I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ka njoftuar se të martën është zhvilluar takimi i parë mes tij dhe ekipit të Brukselit, që është i ngarkuar me këtë proces.

Përveç dialogut, Lajçak ka thënë se përgjatë takimit janë diskutuar edhe çështje tjera të Ballkanit Perëndimor.

“Diskutuam punën tonë në muajt e ardhshëm”, ka thënë Lajçak përmes një postimi në rrjetin social, Twitter.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është pezulluar nga nëntori i vitit 2018, kur autoritetet e Kosovës patën vendosur taksë 100 për qind në mallrat e Serbisë dhe Bosnje-Hercegovinës.

Ndërkohë kjo masë është zëvendësuar me reciprocitet, mirëpo qeveria e re e kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti ka hequr të gjitha masat, për shkak të siç është shprehur ai, heqjes së të gjitha pengesave për vazhdimin e dialogut me Serbinë.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, ka nisur më 2011 në Bruksel.