Këto ditë, posa ta hapësh fejsbukun apo portalet e lajmeve, bombardohesh me informata dhe protesta që kanë të bëjnë me shembjen e teatrit kombëtar në Tiranë dhe me një lloj ‘proteste’ që myslimanët e ri e manifestuan në Sheshin ‘Skënderbe’ Prishtinë.

Unë fatkeqësisht, nuk kam njohuri të mira lidhur me historinë e teatrit kombëtar të Shqipërisë në kuptimin e historisë së tij, në kuptimin e vlerave që i ka krijuar ai dhe në kuptimin e e asaj se si ky objekt arkitektonik është bërë vlerë kombëtare apo shenjë identifikuese për Tiranën e Shqipërinë.

E vetmja gjë që e di, është ajo e jashtmja, e një vizitori të Tiranës që shpesh ka kaluar përballë teatrit kombëtar por që nuk e ka pasur fatin ta shikoj një shfaqje ne skenën e atij teatri. Nëse, në këtë moment, do ta shikoja teatrin kombëtar sikur një vizitor rasti, mund të them se ky objekt nuk dallohej me asnjë veçori arkitektonike specifike me të cilën do ta dalloja apo do ta veçoja si një simbol mbamendësor për Tiranën. Unë, si ‘i huaj’ më shumë e mbaj mend Tiranën për kullën s Sahatit që mezi shihet aty por edhe për xhaminë e vogël në qendër. Gjithsesi Tiranën e kujtoj, padyshim, edhe për monumentin e Skënderbeut. Unë e kuptoj dhe jam i vetëdijshëm se ne nuk kishim fatin e popujve tjerë të cilët trashëguan monumente arkitektonike nga historia e tyre e hershme mijëra e qindra e qindra vjeçare dhe ato monumente i ruajnë dhe i restaurojnë vetëm me qëllimin e ruajtjes se vazhdimësisë së tyre historike dhe kulturore. Ne nuk e kishim këtë fat. Ne, përveç kulturës lindore të sjelljes dhe të jetës, kemi trashëguar nga pushtimi turk qindravjeçar ndonjë xhami, ndonjë urë dhe disa kasaba të baltosura me rrugë që  balte ku derdheshin kanalizimet dhe ujerat e zeza dhe të cilat kundërmonin jashtëqitje njerëzish e shtazësh. Prandaj na mundon e na mbytë shpirtërisht çdo rrënim i cilitdo objekt të mirëfilltë që simbolizon pak civilizim dhe përparim. Po unë nuk jam tiranas. Në Tiranë kamë shkuar tepër vonë për ta përjetuar vlerën shpirtërore të teatrit. Nuk kam qenë aty si nxënës ta shikoj ndonjë shfaqje teatrale a ndonjë film, nuk kam lexuar në skenën e tij poezitë e para kur isha nxënës, apo nuk kam recituar ndonjë poezi në ditë festash, nuk e kam shikuar Hamletin as dramën Toka jonë. Gjithashtu unë nuk kam qenë as aktor që ta luaj shfaqjen  parë në dërrasat e atij teatri, nuk e kam përjetuar duartrokitjen e parë apo nuk e kam shijuar suksesin a dështimin e parë brenda asaj godine. Kjo është pjesa e sentimetit të cilin njerëzit e kanë krijuar dhe të cilën e respektoj pa masë por, ky sentiment nuk mund të bëhet bazë mbi të cilën krijohen tensione politike dhe shfaqje patogjene të urrejtjes në mes njerëzve. Njerëzit do të duhej ta shikonin çështjen e teatrit si një problem artistik dhe historik. Do të duhej dikush ta dëshmonte se si ky objekt është fondamental për historinë dhe artin kombëtar, do të duhej që dikush të fliste dhe të paraqiste argumente dhe këto argumente të bëheshin kauzë për mbrojtjen e tij. Përndryshe, politizimi primitiv që iu bë tërë procesit dhe sidomos ngjarjes së rrënimit të teatrit nuk solli asnjë gjë të mirë përveçse shtëllungave të pluhurit që kapluan Tiranën ditën që u rrënua teatri, gjuhën më të ulët të mundur që u përdor këto kohë dhe armiqësive të pafundme politike dhe ndërnjerëzore të cilat u thelluan edhe më shumë dhe të cilat duket se po bëhen problem kombëtar.

Ndalja e fushatës ‘Unë jam teatri’ duhet të ndodhë. Një fushatë tjetër që objekti i ri të krijojë kushte moderne për zhvillimin e artit skenik duhet të mbizotërojë në mendjet e artistëve dhe të politikanëve shqiptarë. Në ndërkohë një komision shtetëror duhet ta bëjë një listë përfundimtare të objekteve të rëndësisë kombëtare sa më shpejt që të jetë e mundur që mos të na ndodh edhe një herë  ai që do ta quaja ‘fenomeni teatër’.

