Organizata e Kombeve të Bashkuara po shton thirrje e saj globale për fonde, duke kërkuar afër 7 miliardë dollarë për të shmangur pasojat shkatërruese nga pandemia e koronavirusit. Shefi i OKB-së për ndihmat emergjente tha për Zërin e Amerikës se plani i ri për të luftuar koronavirusin ka si synim të ndihmojë nëntë vende të tjera: Beninin, Xhibutin, Liberinë, Mozambikun, Pakistanin, Filipinet, Sierra Leonen, Togov dhe Zimbabvenë.

Një miliard dollarë janë mbledhur që nga Marsi, dhe Kombet e Bashkuara po kërkojnë më shumë për të ndihmuar vendet më të varfra që po luftojnë me koronavirusin.

“Ne kemi patur një fillim të mirë, tani duhet të vazhdojmë përpjekjet tona”, tha Antonio Guterres, Sekretar i Përgjithshëm i OKB-së.

Plani i OKB-së ka si përparësi rreth 50 vende në Afrikë dhe Lindjen e Mesme, por edhe vendet si Venezuela, Haiti dhe Bangladeshi ku ka një numër të madh refugjatësh, tha për Zërin e Amerikës, shefi i OKB-së për ndihmat, Mark Lowcock.

“Ajo që i bën ato vende të pambrojtura është së pari, sistemi shëndetësor jashtëzakonisht i dobët. Pra, aftësia e tyre për të përballuar një virus vdekjeprurës si koronavirusi është shumë e dobët. Dhe së dyti, popullsia e tyre, në shumë raste miliona njerëz, janë në prag të mbijetesës”.

Udhëheqësit e tjerë të ndihmave urgjente paralajmërojnë se veprimi dhe paratë janë të nevojshme tani nga vendet e pasura dhe individë të pasur.

“Ne tani po përballemi me një pandemi të dyfishtë, me urinë që mund të ketë ndikim të përmasave biblike.”

David Beasley, Drejtor i Programit Botëror të Ushqimit ndodhet në Uashington për takime me Sekretarin e Shtetit Mike Pompeo dhe udhëheqësit e kongresit.

Ai dhe koordinatori i OKB-së për ndihmat urgjente besojnë se taksapaguesit në Shtetet e Bashkuara, Gjermani dhe vendet e tjera me më shumë mjete do të përballojnë sfidën.