Në Tiranë është nënshkruar marrëveshja për themelimin e Ligës Unike të Basketbollit Shqipëri-Kosovë, me pjesëmarrjen e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama dhe zyrtarëve të tjerë nga të dyja vendet dhe kryetarit të FIBA Europe, Turgay Demirel, raporton Anadolu Agency (AA).

Në fjalën e mbajtur në eventin e organizuar për krijimin e kësaj lige, kryeministri Rama tha se liga e përbashkët në basketboll do të jetë shtysë edhe për nisma tjera.

“Ajo që është e rëndësishme në vetvete për basketbollin është që ngre patjetër nivelin e konkurrencës dhe krijon më tepër hapësirë për të pasur më shumë cilësi në ndeshjet në fushën e basketbollit. Ndërkohë jam i bindur po ashtu që kjo është një eksperiencë që do ta bëjë shumë më të shpejtë dhe do ta nxisë shumë më tepër mekanizimin jo fort të lehtë për t’u vënë në lëvizje për shkak të një segmentimi të madh të aktiviteteve të përbashkëta sportive në nivel universitar apo në nivel parauniversitar”, u shpreh Rama në aktivitetin e publikuar në rrjetet sociale.

Pjesë e ceremonive për këtë marrëveshje ishte edhe ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës, Vlora Dumoshi, e cila sipas një njoftimi nga institucioni që ajo drejton ka theksuar se i përkrahin federatat në përgjithësi, konkretisht edhe Federatën e Basketbollit të Kosovës(FBK). Ajo është shprehur se me shpalosjen e idesë nga kryetari i FBK-së, Arben Fetahu, e ka përkrahur pa mëdyshje dhe pa hezitim.

Marrëveshja për ligën e përbashkët u nënshkrua nga kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës, Arben Fetahu dhe kryetar i Federatës Shqiptare të Basketbollit, Avni Ponari.

Në këtë ligë do të marrin pjesë tetë skuadra, katër më të mirat nga Kosova dhe katër më të mirat nga Shqipëria si dhe organet e mekanizmat e tjerë drejtues do t’i kenë me numër të barabartë të përfaqësuesve. Kalendari garues i kësaj lige do të zhvillohet krahas ligave kombëtare.