Mbrojtja e klimës është një enigmë e madhe. Por një vend i vogël Finlanda tregon se ç’mund të arrijë madje një qytezë e vogël ndaj një problemi kaq global.
Fshati Ii në veriperëndim të Finlandës ka arritur t’i ulë emetimet e CO2 me 80 përqind. Një nga çelësat e suksesit është krijimi i stimujve në mënyrë që në mbrojtjen e klimës të marrin pjesë të gjithë. Kursimi i energjisë elektrike, kursimi i ujit dhe riciklimi praktikohet që në kopshte dhe në shkolla.
“Gjithçka filloi me projektin 50:50. Ne e provuam atë në tre shkolla. Aty fëmijët masin konsumin e tyre të energjisë elektrike dhe të ujit dhe nëse bëjnë kursime gjysma e tyre u jepet që të vendosin vetë se si t’i shpenzojnë paratë e kursyera. Modeli ishte aq i suksesshëm saqë ne e zgjeruam atë në të gjitha shkollat dhe kopshtet në Ii.” – thotë Leena Vuotovesi, drejtore e kompanisë “Micropolis – Greener for Growth”.”
Fëmijët kanë blerë gjëra të bukura me kursimet e tyre: bimë, lodra, madje edhe një tryezë bilardoje.
Jo vetëm aktorët e mëdhenj
Konsumi i energjisë elektrike në Ii gjatë 10 viteve të fundit është përgjysmuar. “Ne e kuptuam se ndryshimi i klimës nuk po vjen, por që tashmë po ndodh. Dhe kuptuan po ashtu se jo vetëm aktorët e mëdhenj politikë në botë duhet të veprojnë, por edhe ne vetë duhet të bëjmë diçka.” – thotë Teijo Liedes, anëtar i këshillit bashkiak.
Ii është i rrethuar nga një natyrë mistike. Këtu gjendet zona kënetore më e madhe me torfë e Evropës. Për shekuj me radhë torfa digjej për të prodhuar energji.
Por moçalet me torfë depozitojnë sasi të mëdha dioksidi karboni që dëmton klimën. Dhe mbrojtja e tyre zvogëlon gazrat që shkaktojë efektin serë në atmosferë.
Shumë aspekte
Ii e ka ndaluar gjithçka që ndot ajrin, si ngrohjen me naftë dhe energjia prodhohet vetëm nga era dhe uji. Tani qyteti prodhon dhjetë herë më shumë energji të gjelbër sesa i nevojitet dhe fiton nga shitja rreth 4 milion euro në vit.
“Po ne kemi gjithashtu shumë diskutime në lidhje me energjinë e erës. Për shembull për zhurmën, apo shpërfytyrimin e peizazhit,” – thotë Teijo Liedes, anëtar i këshillit bashkiak.
“Të gjithë kemi një qëllim të përbashkët të mbrojmë natyrën në Ii. Ne kemi nevojë për energjinë e erës. Por gjithashtu duhet të mbrojmë edhe mjedisin. Ka pra shumë aspekte dhe ne duhet t’i analizojmë të gjitha dhe të gjejmë kompromisin më të mirë.” – shton Leena Vuotovesi.
Mbrojtja e klimës është një enigmë e madhe. Çfarë mund të arrijë një qytezë e vogël ndaj një problemi kaq global? Shumë, mendojnë banorët në Ii, p.sh. duke u bërë shembull për të tjerët, sepse ajo që bëjmë ne banorët këtu në provincën finlandeze, mbase mund të imitohet në të gjithë botën.