Pasi në 24 orët e fundit në qytetin Melbourne të Australisë humbën jetën 3 persona nga koronavirusi i ri (COVID-19), është bërë e detyrueshme mbajtja e maskës, transmeton Anadolu Agency (AA).

Kryeministri i shtetit Victoria, Daniel Andrews, bëri vlerësime në lidhje vdekjet e reja, numrin e rastve dhe vendimet e reja për kryeqytetin e shtetit, Melbourne “ku zbatohet ora policore përveç rasteve të arsyeshme”.

Ai njoftoi se në 24 orët e fundit janë zbuluar 263 raste të reja me COVID-19, duke shtuar se kanë humbur jetën 3 persona prej të cilëve një grua 90-vjeçare.

Andrews ftoi qytetarët që të respektojnë rregullat që rastet e reja të mos shkaktojnë më shumë vdekje dhe të shndërrohet në valë të dytët. “Qëndroni në shtëpi, mos dilni nga shtëpia. Më mirë është të mërzitesh në shtëpi, se sa të vuash në kujdesin intensiv”, u shpreh ai.

– 200 dollarë gjobë për ata që nuk mbajnë maskë

Në kuadër të ndalesave që filluan të zbatohen në qytet nga 8 korriku, ndalohet dalja në rrugë përveç “ushtrimeve, shkuarjes në shkollë ose në punë, marrja ose dhënia e kujdesit mjekësor, blerja e ushqimeve dhe materialeve tjera thelbësore”.

Andrews njoftoi masa të reja për qytetin Melbourne ku vazhdon rritja e rasteve dhe vdekjeve nga COVID-19. Ai tha se duke filluar nga 23 korriku ata që dalin jashtë për raste të arsyeshme duhet të mbajnë maskë.

Ai tha se për mosmbajtje të maskës gjoba do të jetë 200 dollarë.

Në Sydney qytetarët paralajmërohen të mos udhëtojnë pa nevojë

Ndërkohë në Sydney, kryeqyteti i shtetit Uellsi i Ri Jugor (NSW) ku janë infektuar edhe 18 persona nga virusi, u bë thirrje që të mos udhëtohet përveç rasteve të nevojshme dhe të shmangen aktivitetet.

Ministria e Shëndetësisë e NSW ka zbuluar se virusi më shumë shpërndahet në bare, restorante, shtëpi dhe palestra.

Ndërkohë numri i të vdekurve nga COVID-19 në Australi u rrit në 122. Në mbi 3 milionë e 413 teste të kryera në mbarë vendin, pozitivë kanë rezultuar 11.802 australianë, nga të cilët 8.161 janë shëruar.

Zelanda e Re me 3 raste të reja

Ministria e Shëndetësisë së Zelandës së Re njoftoi se 3 persona prej të cilëve një grua që janë kthyer nga jashtë janë të infektuar me COVID-19.

Ministria më tej bëri të ditur se numri total i rasteve aktive është rritur në 25, duke njoftuar se të gjitha rastet janë në karantinë në hotele dhe se nuk ka të hospitalizuar me COVID-19.

Zelanda e Re e cila arriti sukses të parandalojë përhapjen e koronavirusit me masat e rrepta, deri më tani ka shënuar 22 vdekje.