Presidenti Trump, urdhër ekzekutiv për ndihmën për pandeminë

Presidenti Donald Trump do të nënshkruajë një urdhër ekzekutiv që synon të sigurojë ndihmë ekonomike për amerikanët e prekur nga pandemia, pasi Shtëpia e Bardhë nuk arriti dot marrëveshje me Kongresin.

“Në kushtet e mosveprimit të Kongresit, Presidenti do të ndërmarrë veprime për të ndihmuar amerikanët në nevojë,” tha një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë për agjencinë Reuters.

Gati dy javë bisedime midis zyrtarëve të Shtëpisë së Bardhë dhe demokratëve të Kongresit përfunduan të premten pa marrëveshje. Palët janë ende larg njëra-tjetrës lidhur me hapat e ardhshëm për të trajtuar pandeminë që ka marrë shumë jetë njerëzish dhe i ka kushtuar rëndë ekonomisë amerikane.

Deri tani, më shumë se 160,000 amerikanë kanë humbur jetën nga virusi dhe dhjetëra milionë kanë mbetur pa punë.

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi dhe udhëheqësi i pakicës në Senat, Chuck Schumer kanë ofruar të ulin paketën e propozuar të ndihmës prej 3.4 trilion dollarësh, të cilën Dhoma e Përfaqësuesve e miratoi në muajin maj, por që Senati nuk e përfilli. Demokratët kërkojnë si shkëmbim që republikanët të bien dakord për ta dyfishuar shumën prej 1 trilion dollarësh të propozuar prej tyre.

Negociatorët e Shtëpisë së Bardhë, Sekretari i Thesarit Steven Mnuchin dhe Shefi i Stafit Mark Meadows e kundërshtuan ofertën e demokratëve.

Sipas njoftimeve, ligjvënësit nuk kanë planifikuar takime të mëtejshme.

Për miliona amerikanë kompensimi javor prej 600 dollarësh për papunësinë që kishin marrë që nga fillimi i pandemisë në mars, u ndërpre. Agjencitë e shërbimeve sociale kanë paralajmëruar se mungesa e pagesave të papunësisë mund të shkaktojë pasiguri ushqimore dhe përzënien nga shtëpitë për miliona amerikanë.