***

Shtatë vite pas ndërtimit të teatrit kombëtar të Tiranës, në fshatin tim ishte ndërtuar godina e shkollës fillore. Ishte një objekt madhështor për kohën dhe u ndërtua me investime nga shteti dhe me punën vullnetare të fshatarëve. Për shumë vjet ishte shkolla më e mirë dhe më e madhe që ekzistonte në rajonin prej nga vi dhe fshati im, përveç përnga kullat e gurit, identifikohej edhe me objektin e madh të shkollës. Shkollën e ndërtuan gjyshërit tanë që kanë vdekur kaherë. Aty filluan shkollën prindërit tanë që nuk jetojnë më. Filluam shkollimin ne që jemi bërë gjyshër, dhe vazhduan fëmijët tanë që tashmë janë prindër. E veçanta e kësaj shkolle ishte se në hyrjen e saj që përbëhej nga tre harqe ishte shënuar viti i përfundimit të ndërtimit të shkollës e që ishte viti 1948.

Dhe erdhi një moment, kur shkolla u vjetrua shumë, dhe duhej ta ndërtonim një shkollë të re. Derisa unë insistoja që objekti i vjetër të mbetej dhe, në ndonjë rast, pas restaurimit, të përdorej për ndonjë shkollë të mesme ose për nevoja të tjera, objekti megjithatë u rrënua. Rrënuesit nuk e kishin ruajtur, si kujtim, së paku hyrjen e shkollës që përbëhej nga tre harqe dhe mbi të cilat shihej numri i metaltë 1948. Gjithçka nga shkolla, që ishte dikur krenaria e fshatit, ishte zhdukur përgjithmonë dhe me zhdukjen e saj ishin zhdukur kujtimet e dhjetëra brezave të kësaj shkolle. Ndpdhi që gjenrata para meje, Unë dhe bashkëmoshatarët e mi por dhe gjenratat që erdhën me pas, nuk e kemi më shkollën  që e kanë ndërtuar gjyshërit tanë me punë të mundimshme vullnetare. S’është më shkolla ku kanë mësuar prindërit tanë. Nuk e kemi shkollën kur prindërit na morën përdore e na dërguan për herë të parë në shkollë. Fëmijët tanë nuk e kanë shkollën ku i dërguam ne, su paku hyrjen e saj të përbërë prej tre harqesh. Mbytja e kujtesës, harresa është një fenomen kombëtar i shqiptarëve dhe ky fenomen u shfaq edhe me rrënimin e shkollës time. Me rrënimin e shkollës sikur më ka vdekur kujtimi për ditën e parë të shkollës, kujtimi për atë ditë shtatori kur binte shi dhe kur babai im më dërgoi në shkollë. Më ka vdekur kujtimi ku hyra brenda shkollës, ato mure që ishin te lyera me dy ngjyra: e kaltër deri në gjysmë dhe e bardhë mbi gjysmë e tutje dhe ajo vija e hollë e gjelbër që i ndante të dyja ngjyrat e mureve të klasës e të korridorit. Me rrënimin e shkollës, është mbytur edhe kujtimi për abetaren e parë, për shkronjën e parë të shkruar në fletore dhe në dërrasë të zezë. Ka humbur kujtimi për librin e parë që na e solli mësuesi Avdyl dhe të cilin e lexova për dy ditë. Me rrënimin e shkollës humba edhe kujtimet për sherret që i bëja në shkollë kur rebelohesha. Me rrënimin e shkollës të gjitha ato fotografi ku duken dritaret e saj të korridorit të gjatë, duken si të ishin nga një botë tjetër.

Por humbja më e madhe është se nuk kam asnjë fakt që nipit tim t’i tregoj se ku ishte shkolla e gjyshit të tij. Nuk kam asnjë dëshmi se aty, ku sot nuk ka asnjë shenjë shkolle, dikur ishte klasa ime apo ishte banka ime. Nuk kam asnjë dëshmi që, në fund të fundit, t’i them nipit tim se ja kjo shenjë, ky mur, ky numri 1948 a kjo derë dikur ishte shkolla ime dhe këtu kam kaluar tetë vjet të jetës.

Dhe nuk janë shuar e fshirë vetëm kujtimet e mia. Me rrënimin e shkollës tonë, janë shuar kujtimet e të gjithë atyre, të gjallë e të vdekur, që në klasat e asaj shkolle mësuan së pari të shkruajnë, mësuan së pari të lexojnë, e recituan apo e kënduan poezinë a këngën e parë, e mësuan në laborator se si përfitohet oksigjeni apo hidrogjeni, e panë se si dukej skeleti i njeriut dhe si kishte lindur jeta.

