Një grup pune i ngarkuar nga qeveria e kryeqytetit Uashington, ka rekomanduar riemërtimin, zhvendosjen ose ndryshimin e kontekstit shpjegues për dhjetëra monumente, shkolla, parqe apo ndërtesa, për shkak se figurat historike që lidhen me to kanë qenë pjesëmarrëse në akte skllavërie ose shtypjeje racore. Në listë janë Monumenti i Xhorxh Uashingtonit dhe Përmendorja e Tomas Xhefersonit.

Përmendorja e Tomas Xhefersonit
Përmendorja e Tomas Xhefersonit

Disa nga propozimet në raportin e publikuar të martën nuk mund të merren fare në shqyrtim, sepse shumë prej monumenteve dhe statujave më të njohura janë ngritur në truall federal, që është jashtë kontrollit të qeverisë së Uashingtonit. Megjithatë, rekomandimet kanë nxitur reagime të ashpra në klimën e një debati mbarëkombëtar mbi historinë racore të Amerikës.

“Për sa kohë që Presidenti Trump të jetë në Shtëpinë e Bardhë, rekomandimet e papërgjegjshme të kryebashkiakes absolutisht as që do të shqyrohen. Si kryetare bashkie e kryeqytetit të vendit tonë – një qytet që i përket popullit amerikan – asaj duhet t’i vijë turp që sugjeron gjëra të tilla për t’u shqyrtuar,” tha sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë Kayleigh McEnany në një deklaratë të martën.

Grupi i punës, i njohur si DCFACES, u formua nga kryebashkiakja e Uashingtonit Muriel Bowser gjatë verës, në atmosferën e një vale protestash mbarëkombëtare mbi atë që protestuesit e quajnë brutalitet i policisë dhe pabarazi racore sistematike që përfshiu edhe Uashingtonin. Ajo publikoi të martën një përmbledhje ekzekutive prej 24 faqesh.

Disa nga rekomandimet e grupit priteshin qysh më parë; për shembull, Shkolla e Mesme Woodrow Wilson ka qenë prej vitesh një kandidate kryesore për një ndryshim emri, për shkak të mbështetjes së hapur të Wilsonit për ndarjen racore. Të tjerat janë më të diskutueshme, siç janë propozimet për të riemërtuar shkollat që mbajnë emrat Tomas Xheferson, Benjamin Franklin dhe Francis Scott Key, kompozitori i hymnit amerikan “The Star-Spangled Banner”.

Për statujat dhe monumentet e shumta që ndodhen në truall federal, komisioni i rekomandon zonjës Bowser të kërkojë nga qeveria federale të “heqë, zhvendosë ose ri-kontekstualizojë” monumente të tilla si ai i Xhorxh Uashingtonit, Përmendorja e Xhefersonit dhe statuja e Kristofor Kolombit përballë stacionit qendror të trenit në kryeqytet.

Grupi i punës, në përmbledhjen e paraqitur, shpjegon se është përqendruar tek disa “episode historike kyçe që i skualifikon këto monumente, si pjesëmarrja në skllavëri, racizmi, keqtrajtimi ose veprimet që shtypën barazinë për personat me ngjyrë, gratë dhe komunitetet LGBTQ apo shkelja e Aktit për të Drejtat Njerëzore në Uashington DC.”

Raporti nuk jep hollësi se si do të bëhej “ri-kontekstualizimi”, por kohët e fundit ka pasur rekomandime që në monumentet e Xhefersonit dhe Uashingtonit të shtohen pllaka ku të shpjegohet se ata kanë qenë pronarë skllevërish për një kohë të gjatë.

Zonja Bowser tha të martën se mezi priste të shikonte rekomandimet e grupit të punës, që ajo kishte ngarkuar për të “vlerësuar hapësirat publike për të siguruar që trashëgimia e figurave në fjalë të ishte në përputhje me vlerat e kryeqytetit Uashington”.

Kryebashkiakja Bowser ka shumë pak kompetencë për të kontrolluar atë që ndodh në truall federal. Ajo dhe Këshilli Bashkiak luftuan për vite me radhë për të hequr një statujë të ish gjeneralit të Konfederatës Albert Pike, por nuk patën sukses, sepse statuja ndodhej në truall federal. Në qershor, qindra protestues e rrëzuan statujën ndërsa policia e qytetit mbajti distancë dhe nuk ndërhyri.