Libri “De-heroized heroines” u lejua për botim me vendimin e Këshillit Drejtues të Universitetit të Gjakovës “Fehmi Agani”.
Ky libër tërheq paralele ndërmjet romanit Nata me hënë të Ismail Kadaresë dhe romanit Nderi i humbur i Katerina Blumit të Hajnrih Bëlit, dhe mund të thuhet se ka thelluar dijet dhe metodologjinë në këtë fushë, duke trajtuar shumanshëm aspekte të shkencës letrare krahasuese në studimin e letërsisë shqipe. Para së gjithash, tërheqin vëmendjen sa për tematikën po aq edhe për strukturën e ngrehinës së zhanrit të romanit në kontekst me kohën e shkrimit, vendin dhe rrethanat shoqërore e artistike.
Përngjasimi i këtyre dy veprave, që vjen e zhvillohet si paralele, konsiston, pos në relacionin moral/imoralitet; krim/“krim”; në planin individual e kolektiv edhe në të qenët kryepersonazhe pikërisht dy kreatura të gjinisë femërore.
Njohësit e kësaj fushe, librin e vlerësojnë tepër interesant, të rëndësishëm dhe si të mirëpritur për letërsinë shqipe.
Autorja e librit, Prof. Ass. Dr. Vjollca Dibra është Prorektore për Çështje Akademike dhe Ngritje të Cilësisë në Universitetin e Gjakovës “Fehmi Agani”.