qëndrueshmërisë së ofertës turistike, rritjen dhe ruajtjen e pasurive kulturore dhe natyrore, si dhe zhvillimin lokal dhe të qëndrueshëm të infrastrukturës.