Një ligjvënës norvegjez ka propozuar Presidentin Donald Trump si kandidat për Çmimin Nobel të Paqes për vitin 2021 për ndihmën e tij në ndërmjetësimin e një marrëveshjeje midis Izraelit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe.

Komiteti Norvegjez i Nobelit, i cili vendos për çmimin, nuk pranoi të komentojë për propozimin e bërë nga deputeti Christian Tybring-Gjedde.

Mijëra njerëz kanë të drejtë të propozojnë kandidatë për çmimin Nobel të Paqes, përfshirë anëtarë të parlamenteve dhe qeverive, profesorë të universiteteve dhe persona që e kanë marrë këtë çmim në të kaluarën.

“Është për kontributin e tij për paqen midis Izraelit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, një marrëveshje e veçantë në llojin e vet,” tha deputeti Tybring-Gjedde, i Partisë së djathtë të Progresit.

Ligjvënësi, i cili e propozoi zotin Trump edhe në vitin 2019 për përpjekjet diplomatike me Korenë e Veriut, tha se emërimi për vitin 2021 lidhet edhe me tërheqjen e trupave amerikane nga Iraku.

Vitin e kaluar Presidenti Trump tha se meritonte t’i jepej Çmimi Nobel i Paqes për punën e tij lidhur me Korenë e Veriut dhe Sirinë, por u ankua se ndoshta nuk do ta merrte kurrë atë.

Ish Presidenti Barak Obama, e mori çmimin në vitin 2009 vetëm disa muaj pasi kishte filluar mandatin. Emërimet për çmimin e këtij viti u mbyllën më 31 janar dhe fituesi do të shpallet më 9 tetor në Oslo.