Kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, tha të enjten mbrëma se ishte frikësuar për jetën e tij, pas debateve që ishin ngritur rreth kërkesës së tij për t’u kthyer nga Zvicra në Kosovë.
Ai i bëri këto komente në aeroportin e Prishtinës ku të hënën arriti nga Tirana ku kishte qëndruar dy ditë me radhë.
Të martën ai u përfshi në polemika me qeverinë e Kosovës por edhe përfaqësues ndërkombëtarë rreth kthimit të tij dhe kritikoi qeverinë e Kosovës se po e pengon të kthehet në Prishtinë dhe kësisoj po “pengon veprimtarinë e parlamentit me çdo mjet”.
Ministria e Shëndetësisë, kërkoi që zoti Pacolli të futet në karantinë 14 ditëshe sikurse të gjithë qytetarët tjerë të Kosovës që kthehen në shtëpi gjatë pandemisë.
Pas kësaj zoti Pacolli fluturoi nga Zvicra për në Tiranë të martën, ndërsa të enjten fluturoi nga Tirana për në Prishtinë.
“Unë kam qenë dy muaj i vetizoluar me familjen time. Ditën kur kam dashur të vijë në Kosovë, unë e kam kryer testin dhe testin ka rezultuar negativ. Unë jam nisur të vijë në Kosovë, leja ime njëherë është anuluar, është kushtëzuar leja e dytë me implikime tjera se në dhënien e lejes duhet të jenë të involvuar disa ministri që unë i konsideroj vitale të Kosovës dhe t’ju them të drejtën, unë fluturoj me një fluturake ku nuk kam asnjë forcë dhe unë herën e parë jam frikësu prej institucioneve të shtetit tim që mund të kryejnë një akt terrorist në aeroplanin tim dhe kam deviju dhe kam ateru në Shqipëri. Është hera e parë që unë frikësohem prej një shteti”, tha ai pak pasi arriti në Prishtinë.
Kërkesa e tij për t’u kthyer në Prishtinë ndodhi në periudhën e negociatave për formimin e qeverisë së re të Kosovës pas rrëzimit të qeverisë së kryeministrit Albin Kurti më 25 mars.
Lidhja Demokratike e Kosovës që është bartëse e procesit të formimit të qeverisë tha se pjesë e saj do të jetë edhe Aleanca Kosova e Re e zotit Pacolli.
“Unë di aq sa ndoshta ju dini edhe më tepër çka po ndodh politikisht. Unë jam i gatshëm tani të rishiqoj disa gjëra, tani mua ditëve të fundit këto ndodhi, këto presione, këto kushtëzime që më janë bërë ditëve të fundit, kanë ndikuar edhe në ndoshta në edukimin tim mëtutjeshëm politik”, tha zoti Pacolli, i cili në orët e mrbëmjës shkoi në shtëpinë e tij në periferi të Prishtinës.