Atë vit në fshatin tonë lindën shumë fëmijë. Merushana e Shehajve ku pa pa shpatullën e një pule, thirri: ” Luftë! Luftë!”.“-Po. Po. Ja tek e keni.…Në qafën time, po nuk plasi lufta !”
Lajmi i luftës hyri shtëpi më shtëpi gjithë frikë dhe alarm, ndonëse askush nuk e dinte se çfarë do të humbiste nga një luftë e mundshme. Një nuse në Dervishaj lindi një fëmijë monstër. Kur shkuan për ta parë, gratë e mëhallës pështynë mbi, të tmerruara. Ptu! Ptu! Doçka e fëmijës ishte zhubra-zhubra, si dora e një plaku, me damarë të fortë dhe të kërcyer. Lajmi mori dhenë: “ E reja e Dervishajve kishte lindur një djalë monstër”. Një plakë nga Shkurtajt, që ishin në hasmëri me Dervishaj, kishte thënë: “Ka lindur birin e shejtanit”. Një kushërira e saj nga fisi i Memajve kishte thënë: “Ka lindur një dragua”…Plakat e mëhallës nisën të pëshpëritnin shehadete dhe të fala. Ditën e tretë e mbuluan me batanije dhe i hipën përsipër, por u tmerruan edhe më shumë kur ndien forcën e tij… “Pjella e shejtanit”, – thanë kur u munduan ta mbytnin dhe nuk e mbytën dot. Pas ca ditësh e mbytën me kocifoz. Nusja e re e Dervishajve vuri kokën në jastëk dhe qau e qau , tri ditë e tri net.
« Një gjë është e vërtetë, – tha hallë Memeja. – dita e kiametit është afër. Mos flini o njerëz, se ajo ditë mund të na gjejë edhe në gjumë! Mjerë ata që i gjen në gjumë ose afër detit…”.
Pëshpëritej edhe një tjetër lajm i llahtarshëm: që Mirua, kur paskej qenë nuse në Çokaj, i shoqi nuk i paskej vdekur nga zemra, por ajo ia kishte shtrënguar “ato…” aq fort, sa ia kishte plasur në dorë…Tmerr i vërtetë!
Një pulë në Komemaj kishte çjerrë zërin si gjel. “Për kokën e Bashkimit! – bënte be e rrufe Sherifeja. -E dëgjova me veshët e mi. Ja, kështu, bëri si kokosh”, – këmbëngulte ajo duke zgjatur qafën e hollë së bashku me zërin e duke imituar pulën e saj , me sy gjysmë të mbyllur, drejtuar nga qielli.
-Shenjë safi…, – miratoi xhaxhai.- Kështu thuhet dhe në Kuran…”Kur të vijë ajo ditë, o njerëz, të mbani veshët pipëz e të dëgjoni, se është një pulë e zezë që do të japë shenjën e para. Do të hipë në një sorua dhe do të bëjë si gjel….Në mos ua zëntë veshi këtë zë, ka dhe ca shenja të tjera me të cilat Allahu i madh do na lajmërojë të bëhemi gati. Në fillim do të zihet dielli. Tri ditë e tri net errësirë. Dielli nuk do të lindë më nga lindja, por nga perëndimi…Por para kësaj do të ketë ca shenja të tjera… Njerëzit do të egërsohen shumë me njëri-tjetrin dhe pa asnjë arsye…Djali do të vrasë babanë, vëllai do të kërkojë të mbysë vëllanë…”
Po t’u besoje shenjave të Kiametit, nga të gjitha sa thuheshin, kjo e fundit paskej ardhur. Në Mirtaj e reja kishte dashur t’i hidhte vjehrrës vaj të nxehtë në vesh, por në çastin e fundit e paskej pikasur i shoqi, Nuriu, dhe e kishte goditur me tigan kokës. Edhe në mëhallën e Çoke, dy vëllezërit e Matajve, ndonëse i kishin shtëpitë nën një kulm, nuk flisnin prej kohësh.
