Nga Abdulla MEHMETI

Pas tërmetit në Shkup të vitit 1963, ky qytet me shumicë të banorëve shqiptarë, në mënyrë tinëzare e të dhunshme, duke mos ua zgjidhur problemin e banimit të familjeve shqiptare të mbetura pa kulm mbi krye, të mbetur në rrugë e pa bukë, pa punë dhe ekzistencë, me ndihmën financiare ndërkombëtare, në emër të humanizmit dhe solidaritetit, u dëbuan jashtë qytetit dhe shtetit të tyre, kush ku mundi të mbërrijë gjallë sa për ta shpëtuar veten dhe familjen.

Pas tërmetit politik nga ish-regjimi komunist jugosllav dhe mbeturinat e tij, në tri dekadat e fundit, nga viti 1990 e deri më sot, shumica e banorëve shqiptarë në këtë shtet të dalë nga gërmadhat e ish-federatës jugosllave, në mënyrë tinëzare e të dhunshme, duke mos ua zgjidhur problemet ekzistenciale; të shtetësisë, sigurisë, punësimit dhe ekzistencës; me dhunë të organizuar përmes dhjetëra ekspeditave ndëshkuese policore e ushtarake, gati në secilin vendbanim shqiptar, në emër të demokracisë së rrejshme, me heshtjen edhe të faktorit ndërkombëtar, u dëbuan jashtë shtetit të tyre mbi 1/3 e banorëve shqiptarë, kush ku mundi të largohet për ta mbajtur gjallë veten dhe familjen.

Kush tha se shqiptarët kanë nevojë vetëm për kryetar parlamenti, kryetar qeverie apo kryetar shteti, përderisa këta njerëz të mbetur jetimë dhe në mëshirën e fatit, së pari kanë nevojë për udhëheqës të tyre, për liderë të vërtetë dhe strategë, për lëvizje politike të denjë dhe me frymë demokratike e kombëtare, jo për klane mafioze, mbeturina të agjenturave të huaja dhe zëdhënës të pushtetit, që shqiptarët dëshirojnë t’i shohin edhe më tej kështu siç janë sot; sa më pak, sa më të dobët, sa më të përçarë, të dezorientuar dhe katandisur nga propaganda e pushtetit dhe ideologjive të huaja politike e fetare, për t’i vajtuar e gjithë bota, apo siç thotë populli, të vajtohen me gra Zajazi.

(17.VI.2020)