Netët po ngrohen me një shpejtësi më të lartë se ditët në pjesën më të madhe të planetit për shkak të ndryshimit të mbulesës së reve, shkaktuar nga ngrohja globale.

Studiuesit nga Universiteti i Exeter ekzaminuan të dhënat për orë të temperaturës, mbulimit të reve, lagështisë dhe reshjeve në të gjithë botën nga 1983 në 2017.

Ngrohja e natës është më e zakonshme se ngrohja e ditës në 53 përqind të të gjitha sipërfaqeve të tokës, një fenomen i quajtur ‘asimetria e ngrohjes’ nga ekipi. Temperaturat gjatë natës ishin mesatarisht ‘në mënyrë proporcionale’ më të ngrohta, me rreth 0,45 F, kur krahasoheshin me ato gjatë ditës si rezultat i ndryshimit të klimës.

Kjo temperaturë më e lartë gjatë natës mund të ketë ‘implikime potencialisht të rëndësishme’ për speciet e natës dhe madje edhe shkallën e rritjes së bimësisë, paralajmëruan autorët. Studiuesit besojnë se fenomeni i asimetrisë së ngrohjes që ata vëzhguan mbi 30 vjet të të dhënave po drejtohet kryesisht nga ndryshimet në mbulesën e reve.

Retë ftohin sipërfaqen e planetit gjatë ditës, por ruajnë ngrohtësinë gjatë natës, duke çuar në ngrohje më të madhe gjatë natës. Në të kundërt, mungesa e reve lejon që më shumë ngrohtësi të arrijë në sipërfaqe gjatë ditës, por që nxehtësia humbet natën.

Autorët krijuan simulime për të treguar norma të ndryshme të ndryshimit në temperaturat maksimale të ditës dhe natës, si dhe mbulimin e reve, lagështinë dhe reshjet. Ekipi i studimit gjithashtu shqyrtoi ndryshimet në rritjen e bimësisë dhe reshjeve gjatë të njëjtës periudhë 30 vjeçare dhe gjeti ndryshime në ritmet e rritjes së ditës dhe natës.