Vendet e tjera të BE pritet të marrin vendimin më herët
Spanja, një prej destinacioneve më të famshme për sezonin veror, pritet të hapë kufijtë për turistët e huaj në Korrik. Ministrja e Turizmit, Teresa Ribera, shprehet në një intervistë për Financial Times se prej Korrikut do të lejohet hyrja e gjithë turistëve të huaj, duke nënkuptuar këtu edhe ata nga jashtë hapësirës Schengen. Ministrja shprehet se pas liberalizimit të lëvizjes mes rajoneve brenda Spanjës, nuk ka kuptim që kufijtë e jashtëm të mbahen të mbyllur.
Për turistët e huaj pritet të aplikohen të njëjtat masa mbrojtëse, si për personat që lëvizin brenda vendit, siç është kontrolli i temperaturës në aeroporte, porte e pika kufitare. Megjithatë gjithçka varet nga ecuria e shifrave të koronavirusit.
Spanja renditet ndër vendet e fundit në Bashkimit Europian, për sa i përket ritmeve të lehtësimit të masave bllokuese për frenimin e përhapjes së Covid-19. Pandemia pati një përhapje tepër agresive, duke e renditur përreth një muaj këtë vend të dytin në botë pas Shteteve të Bashkuara për nga numri i të prekurve.
Turizmi është një ndër sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë dhe zë 12% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Komisioni Europian ka parashikuar që për shtetasit e vendeve jashtë unionit, si Shqipëria, kufijtë të qëndrojnë të mbyllur deri më 15 Qershor.
Nëse ky afat do të shtyhet, këtë e vendosin në mënyrë unanime vendet anëtare në një mbledhje të posaçme. Por Gjermania, Italia, Greqia, Austria, etj, thonë se nuk do të kërkojnë shtyrje të afatit të mbylljes së kufijve. Ndërsa vende si Franca janë ende skeptike për hapjen e tyre.