Apple shënoi një fitore të madhe të mërkurën, kur Gjykata e dytë më e lartë në Europë hodhi poshtë një urdhër të Komisionit Europian, ku Apple duhet t’i paguante 13 mld euro (15 mld dollarë) taksa kthimi Irlandës.
Në vendimin e tij, katër vjet më parë, Komisioni Europian thoshte se kompania amerikane ka përfituar nga ndihmat e paligjshme shtetërore nëpërmjet dy vendimeve tatimore në Irlandë, të cilat kanë zvogëluar artificialisht barrën tatimore për më shumë se dy dekada, deri në 0,005% në vitin 2014.
Gjykata e Bashkimit Europian anuloi vendimin e Komisionit Europian mbi ‘tax ruling’ në Irlandë në favor të Apple. “Gjykata anulon vendimin në fjalë, pasi Komisioni nuk arriti të tregojë në mënyrë juridikisht të përshtatshme ekzistencën e një avantazhi antikonkurrues duke iu referuar Nenit 107” – lexohet në vendim.
“Falënderomë Gjykatën e BE-së, jemi të kënaqur që ata anuluan vendimin e Komisionit. Ky rast nuk lidhej me shumën e taksave që paguajmë, po ku kërkohet që t’i paguajmë ato. Ndryshimet që ndikojnë në mënyrën në të cilën paguajmë tatimin mbi të ardhurat të një kompanie shumëkombëshe ndahen midis vendeve të ndryshme dhe kërkojnë një zgjidhje në mbarë botën; Apple shpreson që angazhimi drejt një zgjidhje globale të vijojë” komentoi kompania me seli në Cupertino.
Sipas Gjykatës, “Komisioni gaboi kur deklaroi se Apple ka pasur një avantazh përzgjedhës dhe si pasojë, një ndihmë nga Shteti”. Brukseli arriti në “një përfundim të gabuar” që autoritetet tatimore irlandeze “i kanë dhënë Apple një avantazh përzgjedhës”, duke i lejuar ata të mos paguanin të ardhura nga shitjet jashtë Amerikës në degët irlandeze.
Për Gjykatën, “Komisioni duhet të tregonte se të ardhurat përfaqësonin vlerën e aktiviteteve të kryera në të vërtetë nga degët irlandeze”.