Qyteti i Madridit dhe disa komuna të tjera pranë kryeqytetit spanjoll mbrëmjen e sotme po përgatiten të hyjnë në një izolim të dytë, pasi Ministria e Shëndetësisë e Spanjës raportoi 11.325 raste të tjera të koronavirusit të ri (COVID-19) dhe 113 vdekje, transmeton Anadolu Agency (AA).

Pasdite qeveria spanjolle e Madridit lëshoi një dekret për të izoluar kryeqytetin spanjoll dhe nëntë qytete rreth tij nga ora 10 e mbrëmjes së sotme.

Urdhri u lëshua pasi qeveria qendrore e Spanjës detyroi zyrtarët e Madridit të shtrëngojnë masat, por qeveria e Madridit paraqiti një kundërshtim ligjor për të rrëzuar masat.

Por tani për tani, qyteti i Madridit dhe zona të tjera të prekura rëndë nga koronavirusi nuk do të lejojnë që njerëzit të dalin nga komunat e tyre për shkaqe të pajustifikuara. Në zonat e izoluara, baret, restorantet dhe palestrat mund të punojnë me një kapacitet prej 50 për qind dhe duhet të mbyllen deri në orën 11 në mbrëmje.

Masat do të rishqyrtohen çdo javë dhe kur situata epidemiologjike të përmirësohet qeveria qendrore do të lejojë rihapjen.

Në të njëjtën kohë, ministri i Drejtësisë i qeverisë së Madridit, Enrique Lopez, tha se qytetarët që shkelin rregullat e lëvizjes nuk do të gjobiten ose dënohen derisa një gjykatës t’i ratifikojë rregullat e reja. Në ndërkohë, shtoi ai, policia do të vendosë “kontrolle informuese” për t’u treguar njerëzve në lidhje me masat e reja. Ai bëri thirrje për “qetësi mes kaosit”.

Ligjërisht, nuk është e qartë se çfarë do të ndodh në Aeroportin Ndërkombëtar të Barajas, i cili ndodhet në një provincë të kryeqytetit të izoluar.

“Duke filluar nga nesër, ju do të jeni në gjendje të arrini Madridin nga Berlini, por jo nga Parla (qytet i izoluar rreth 20 kilometër larg Madridit). Faleminderit për kaosin, Pedro Sanchez”, shkroi në rrjetet sociale Isabel Ayuso, presidente e Madridit, e cila apeloi te kryeministri spanjoll pasi tensioni midis qeverisë qendrore spanjolle dhe qeverisë së Madridit vazhdon të rritet.

Sipas të dhënave të fundit të lëshuara nga Ministria spanjolle e Shëndetësisë, niveli i infeksioneve të reja me koronavirus në Madrid ka shënuar rënie këtë javë, por ka pasur vonesa në rritje të raportimit të tyre.

Gjatë ditës së fundit, vdekjet e konfirmuara zyrtarisht në Spanjë u rritën me 113 viktima, me çka numri i përgjithshëm i tyre ka tejkaluar shifrën 32 mijë. Mbi 10 mijë persona aktualisht janë të shtruar në spital, mbi një e treta e të cilëve janë në rajonin e Madridit.

Jashtë Madridit, zyrtarët në qytetit verior Ourense njoftuan disa nga masat e rrepta që nga fillimi i valës së dytë, me qëllim për të kontrolluar një shpërthim të ri. Ata do të ndalojnë të gjitha kontaktet shoqërore midis njerëzve që nuk jetojnë së bashku.

Në Madrid, tubimet shoqërore janë të kufizuara në gjashtë persona.