S’kishin asgjë për të ndarë, as vija uji, as kopshte, as livadhe, kishin qëlluar të dy nevrikë të xhindosur, një mizë po t’u fluturonte para syve do ta qëllonin me kobure. Grindja kishte nisur për një sheleg që ishte futur në kopsht të Xhafos dhe ai e kishte therur. Xhafua e gjeti Jashon në odanë e shtëpisë sonë, ia veshi me një pëllëmbë, por koka i goditi në një gozhdë dhe vu gjaku. E gërvishti lehtë afër tëmthit, por gjaku rrodhi sikur të ishin therur me thika. Që prej asaj dite oborri i tyre u nda më dysh, me çfarë t’u ndodhej. Priste driza e i hidhte mbi mur njëri… më lart i ngrinte tjetri. Sa më në lartësi e ngrinte pirgun e druve Jashua, aq më kapricioz bëhej Xhafoja për të mos ia parë kurrë bojën vëllait të tij të madh. Ne të vegjëlve e gjitha kjo na dukej si një lojë. Në një mëhallë poshtë nesh jetonte një plakë e lashtë nga fisi i Kokdhime, ecte çalë-çalë dhe ishte sybardhë. Haso e quanin. Thoshin që hante fëmijë me sy, “Ptu! Ptu”-fliste me vete sa herë shihte fëmijë. Ne kishim marrë udhëzime , sa ta shihnim t’ia mbathnim vrapit.
Atë vit pllakosi një zi e madhe. Sheqer dhe vajguri s’ gjendej gjëkundi, as kripë, ndonëse deti në vijë ajrore s’ ishte as 5 kilometra. Karvani i gjatë i grave nisej herët në mëngjes për të mbushur ujë deti në kacekë dhish dhe kthehej pasdite vonë. Ujin e kripur e thanin në diell. Prisnin me ditë të tëra gjersa të mbetej kripa poshtë. Kripa për bagëtinë…Kripa për jetën. Xha Zyflua që kishte qenë në Gjirokastër për të vizituar të shoqen që nuk lindte fëmijë, sa u kthye në fshat dha alarmin : “Batërdia!…Batërdia! Në Gjirokastër bien gjylet si shi. Në Varosh ra një gjyle aq e madhe sa i theu të gjitha xhamat e qytetit ”.
-Po afron fundi i botës,- tha xhaxha Hoxha, duke murmuritur me vete “Ajeti Qyrsinë”. “ Një mijë do të bëhen…dy mijë nuk do të arrijnë… Ne na ra shorti të shohim mynxyrën e madhe”.

* * *
Ato ditë mbi fshat fluturuan dy aeroplanë të huaj. Ne lamë lodrat dhe i ndoqëm me kureshtje gjersa na humbën nga sytë…Sa bukur fluturonin! U shkëlqenin krahët prej duralumini. E gjitha kjo nuk zgjati as dy minuta. Hallë Memeja erdhi në mbrëmje të flinte nga ne. Nëna theri pulën e zezë. I ishte mbushur mendja se edhe pula jonë e zezë një mëngjes kishte bërë si kokosh.
-”Hipi në sorua, -tha nëna, – dhe e çori zërin si të kokoshit… Iu duk se nuk e bëri mirë dhe donte ta përsëriste, por ndërkohe unë e kapa për fyti: “Naa… ! ngrënç kokën tënde!…”. Këtë ndodhi nëna ia tregonte kujtdo që na vinte në shtëpi.
Pranë vatrës, nën dritën e mekur të kandilit, ne dëgjonim biseda të frikshme. Atë darkë hëngrëm mishin e pulës së zezë duke e kujtuar me nostalgji. Pas pak halla nxori shpatullën. E ngriti në lartësi, përballë dritës së kandilit: Picërroi sytë si një fallxhore plakë:
-Për allah, luftë! Ja ku është…Kjo shenja këtu”…Kjo vraga si e gjakut është shenjë lufte?
”Tymi t’i dalë! -tha nëna. – Se na ka vajtur shpirti te buza…!”
