Fragment nga analiza e shkrimtarit e gazetarit Shefqet MEKO në Amerikë për romanin “ANJA” të shkrimtarit e poetit Ahmet PRENÇI –
“… Ahmet Prençi na ka ofruar një roman të shpirtit njerëzor që përpëlitet në dallgët e jetës, duke mërmëritur klithmën njerëzore “Të jesh apo të mos jesh…”.
Thjesht, bukur, drithërues, me sinqeritet, me nerv rrëfyes, me vringëllimë të fjalës dhe intrigë dashurie, Prençi na shëtit “Udhëve në pasqyrë” duke na treguar këtë radhë ciflosjen e “pasqyrave” të shpirtit si një destinacion i secilit, ku “cirku” i fatit kërcen skutave të jetës e shpirtit si fat e rastësi vrastare, për të na dhënë mesazhin e madh njerëzor: Njeri, duaje fatin që shpesh “përdridhet” në duart e tjetrit… Njeri, duaje jetën…!
Autori, me “bisturinë” e fjalës, depërton thellë në shpirtin e një burri dhe një gruaje, tregon lumturinë dhe mallkimin e tyre, duke bërë një “grafi” unike mes “dy gjysmave” të jetës njerëzore, që duke u bashkuar e “tretur” mes tyre krijojnë mirazhin e jetës dhe trashëgimisë.
Autori është i “egër” dhe i pamëshirshëm në fatin e heronjve të vet, por gjithsesi i vërtetë…”
Amerikë, 2020