Miku im Viron Kona më bëri me dije, se në fund të muajit korrik nga Norvegjia, edhe pse në kushte pandemie, kishte mbrritur një pako me kostume kombëtare, të dërguara nga zonja Emine S. Hoti, dhuratë për shkollën 9-vjeçare “Vëllazërimi”, Tiranë.

-S’ është momenti për ceremoni,por gjithsesi ne do t`i sjellim ato në shkollë,-tha Vironi.

Pasi komunikuam me drejtoreshën e  shkollës “Vëllazërimi” znj.MeritaPrenga, vendosëm  që javën e dytë të muajit gusht, t`i sillnim ato veshje në shkollë me një ceremoni fare të thjeshtë. Mori përsipër të na çonte në shkollë me makinën e tij mësuesi i edukumit fizik Saimir Kabili

Dhuratë e duhur në vendin e duhur

 

Atë ditë,më 16 gusht, shkuam te rruga “MyslymShyri”, ku banon Vironi dhe e lajmëruam me celular se kishim mbërritur. Ai erdhi së bashku me bashkëshorten e tij Liljana Kona dhe, me ndihmën time, vendosëm dy çanta të mëdha me kostume  kombëtare në makinë dhe, përveç tyre, edhe dy çanta të tjera me libra.

-Po këto libra? – e pyeta mikun tim.

-Njëra çantë me libra është dhuratë për shkollën, ashtu si dhe veshjet kombëtare, nga shkrimtarja Emine S. Hoti. Çantën tjetër me libra, -buzqeshiVironi,-  e keni dhuratë nga unë.

Pa humbur kohë u nisëm për në shkollën 9-vjeçare “Vëllazërimi”.

-Ju,z.Viron,-mora fjalën unë,-jeni prej kohësh mik i shkollës “Vëllazërimi”, kjo dihet, por me rastin e këtyre dhuratave të çmuara, edhe ju zonja Liljana, do jeni mikeshë e kësaj shkolle.

-Faleminderit,-tha ajo,-unë kam kënaqësi që, bashkë me Vironin po sjellim aty dhuratën që po i bënë shkollës, shkrimtarja, stilistja dhe atdhetarja nga Norvegjia znj. Emine S. Hoti. Por, sigurisht që e kam kënaqësi të veçantë dhe nder të cilësohem edhe unë mikeshë e shkollës “Vëllazërimi”. Kam dëgjuar fjalët më të mira për këtë shkollë,  si për arritjet dhe rezultatet në mësime, për stafin mësimor të përgatitur profesionalisht, por  edhe për drejtoreshën e talentuar znj. Merita Prenga.

Dhurata, në vendin e duhur. Shkolla “Vëllazërimi” e meriton një dhuratë të tillë,-tha Vironi.

-Edhe unë, si ish nëndrejtor i asaj shkolle, ju falënderoj shumë për këtë dhuratë të çmuar,- thashë.

-Ndihem krenar për shkollën ku punova pesë vitet e fundit, para se të dilja në pension.Ndërkaq, duke bashkëbiseduar, as që e ndjemë kohën dhe u befasuam kur mësues Saimiri, tha se kishim arritur te shkolla.

-Po kjo shkollë qenka si një tempull i vërtetë i dijes, kaq e bukur, kaq e pastër dhe me kaq shumë lule, – po thoshte Liljana duke parë andej – këndej gjithë kërshëri dhe kënaqësi.

-Dale, dale, kur të hyni brenda, – i thashë unë.

-Pse, ka supriza të tjera?

-Suprizat e vërteta po i sillni ju, por do shihni edhe mjedise te shkollës,-i thashë dhe, ndërsa zbritëm çantat me veshje kombëtare dhe me libra, nisëm të ngjitim shkallët e godinës.

Ishte vërtetë një mjedis kaq shumë tërheqës dhe befasues, saqë të linte pa fjalë.  Liljana po kënaqej së pari ato dhjetëra e dhjetra vazo me lule të llojëllojshme, teksa në çdo kënd shihje libra, libra gjithandej, në mjedise të sajuara enkas, në rafte në fillim dhe në fund të korridoreve. Gjithandej lule dhe libra.

-Sigurisht që lulet e vërteta janë nxënësit tanë,-dëgjuam zërin e drejtoreshës, që po ndiqte buzaga befasinë e këndshme, që kishte përfshirë miqtë e sapoardhur.

U takuam me përzemërsi. Drejtoreshë Merita njihej edhe me Liljanën, bashkëshorten e shkrimtarit Viron Kona dhe një çast ato këmbyen fjalë të bukura dhe të përzemërta mes tyre.