Ndërkohë u dëgjuan disa gjëmime. Të gjithë ngrimë. “Plasi! – thirri hallë Memeja.- Dëgjoni?…Plasi!”
Nëna doli në dritare. Nuk vonoi dhe gjëmimin e parë e pasuan dy gjëmime të tjera. Qentë e fshatit nisën të lehnin si në kor, ca si tenorë e ca si baritonë. Kishte dhe ndonjë qen bas, që lehte herë pas here. Angullima e qenit të Jashos s’kishte të pushuar, por edhe “kuqja” e Mehmete nuk mbetej pas.
-Ç’bëni akoma aty, more ! – thirri Jashua, për ta dëgjuar nëna. Mblidhni plaçkat se do të nisemi…”
-Ku?- e pyeti nëna.
–Në shpella, në Korita.
Zëri i Jashos, i qetë dhe autoritar, dëgjohej qartë në qetësinë e natës.
“Viu-Viu! u dëgjua një fishkëllimë gjyleje e cila u pasua nga një gjëmim i fuqishëm. Mu duk sikur u ça toka në dysh. Nuk e kuptoja përse e prita me aq kënaqësi luftën?…Mbase, ngaqë jeta në fshat më dukej monotone dhe paslufta do të sillte diçka të re. Një krismë edhe më e fuqishme se dy gjylet e para bëri të na shungullonin veshët dhe të shihnim me habi njëri-tjetrin.
-La illah e il allah! – nisi të falej halla, duke e përsëritur këtë shprehje arabe disa herë me zë të lartë.
-Leri kul have allahet,- i tha nëna.
Mblodhi dy batanije, të vetmet që kishim, i lidhi në litar e me një batanije prej leshi mbështolli motrën e vogël, e cila qante gjatë gjithë kohës.
-Ti do të ecësh vetë, – m’u drejtua mua duke më tërhequr për dore, – Je bërë i madh tani…
Halla doli dhe u kthye sërish. Kishte harruar llullën dhe qesen e duhanit.
Para nesh ishin nisur Haderajt dhe Gjonajt. Zëra, të qara fëmijësh dëgjoheshin në errësirë. Qentë e fshatit, të alarmuar nga bastisja e beftë, ishin ndërsyer në zinxhirë e s’i mbante vendi. Nuk kuptonin ç’po ndodhte. Përse nuk i merrnim me vete? Përse i linim të lidhur në zinxhirë, ndërsa ne vetë iknim të alarmuar? Unë ecja pas fustanit të nënës. Në dorë mbaja një fener të pandezur.
-Mos m’u lësho!- thërriste herë pas here nëna.
Na porositën të mos i ndiznim fenerët, nga frika e ndonjë bombardimi ajror. Kur u ngjitëm në qafë vura re që nuk ishim ne të fundit. Nga këmbimet e bisedave, nga nervozizmi i të rriturve dhe të qarat e fëmijëve merrej vesh se dhe ata kishin dalë nga shtëpia në rrëmujë e sipër.
Të gjithë kishim një qëllim: të mbërrinim sa më parë në shpellë, te vendstrehimi i moçëm i stërgjyshërve tanë, te streha jonë primitive.
“ Zhgrap! Zhgrup! Zhgrap! Zhgrup…!”
Këmbët i hidhja kuturu, i orientuar pas zërave. Ecja nëpër një zhavorr i cili më dukej sikur më rrëshqiste nën këmbë. Ndërkohë ktheja kokën të shihja sa lart ishim ngjitur.
