(Homazh për ing. Martin Lulash Gecaj, një nga personalitetet e shquara të gjeologjisë shqiptare, të ndërtimit të HEC të Fierzës, të Tregtisë së Jashtme të Shqipërisë, të kulturës shqiptare, i cili ndrroi jetë në Durrës, më 5 qershor 2020, në moshën 70-vjeçare)

Nga Frrok VUKAJ

Inxhinieri i ndjerë, në moshën 70 vjeç, është ndarë  nga kjo jetë me 5 qershor 2020.

Shkrimin me titullin e parë e kam shkruar në vitin 2006, e botuar po këtë vit në librin “Krenari për vendlindjen” (Triptik për Nikaj-Mërturin). Ka qënë e mbetet një ndër intelektualët më të shquar të Tropojës e më gjerë, i mirënjohur për arritje e suksese në profesionin e tij, për një familje shembullore, për vlera të spikatura pozitive e ura komunikimi, i cili  do të mbahet mend e kujtohet gjatë.

Në jetën e përditshme ndeshim në heronj të vërtetë që meritojnë nderim e respekt të veçantë, siç ndeshim ‘heronj” mburravecë e me kokën përpjetë. Më e vështira është të zbulojmë ata të heshturit e modestët, që gjithë jetën e shkrijnë për shoqërinë, pa u ndjerë e pa u mburrur. Zbulimi i këtyre vlerave do të jetë një shërbim i madh, jo vetëm për komunitetin, por edhe më gjerë. Afirmimi i shembujve të tillë është më shumë nder e vlerësim për ne, se sa për ata.

Po mundohem të sjell një shembull të gjallë, i ndodhur para rreth 30 vitesh më parë (tashmë janë bërë mbi 40 vite), shumë i vlerësuar në atë kohë nga personeli inxhiniero-teknik e punëtorët e hidrocentralit të Fierzës.

…Është marsi i vitit 1978. Punimet në hidrocentralin e Fierzës kanë përparuar shumë. Edhe në sheshin, ku do të ndërtohet Kulla e Portalit të tunelit  të shkarkimit Nr. 3 vazhdojnë punimet e gërmimet. Nga këto punime është shkaktuar prishja e ekuilibrit natyror të shpatit malor. Për rrjedhojë janë shkaktuar shtatë çarje, ku e fundit ishte më aktive, çka do të thotë se ajo  është shtytëse. Në pamjen e parë këto fakte që përshkruam duken të ftohta e pa shumë emocion.( Kështu e kashkenca, por vlerat janë të mëdha).

Por syri i punëtorëve e specialistëve shohin një problem, ndonjëri dyshon për diçka serioze, po gjithçka në kuadrin e hamendjeve. Dukej vetëm maja e ajsbergut, bile shumë më pak. Para tyre qëndronte një problem shumë serioz e i ngutshëm: bëhej fjalë për një masiv dheu, qindra metra kub, i cili mund të rrëshqiste nga çasti në çast, duke rrafshuar çdo gjë e mbi gjithçka jetë njerëzish, ndoshta, me qindra punëtorë e specialistë, pa përmendur makineritë e shumta. Dyshimet për një tragjedi të mundshme kanë ardhur duke u rritur. Ka filluar shkallë-shkallë, qysh te personeli inxhiniere-teknik i sektorit, duke vazhduar në atë të kantierit, drejtorisë së Hidrocentralit e deri në Ministrinë e Ndërtimi.

Tashmë, gjendja është drithëruese; ajo ka përfshirë jo vetëm dikasterin, por edhe Kryeministrinë. Alarmi tund karriget e pushtetarëve më të lartë. Me urgjencë mbërrijnë në Fierzë : zv. Kryeministri Pali Miska dhe Ministri i Ndërtimit RrahmanHanku, të shoqëruar nga inxhinierët më në zë të Republikës, nga ndërmarrjet e specializuara, gjeologji-gjeodezi për studime gjeologo-inxhinierike. Takimin e parë e bëjnë me drejtorin e Hidrocentralit, EminMusliu. Pas informacioneve të çastit, shkojnë drejtë e në objekt, aty ku kryheshin punimet, të cilat kishin shkaktuar prishjen e ekuilibrit natyror të masivit malor, duke dhënë çarjet.

Në sheshin e ndërtimit të Portalit të Tunelit Nr. 3 ndodhen përfaqësuesit më në zë të Qeverisë Shqiptare dhe specialistët më të njohur të kësaj fushe. Para tyre është masivi malor; i heshtur, i rëndë e kërcënues, me ato shenja drithëruese, si rrjedha e gjakut në damarët e trupit, a shenjat e llavës para shpërthimit të vullkanit.

Ballë për ballë ndodhen dukuritë e natyrës me intelektin e mençurinë e inxhinierëve, jo vetëm shqiptarë, por edhe kinez. Krahas tyre është autoriteti i madh i shtetit. Natyra duket e pamposhtur, por edhe njeriu me arritjet e tij është zot i natyrës. Pra, ballafaqimi bëhet jo vetëm me natyrën, por edhe i njeriut me njeriun, i mençurisë e përvojës me njëri-tjetrin. Beteja është e hapur. Inxhinierët kinez kishin një përvojë të madhe pune në hidrocentrale. Besimi në aftësitë e tyre profesionale ishte i padiskutueshëm. Mendimi i tyre për të hapur një galeri e për ta mbushur atë me hekur e beton, pra për ta bërë në një farë mënyre “gozhdimin” e planit të rrëshqitjes, gati-gati po merrej në vlerësim për zbatim. Por, kryerja e punimeve të propozuara nga ana e tyre, kërkonte një punë relativisht të gjatë, deri në 4-5 muaj. Atëherë, kur po piqej mendimi e dukej se problemi po gjente disi zgjidhje, shfaqet në pikën më kulmore ai njeriu i heshtur, me profesionalizmin e aftësitë, me mençurinë  e thjeshtësinë, i cili shpërndan mjegullën e shkëlqen si drita e diellit. Kjo nuk është ëndërr, as u bë si me magji. Ka një prej ardhje, ka një rrugë të gjatë e të vështirë të dijes e të punës. Pa harruar atë dramën e mbetur pezull, ku personeli inxhiniero-teknik janë në mes jetës e vdekjes, duhet të tregojmë diçka nga jeta e atij, që u bë shpëtimtari i asaj situate.

