Organizata Botërore e Shëndetësisë nxorri të mërkurën udhëzime të reja për përdorimin e mjekimeve që shpëtojnë jetë, disa orë pasi një studim tregoi se steroide jo të shtrenjta, pakësojnë rrezikun e vdekjes tek pacientët e sëmurë rëndë me COVID-19. Komisioni i udhëzimeve i OBSH-së bëri një rekomandim “të fortë” për përdorimin e terapisë me kortikosteroide për rastet serioze me koronavirus, por jo tek ata me raste më të buta. Udhëzimet bazohen tek rezultatet e tetë provave klinike me 7,184 pjesëmarrës. Një nga këto studime u publikua të mërkurën.

OBSH rekomandon përdorimin e steroideve për trajtimin e pacientëve me COVID-19

No media source currently available

0:002:380:00

 

 Direct link 

Studimi i publikuar të mërkurën, përfshinte shkencëtarë nga Brazili, Kanadaja, Kina, Franca, Spanja, Britania dhe Shtetet e Bashkuara.

I koordinuar nga Instituti Kombëtar britanik për Studime Shëndetësore, ai është pjesë e përpjekjeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, për të bërë me shpejtësi prova me ilaçe të ndryshme.

Studiuesit analizuan tre steroide të ndryshme: deksametazonin, hidrokortizonin dhe metilprednizolonin, megjithëse nga ky i fundit u hoq dorë, sepse numri i pacientëve mbi të cilin u testua, ishte shumë i vogël për një rezultat të besueshëm.

Profesori i Universitetit të Bristolit, epidemiologjisti Jonathan Sterne është pjesë e ekipit që analizoi rezultatet.

“40 për qind e pacientëve që morën kurën e zakonshme ose placebon, vdiqën nëse sheh të dhënat tek të gjitha këto prova. Tek pacientët që morën kortikosteroid, vdekja dhe rreziku nga vdekja pas 28 ditësh, u reduktua me 32 për qind. Pra tetë ndër 100 pacientëve iu shpëtua jeta nga trajtimi me kortikosteroid, ose 20 për qind reduktim i rresikshmërisë për jetën”, thotë ai.

Studiuesit e Universitetit të Oksfordit, kishin arritur në një përfundim të ngjashëm në qershor dhe rezulatet e provës klinike, ishin botuar të mërkurën në një studim në revistën mjekësore, JAMA.

Prof. Sterne thotë se ilaçet përdoren kundër pezmatimit dhe janë të përshtatshme vetëm për pacientë të sëmurë rëndë, megjithëse kortikosteroidet patën efekt pavarësisht nëse pacientët po përdorin respiratorë kur filluan trajtimin.

“Një nga arsyet që pacientët sëmuren kaq rëndë me COVID-19 është se sistemi i tyre imunitar detyrohet të punojë në maksimum. Kështu që ideja është që trajtimi me steroide e qetëson reagimin e forte imunitar dhe kjo i bën njerëzit që të mbijetojnë kur trajtohen me to”, thotë profesori Sterne.

Ai shton se po vazhdojnë përpjekjet për të gjetur trajtime të tjera sepse niveli prej 33 për qind rrezikshmëri për vdekje është gjithsesi shumë e lartë.

Pacientët u ndoqën për një periudhë prej 28 ditësh dhe profesori Sterne e pranon që është kohë e shkurtër, por thotë se mjekët do të duan të dinë se çfarë do të ndodhë për një periudhë afatgjatë dhe se me kalimin e kohës do të dihet më shumë.

“Shumica e vdekjeve, nëse ndodhin, ndodhin në 28 ditët e para por të gjithë ata që bënë provat klinike do të duan të ndjekin pacientët për një kohë më të gjatë, për të parë nëse këto rezultate vazhdojnë të jenë efektive”, thotë Prof. Sterne.

Britania dhe qeveri të tjera në gjithë botën, kanë miratuar përdorimin e kortikosteroideve për pacientët e sëmurë rëndë nga COVID-19. Tani përdorimi i tyre rekomandohet edhe nga OBSH.