Dhe, andej nga vi unë, nuk u rrënua vetëm një shkollë. Në shumë vendbanime u rrënuan shumë shkolla dhe kjo nuk është e gjitha. Ne fshatrat e Pejës, Deçanit, Gjakovës e Istogut, për arsye të ndryshme, qoftë ngaqë ishin djegur në luftë, qoftë ngaqë ishin amortizuar së tepërmi, u rrënuan qindra kulla, bile, për ironi tragjike, me gurët e shumë prej tyre, biznesmenët shqiptarë i ndërtuan muret rrethues përreth patrikanës së Pejës dhe manastirit të Deçanit.

E tërë kjo tendencë e shkatërrimit dhe mos ruajtjes së të vjetrës dhe të objekteve që kanë domethënien e kujtimeve dhe mbamendjes, është shqetësuese sidomos për kultivimin kombëtar e rriten e gjeneratave të reja, nipave dhe mbesave tanë. Me një shpejtësi të jashtëzakonshme po mbesim pa histori të cilat do t’ua rrëfenim të rinjve, në këtë rast pa historinë konkrete e që për dikë është klasa ku i ka mësuar gjyshi apo kulla të cilën e ka ndërtuar stër-stërgjyshi. Shtëpitë e reja dhe shkollat e reja kanë kuptim praktik. E bëjnë mësimin më të lehtë dhe jetën me luksoze por, ato nuk përmbajnë historinë, nuk e përmbajnë mbamenjdjen, kujtimet dhe historinë e zhvillimit të familjes dhe të shoqërisë. Duke e shkatërruar historinë materiale, kulturën materiale e shpirtërore,  duke i mbytur kujtimet tona dhe të gjeneratave, në thjeshtë po i lëmë fëmijët tanë pa një pjesë të rëndësishme të identitetit të tyre shpirtëror, kulturor, material dhe kombëtar. Në një situatë të tillë, është normale që, sidomos të rinjtë e rritur jashtë, nuk kanë dëshirë të kthehen apo nuk kanë dëshirë ta vizitojnë vendin e tyre të origjinës. Aty, përveç shtëpive luksoze që kanë ndërtuar prindërit e tyre, nuk ka asgjë që tua përkujtojë dhe lidhë me të kaluarën, kulturën, origjinën dhe historinë.

***

Para më shumë se njëzet e ca vjetësh, kur doja ta bëja gjenealogjinë e familjes time të gjerë, për të qenë tamam i sigurt, e luta hoxhën e fshatit që të shikojë në shënimet e librat e xhamisë në mënyrë që t’i qartësoja disa dilema që kisha. Përgjigja e hoxhës ishte shokuese për mua. Ai, atëkohë, më tha se nuk kishte mbajtur shënime, bile ma pohoi se në xhami, në asnjë kohë, nuk janë mbajtur shënime apo libra. Ishte vërtetë shokuese për mua që në një objekt kulti, në një xhami e vjetër, e ndërtuar rreth vityit 1670, nuk kishte asnjë shënim të vetëm për ekzistencën dhe historinë e saj dhe të besimtarëve të saj. Në këtë kontekst, më kujtohet shpesh, një kopje e kuranit që stërgjyshi im e kishte blerë në Shkodër rreth vitit 1911. E mbanim si diçka jashtëzakonisht të shenjtë atë libër të shkruar me dorë dhe të mbështjellë me një lëkurë të butë natyrore. E mbaj mend se, nga ndikimi i viteve, këtij libri kishin filluar t’i ‘digjeshin’ faqet saqë te jepte përshtypjen sikur diçka e kishte grimcuar nga të gjitha anët. E mbaj mend këtë ‘hajmali të madhe’, se kështu e quanim, ta ruanim me shumë kujdes bile sa herë që do ta preknim duhej t’i lanim duart. Ky libër i shenjt, që ishte i shkruar me dore dhe arabisht, arriti të mbijetojë deri në vitin 1999 kur u dogj, së bashku me shtëpinë, nga ushtria serbe. Tragjikja nuk është djegia dhe humbja e tij as rëndësia e tij magjike: tragjikja qëndron në një aspekt tepër prapambajtës që ka ushtruar feja islame dhe kleri islam gjatë tërë ekzistencës së islamit në Kosovë dhe kjo mund të manifestohet me mungesën e librave (së paku evidencave të thjeshta) në xhaminë e fshatit tim dhe të të gjitha fshatrave e qyteteve të Kosovës por edhe te kurani i shenjt i familjes time i cili mbijetoi afro njëqind vjet por, edhe pse mbijetoi, nuk u lexua kurrë, edhe për shkak të alfabetit arabisht në të cilin ishte shkruar  por edhe për shkak se ky alfabet dhe as ai latin nuk u bë pjese e punës e predikimeve në xhaminë e fshatit tim dhe në asnjë xhami tjetër ashtu që, qoftë stërgjyshi im, gjyshi apo baba, po edhe unë, të mund ta lexonim.

