Gjermania dhe Franca braktisën bisedimet për reformën e OBSH mes tensionit me Uashingtonin. Burimet për Reuters thonë se France dhe Gjermania kanë lënë bisedimet për reformimin e Organizatës Botërore të Shëndetit të zhgënjyer, pas përpjekjeve të Shteteve të Bashkuara për të udhëhequr negociatat, me gjithë vendimin e saj për të lënë këtë organizatë.
Shtetet e Bashkuara i dhanë OBSH një njoftim në Korrik se po largohet nga agjencia, e cila u krijua për të përmirësuar shëndetin globalisht, pasi Trump e akuzoi atë se ishte shumë afër Kinës dhe se keqpërdori pandeminë e koronavirusit.
Drejtuesit e OBSH kanë hedhur poshtë akuzat e tij. Edhe qeveritë evropiane kanë kritikuar gjithashtu OBSH, por nuk shkojnë aq larg sa Shtetet e Bashkuara në kritikat e tyre, ndaj vendimi i Parisit dhe Berlinit për të lënë bisedimet pason tensionet mbi ato që ata thonë se janë përpjekjet e Uashingtonit për të dominuar negociatat.
Ministritë e Shëndetësisë gjermane dhe franceze konfirmuan për Reuters se të dy vendet ishin kundër Shteteve të Bashkuara, ndërkohë që pro vendimit të tyre janë shprehur edhe Ministria e Shëndetësisë italiane dhe ajo e Britanisë së Madhe.
Bisedimet për reformën e OBSH-së filluan rreth katër muaj më parë. Ka pasur gati 20 telekonferenca midis ministrave të Shëndetësisë nga grupi i shtatë kombeve të industrializuara dhe dhjetëra takime të diplomatëve dhe zyrtarëve të tjerë.
Një marrëveshje nga G7, e cila përfshin gjithashtu Japoninë dhe Kanada, do të lehtësonte bisedimet në G20 dhe Kombet e Bashkuara, ku çdo ndryshim do të duhej të binte dakord me Kinën, Rusinë dhe qeveritë e tjera të mëdha jo në G7. Por është e paqartë nëse samiti i G7 në Shtetet e Bashkuara, ku presidenti Trump shpreson se liderët do të miratojnë ndryshimet, tani do të shkojë përpara në shtator ashtu siç ishte planifikuar.