Protestat kanë shpërthyer në qytete në mbarë botën në solidaritet me demostratat “Black Lives Matter” në Shtetet e Bashkuara. Protestat pasojnë vdekjen e 46 vjeçarit afrikano-amerikan George Floyd ndërsa ishte i ndaluar nga policia në Mineapolist një javë më parë. Sikurse njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Henry Ridgwell nga Londra, shumë protestues jashtë Shteteve të Bashkuara thonë se ata shohin padrejtësi racore në shtetet e tyre.

Në qendër të Londrës, protestat e solidaritetit u tjetërsuan në dhunë të dielën ndërsa polica u përpoq të hapë një kryqëzim pranë parlamentit. Policia bëri 23 arrestime.

“Kemi dalë për të protestuar paqësisht ndaj padrejtësisë në Mbretërinë e Bashkuar. Tani është çështje globale me rastin e George Floyd me gjithçka po ndodh në botë”, thotë një protestues.

Në Sheshin Trafalgar të Londrës, protestuesit brohoritën ‘George Floyd, thuaje emrin e tij’. Vdekja e tij, ndërsa ishte i ndaluar nga policia në Mineapolis javën e shkuar, nxiti demostrata në Londër dhe qytete të tjera në Evropë.

Demostruesit brohoritën ‘Nuk mund të marr frymë’ ndërsa marshuan pranë ambasadës amerikane. Protesta më të vogla shpërthyen në lagjet jugore të Londrës ku banojnë komunitete me pakica etnike.

“Kemi një pandemi botërore dhe njerëz të pafajshëm ende po brutalizohen. Kur ata të ndalojnë, kur polica të ndalojë brutalizimin e njerëzve me ngjyrë, atëherë do të ndalojmë”, thotë organizatorja e protestës Aba.

Protestat në Amerikë rezonojnë me komunitetet pakicë në Britani, thotë avokatja dhe aktivistja Shola Mos-Shogbamimu.

“Brutaliteti policor dhe profilizimi racor egziton në Mbretërinë e Bashkuar prej shumë kohësh. Kjo do të thotë për shumë njerëz me ngjyrë, kryesisht për të rinjtë, që ata janë vënë në shënjestër thjeshtë për shkak të ngjyrës së tyre të lëkurës. Aktualisht kemi më shumë dëshmi përmes filmimeve me telefonët celularë. Media sociale është bërë një platformë komunikimi për të gjitha të dhënat në mbarë botën në kohë reale.”

Sekretari i Jashtëm britanik, Dominic Raab, ofroi reagimin e tij mbi protestat amerikane.

“Duam të shohim uljen e tensioneve dhe një qëndrim të përbashkët amerikan.”

Disa, përfshi shumë ligjvënës britanikë, argumentojnë se demostruesit po rrezikojnë jetët duke mos u përmbajtur rregullave për distancim fizik mes pandemisë së koronavirusit. Avokatja dhe aktivistja Shola Mos-Shogbamimu shprehet.

“Racizmi nuk ndaloi kur koronavirusi goditi planetin.”

Qindra protestues u mblodhën në Berlin gjatë fundjavës. Mbetjet e Murit të Berlinit u mbuluan me mbishkrime rreth vdekjes së George Floyd dhe kërkesave për drejtësi.

Disa mijëra njerëz marshuan në qytetin Aukland të Zelandës së Re të hënën në solidaritet me demostruesit amerikanë.

Ndërsa bota përballet me pandeminë e koronavirusit, dhe miliona njerëz janë të mbyllur brenda, ekonomia vazhdon një spirale të thellë në këto kohë të turbullta. Protestat në Shtetet e Bashkuara mbi brutalitetin e policisë kanë ndezur demostrata të ngjashme mes komuniteteve në mbarë botën.