Pandemia e Covidit-19 e ka thelluar krizën për demokraci, liri politike dhe të drejtat e njeriut.

Sipas raportit “Demokracia në izolim” i publikuar të premten nga organizata amerikane “Freedom House”, kriza pritet të zgjatë 3 deri në 5 vitet e ardhshme.

Disa nga ekspertët e fushës të intervistuar në Shqipëri shprehën mosbesim për informacionet e qeverisë për situatën epidemike, duke i përqendruar kritikat te mungesa e transparencës, te pamundësia për monitorim dhe te pushteti që shtoi presionin mbi mediet dhe lirinë e shprehjes.

Në shumicë, ata ndanë bindjen se institucionet dhe ministritë e linjës, dhe pushtetet e ndryshme në Shqipëri nuk e menaxhuan si duhet krizën, pasojat në ekonomi dhe në të drejtat e njeriut.

Megjithatë, në vlerësimin e përgjithshëm Shqipëria mbetet ende një vend pjesërisht i lirë.

“Freedom House”, në nivel global, zbuloi se qeveritë e përdorën pandeminë si arsye për t’i dhënë vetes kompetenca të veçanta, përtej asaj që kërkohej për të mbrojtur shëndetin publik.

Kjo rezultoi në dobësimin e nivelit të demokracisë në 80 shtete të botës, mes tyre vendet fqinje, Greqia, Mali i Zi dhe Serbia.

Disa qeveri zbatuan masa diskriminuese të izolimit dhe ndërmorën fushata keqinformimi.

Emigrantët u portretizuan si bartës të mundshëm të virusit në një rast në Serbi; në Mal të Zi u tentua të ndaleshin protestat për ligjin e feve me arsyen se përhapnin infeksionin; ndërsa në Turqi, Drejtoria për Çështjet Fetare deklaroi se personat e komunitetit LGBT janë përgjegjësit për shpërndarjen e koronavirusit të ri sepse i ka dënuar Zoti.

Fushata të tilla nuk kursyen as vendet më të zhvilluara si Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Konkluzionet e Freedom House u nxorën pas sondazheve me afro 400 ekspertë nga 105 shtete të botës në muajt mars-shtator.