-I lumshin duart asaj që kujdeset për këto lule,-tha Liljana me entuziazëm. Kush është, mund ta takoj dhe ta përgëzojë?

-Përpara teje ndodhet, s`ke pse lodhesh shumë, – i thashë, – vet drejtoresha kujdeset për lulet, i ka me shumë merak, por duket se këtë merak e ka edukuar edhe te nxënësit.

-Këtu të gjithë i duan dhe  kanë pasion për lulet, – tha me modesti drejtoreshë Merita.

Vendosëm çantat me dhuratat, ardhur nga Norvegjia dhe e mori fjalën Liljana Kona.

-Jam e emocionuar,-tha ajo,-dhe, kam nderin që të jem në këtë rast përfaqësuese e mikeshës sime dhe Vironit, poetes, stilistes dhe atdhetares Emine S. Hoti, e cila i ka qepur me shumë dashuri, me duart e saj të arta këto veshje kombëtare dhe jua ka dërguar dhuratë shkollës suaj. Kështu që gjithë falenderimet i takojnë asaj.

-Sigurisht, por edhe juve që i sollët meritoni falenderime, – i tha drejtoresha duke parë me radhë kostumet shumëngjyrëshe, që po i nxirrnim nga çantat dhe i fotografonim. Fytyra e drejtoreshës shkëlqente nga gëzimi. Ishin veshje të prera dhe të qepura nga duar e arta të Emin Hotit, e quajtur ndryshe “Marigoja shqiptare në Norvegji”. Ajo e kishte bërë këtë dhuara me zemërgjerësi dhe me dashuri për nxënësit e shkollës “Vëllazërimi”.

-Janë kaq shumë dhe kaq të bukura,-tha me emocion drejtoreshë Merita,-ne do t`i ruajmë si sytë e ballit, nxënësit në radhë të parë do të kënaqen shumë, sepse janë ata që do t`i veshin dhe do të vallëzojnë, këndojnë e festojnë të veshur me këto kostume, por edhe mësuesit dhe i gjithë komuniteti.

Një dhuratë  shumë e çmuar për të cilën s`gjejmë dot fjalët e duhura për t`ju falënderuar, por falënderimi ynë vjen me të gjithë forcën e zemrës dhe të shpirtit tonë, me sinqeritetin dhe çiltërsinë e moshës së nxënësve tanë të bukur në pamje dhe më të bukur në shpirt. Falemidnerit miq, nuk do t`ju harrojmë, vlerat e kësaj dhurate, do t`i kompesojmë ato me dashuri edhe më të madhe për veshjet dhe kostumet tona kombëtare, me dashurinë tonë për kombin tonë të bukur shqiptar.

Ndërkaq u bënë dhe shumë fotografi një pjesë të të cilave do ti vendosim si ilustrim të këtij artikulli dhe të gjestit dhurues të zonjës së nderuar Emine S.Hoti

Në përfundim të prezantimit të kostumeve kombëtare nga zonja Liljana Kona, të stilizuara dhe të qepura nga zonja Emine S. Hoti, drejtoresha e shkollës së bashku me dy nxënëse të veshura me kostume kombëtare të zonës, i dhuruan zonjës Liljana një buqetë shumë të bukur me lule të freskëta dhe shumëngjyrëshe. Kurse shkrimtarit Viron Kona,  mik i “vjetër” i shkollës “Vëllazërimi”, i dhuruam një vazo me një lule të bukur natyrale.

Të dy bashkëshortët të gëzuar dhe të emocionuar, falënderuan zonjën Merita për dhuratat.

-Na lumturove shumë me këto dhurata simbolike,-foli shkrimtari Viron Kona. -Do ti ruajmë këto lule në mjediset e shtëpisë sonë, do t`i ujisim me kujdes, që ato të lulëzojnë të shëndetshme dhe, sa herë t`i shikojmë e të ndjejmë aromën e tyre, do të kujtojmë shkollën tuaj, ju të gjithëve, mësuesit dhe nxënësit  e dashur dhe të bukur si drita.

E teksa përcillja çiftin Kona për në banesën e tyre, ndjeja për ta dhe për zonjën Emine S. Hoti, një respekt të pakufishëm, sepse ata, edhe në kushtet e vështira që po kalojmë, gjetën mënyrën për të ofruar dhe shpërndarë tek të gjithë ne, mesazhe paqeje, qetësie dhe dashurie.