Quhet Martin Lulash Geci, i pasionuar pas shkencës qysh në shkollën e mesme dhe me rezultate bindëse në shkollën e lartë. Kishte punuar 4-5 vite punë të suksesshme në Hidrocentralin e Fierzës, duke studiuar jo vetëm përvojën shqiptare, por edhe atë të huaj. Zotërimi i gjuhëve të huaja: italisht, frëngjisht dhe anglisht, ishte një bazë e shëndoshë për t’u njohur edhe me përvojën botërore. Për 2 muaj, me syrin e mprehtë e vlerësues qysh në dhënien e shenjave të para në shpatin malor,  ai nuk toleroi as nuk nënvlerësoi asnjë dukuri sado e vogël qe…Vëzhgim në objekt e thellim në literaturë. Studioi një material në gjuhën frënge, i përkthyer nga gjuha japoneze, në një kapitull të të cilit trajtohej edhe fenomeni i rrëshqitjes. Duke zbatuar me përpikëri atë metodologji studimi, në kushtet konkrete të terrenit, Martini vuri në kontroll të përditshëm çarjet e shfaqura në objektin e lartpërmendur. Ky studim i rreptë shkencor, intensiv e relativisht i gjatë: llogaritjet e krahasimet e përditshme e të përjavshme, të bëra disa herë me oponencë brenda vetvetes, krijuan bindjen e plotë në konkluzionet e tij, ndonëse ai shprehet me modesti e sinqeritet pas 28 vitesh:

“Debati zhvillohej rreth orës 9.00 të mëngjesit. Sipas llogaritjes së kryer nga ana ime, rrëshqitja do të ndodhte në orën 19.00 të asaj dite. Isha mjaft i tensionuar e kisha vetëm 2 vjet përvojë pune për problemet gjeologo-inxhinierike të Hidrocentralit. Kisha njëfarë ndrojtje të shprehja mendimin tim, aq kontradiktor me të gjithë pjesëmarrësit në atë debat. Ishte hera e parë, që kryhej  një llogaritje e tillë. Me gjithë bindjen shkencore, nuk kisha sigurinë e plotë se do të ndodhte vërtetë rrëshqitja. Në ndërgjegjen time më brente pyetja: po sikur të ndodhte rrëshqitja, do të jetë në gjendje shpirti im të përballojë tragjedinë, që do të shkaktonte ajo?!

E, për të mos e mbajtur atë barrë të rëndë në ndërgjegjen time, u shpreha me vendosmëri e ndrojtje…Sapo u shpreha, zv.Kryeministri urdhëroi të ndërpritej puna menjëherë e të shikonim, nëse do të ndodhte rrëshqitja. Të them të drejtën orët e pritjes për mua ishin orë ankthi, për faktin se në atë debat isha më i riu në moshë e me përvojë më të paktë se ata. Për të mos e zgjatur më, në orën  19.02 dhanë shenjat e para dhe në 19.05 ndodhi rrëshqitja e masivit malor. Rrëshqitën vrullshëm si ortek i zi, qindra metra kub dhe, gur, lisa e materiale të tjera. Te të pranishmit ishte e vështirë të përshkruheshin ato ndjenja të përziera: gëzim, entuziazëm, befasi, keqardhje për dëmin, por edhe krenari. Për mua qe kënaqësi shpirtërore, që mënjanuam një tragjedi; në të njëjtën kohë, ishte edhe një shtytje për të studiuar dhe punuar më me devotshmëri”.

Duke dëgjuar me vëmendje këtë rrëfim, në mendjen time bëja një paralelizëm ndërmjet Martinit e një bredhi, i cili rritet pak e nga pak, pa u ndjerë. E vjen një ditë, që nuk e mposhtin as rrebeshet, as furtunat, por qëndron kryelartë.

Për ngjarjen, shkrimtarja Shpresa Vreto pat shkruar në romanin e saj me titull “Vit i paharruar”. Martini është dekoruar edhe nga Presidiumi i Kuvendit Popullor i asaj kohe. Është vetë zona që me traditën, klimën e terrenin, harmonizon në mënyrë të përkryer madhështinë e natyrës, me botën e pasur shpirtërore të banorëve të saj: njerëz të thjeshtë, arsimdashës e punëtorë të palodhur, me të cilët kemi të drejtë të krenohemi.

Martini është bir i thjeshtë, por i shquar i Nikaj-Mërturit. Gjithë jetën ai e ka lidhur me profesionin e tij të inxhinierit. Ka shëtitur botën, si i thonë fjalës, qysh në kohën e monizmit dhe në vitet e demokracisë. Është domethënës edhe ky fakt: kur gati e kisha përfunduar këtë libër për botim, u takova përsëri me MartinGecajn. Ndër të tjera, ai më tregoi: “Nuk kam vetëm 2-3 ditë, që u ktheva nga një udhëtim në Kinën Jugore. Në këtë shtet-kontinent, kam shkuar edhe herë të tjera, por kësaj radhe udhët ajrore e tokësore ishin më të gjata, prandaj u lodha shumë. Megjithatë jam i kënaqur se i përmbusha qëllimet që i kisha vënë vetes në punën time të lirë”.