Në lidhje me këtë, dalim në kohën e tashme, dhe, në mes të Prishtinës, në Sheshin Skënderbeu, një grup të rinjsh myslimanë, bëjnë protestë me anë të një slogani qesharak ‘falu në shesh’. Se cili është qëllimi i protestës dhe se kush e ka organizuar një protestë të tillë, për mua është fare jo relevante. Relevante është tendenca e grupeve të caktuara për ta prekur karakterin laik dhe sukullar të shtetit të ri të Kosovës përndryshe nuk ka si të shpjegohet dalja e një grupi të djemve të cilët me shumë iu ngjanin atletëve të dodybildinguit se sa të besimtarëve të devotshëm myslimanë e të cilët kërkonin që bajrami të falej në shesh për shkak se shteti dhe BIK kishin kërkuar që, sivjet, falja të mos bëhet në xhami.

Protesta ishte më shumë se një manifestim i ‘fuqisë‘ që mundohen ta shprehim grupe të caktuara të islamit politik i cili po mundohet që, duke e përdorur besimin e sinqertë të besimtarëve, naivitetin dhe palexueshmërinë e tyre, mungesën e kujtesës kolektive që do të duhej të ruhej nëpër xhami, të arrijë që të imponohet politikisht në jetën politike dhe shoqërore të Kosovës. Të bësh thirrje që populli të dalë në hapësira publike dhe të demonstrojë përkatësinë fetare duke e falur bajramin në një kohë pandemie dhe të rrezikut për jetë, nuk është asgjë më shumë se një shenjë agresive e prapambeturisë së përgjithshme shoqërore dhe të një situate tepër të ulët vetdijësore dhe kulturore të besimtarëve. Përndryshe për çdo lexues fetar, për çdo lexues të kuranit, është e qartë se falja nuk bëhet për të manifestuar fuqi a masivitet apo për të treguar se sa mysliman më i mire se tjetri je. Sipas kuranit, falja bëhet për obligimin që secili ka ndaj dhe nga Zoti dhe falja nuk ka asnjë karakter tjetër përveç të një obligimi që është individual dhe personal.

Mbajtja e një proteste të tillë fetare në kohë pandemie dhe të rrezikut të përgjithshëm për jetë, është kontrakulturore, politikisht e menduar gabimisht dhe me pasoja që mund ta implikojnë fatin politik të vendit.

Besimtarët islamë duhet të kenë kujdes që mos ta dëmtojnë vendin në kuptimin e imazhit politik të tij në botë, mos ta dëmtojnë vendin në kuptimin e karakterit sukullar të shtetit dhe mos ta dëmtojnë vendin në kuptimin e asaj se islami dhe asnjë fe tjetër tek shqiptarët nuk është besim kombëtar. Duke e ruajtur kombëtarizmin, por duke e ushtruar besimin në zot dhe duke e kultivuar humanizmin, dijen dhe të mirën, islami mund të bëhet e pranuar e e respektuar tek secili nga ne. Duke e manifestuar veten si një lëvizje antikombëtare, antikulturore, dhe antishtetërore (edhe në rastet kur bëhet pa qëllim sikur ishte rasti i ‘protestës’), besimi islam e rrezikon tepër shumë karakterin e shtetit, kombëtarinë,  kulturën kombëtare dhe identitetin tonë kulturor perëndimor.

Shteti nuk do ta lejojë zhbërjen e vetvetes! Liria fetare i ka kufijtë vetëm deri te karakteri sekular i shtetit dhe deri te identiteti kombëtar i popullit të tij! Këtë duhet ta dinë të gjithë, myslimanet, katolikët dhe ortodoksët. Shqiptarët, pra.

Me mbetjen e tyre në duar të oligarkëve shtetërorë, politikë, medialë, ekonomikë dhe fetarë, shqiptarët janë para një rënieje kulturore e cila duhet të ndalet. Dhe këndellja nuk bëhet as duke e rrëzuar një teatër, as duke e shkatërruar një shkollë as duke u falur në një shesh.

Këndellja kulturore bëhet kur të veprojmë të gjithë si një sekt, me gjerat që na bashkojnë e me ndryshimet që kemi, që e ka për qëllim punën, dijen, përparimin, shtetin.

Shembull i kemi gjermanët me të cilët dallojmë vetëm me dembelinë dhe prapambetjen tonë që e kemi shndërruar në traditë dhe në imazh.