Një studim i ri i Deutsche Bank analizoi pasojat që do të sjellë kriza e koronavirusit në botën e futbollit. Sipas kësaj analize, për shkak të COVID-19, klubet mund të regjistrojnë një ulje të të ardhurave deri në 48%.

Studimi përqendrohet te 20 klubet më të mëdha në nivel europian sa u përket të ardhurave, duke u mbështetur te klasifikimi i Football Money League të Deloitte. Sipas Deutsche Bank, është e rëndësishme të japësh përgjigje pasi “jo të gjitha klubet kanë aksionerë me burime të mëdha financiare dhe ka gjasa të shohim një pabarazi në rritje midis shoqërive të mëdha dhe të vogla”.

Analistët vlerësojnë se në sezonin 2019/20 do të ketë një ulje që varion mes 10 – 30% në lidhje me të drejtat televizive; e njëjta vlerë edhe për reklamat (10-30%), ndërsa sa i përket shitjes së biletave, ato lidhen me ndeshjeve të mbetura dhe të ardhurat e munguara prej tyre.

Më në detaje, për sezonin 2019-2020 vlerësohet se do të ketë një rënie mes 13% dhe 30% të të ardhurave krahasuar me 9,283 miliardë të regjistruara në sezonin 2018 /2019 nga 20 klubet më të mëdha. Ndikimi negativ do të ishte mes 1,2 dhe 2,7 miliardë eurove.

Në lidhje me sezonin 2020 / 2021, analistët e vlerësojnë dëmin duke marrë për bazë dy skenarë. Skenari më i mirë parashikon një rihapje me një numër të ulët të tifozëve në stadiume; nuk do të ketë asnjë ndryshim në të drejtat televizive krahasuar me kontratat aktuale; rënie të shitjes së biletave 10 – 30% për shkak të tifozëve më të paktë në stadium, si dhe një reduktim të të ardhurave komerciale 5 – 20%.

Kështu humbja do të varionte mes 4 dhe 13% krahasuar me të ardhurat e sezonit 2018 / 19 ose e thënë në shifra, mes 330 milionë deri në 1,19 miliardë euro.

Në skenarin më të keq, sezoni do të luhet me dyer të mbyllura; të drejtat televizive do të rinegociohen dhe do të jenë deri në 20% më të ulëta; do të ketë humbje totale të të ardhurave që vijnë nga stadiumi dhe 30 – 60% të ardhura komerciale më pak.

Në thelb, duke marrë për bazë hipotezën e rihapjes së stadiumeve ndaj publikut, 20 klubet e mëdha do të përballen me humbjen e një së dhjetës së të ardhurave dhe me vështirësi për rregullime financiare. Në këtë skenar, humbja do të varionte me 27 – 48%, ose në shifra nga 2,5 deri në 4,4 miliardë euro.
Në skenarin më të keq, klubet më të mëdha të futbollit në Europë do të humbnin më shumë se 7 miliardë euro në dy sezonet e ardhshme.

Barcelona për shembull mund të humbte deri në 260 milionë euro në sezonin 2019/20 dhe 450 milionë euro në sezonin 2020/21, në skenarin më të keq. Për Real Madridin, humbjet do të ishin deri në 230 milionë euro në sezonin 2019/20 dhe 400 milionë euro më pak në sezonin 2020/21. Ndërsa Manchester United do të humbte 215 milionë në sezonin 2019/20 dhe 360 milionë euro në sezonin 2021/21.

Burimi: Calcio e Finanza