Fshati dukej poshtë. Nuk di pse nuk po ndieja asgjë për atë bastisje të beftë të shtëpisë. Në një çast u tregova edhe i pamëshirshëm, sikur t’i binte një gjyle dhe ta rrafshonte krejt. Aq shumë të më ishte mërzitur ajo karakatinë e vjetër, me dhomat e saj, me hajatet pa dritë, me trarët gjithë blozë, me grindjet dhe mallkimet e përditshme… Çdo gjë e mbetur atje poshtë duhej të terratisej, binte erë vjetërsi dhe lagështi. Mure të vjetra, trarë e orendi druri, postiqe e sëndukë nusërie të kushedi se çfarë kohe, velenxa leshi të rrjepura, kunguj uji, kremastarë, pirosti të nxira nga tymi, hambarë të brejtur nga krimbat…
Të gjithave, të gjithave le t’u binte një bombë e t’ i bënte shkrumb e hi. Të shpëtonim prej tyre njëherë e përgjithmonë… Le të niste një kohë e re, të fillonte çdo gjë nga e para, me shtëpi të reja e me njerëz të rinj që t’u qeshnin fytyrat, me njerëz që të këndonin e të na thoshin ndonjëherë ndonjë fjalë të mirë…

* * *
Shpella ku ne u strehuam atë natë ishte një guvë natyrale, njëzet këmbë njeriu e gjatë dhe e lartë një bojë njeriu.
Gërryerjet e vazhdueshme të ujërave kishin hedhur herë pas here zhavorr dhe kërcunj të tharë, të kalbur në mote, që çobanët e përdornin si shtrojë. Të parët në Korita mbërritën ata të lagjes së Ixorit. Mirtaj, Elezaj, Godaj dhe Roshaj kishin zënë vend më në thellësi të shpellës dhe kishin ndezur një fener nën dritën e të cilit njerëzit projektoheshin si qenie të stërmëdha e të përçudshme. Kur mbërritëm ne, shpella ziente nga zërat. Të qara fëmijësh, të trembur nga bombardimet, gra që u bënin vend fëmijëve për t’i vënë përsëri në gjumë. Çdo gjë bëhej në gjysmë terr, nxitimthi e si në një ëndërr të keqe. Pas krahëve të mi dëgjova kollën molisëse të Xhafos që po përpiqej të gjente një vend ku të shtronte batanijen e tij të vjetër. Për pak sa nuk e shtroi ngjitur me Jashon, e pikasi në çast me bisht të syrit, dhe shkoi e zuri vend më në thellësi, ku nuk e zinte as era. Si u shtri paq, ndjeu këmbën e dikujt… ktheu kokën dhe njohu Bedo Zhapën, kunatin e së shoqes, vëllanë e Jonuzit, i cili kishte vdekur në gjumë.
-“Djall o punë!…-tha. – Kush ua ka ngenë e mërive?”- dhe nuk lëvizi nga vendi.
Nëna me hallën hoqën dengun e madh që e kishin lënë në hyrje të shpellës, për të hapur pak vend. E ngucur keq midis dy nuseve të Mirtajve, hallë Memeja nuk lëvizte dot. Motra e vogël qau e qau derisa e zuri gjumi. Nëna qëndroi në këmbë për një kohë të gjatë, pa gjetur dot vend ku të ulej .” – Nuse!- eja këtu, e thirri një zë gruaje.
Ishte Dili Hadushja. Fare pranë saj halla ndjeu zërin e trashë të Godos, trupgjatë e i bëshëm. Jetonte në male me dhëntë. Rrallëherë zbriste në fshat. Dikur, në rininë e vet, e kishte kërkuar hallën për nuse, por ia kishin refuzuar me arsyen se ishte “ njeri i leshtë”. Në fillim desh u vranë, pastaj u harrua gjithçka, por që nga ajo ditë nuk flisnin me njëri-tjetrin.
(Këtë gjë ma ka treguar nëna më vonë.)
-“Dreq o punë,-tha ajo.-Si nuk e pashë kur u ula…”
Hallës i kishte vdekur i shoqi . Me vdekjen e tij u shua dhe njëra degë e Gëdajve. Halla vinte dhe i kalonte netët në shtëpinë tonë, sidomos pas ikjes së babait.
Një fëmijë i Godaj flinte pranë meje. Kishte mbuluar kokën me velenxë. Fshatarë të tjerë që hynin në shpellë pyesnin për njerëzit e tyre.
”Lëvizni pak bythën…të ulemi dhe ne”, – thirri një grua e veshur me çitjane të zeza.
Këmba e saj çalë-çalë rrëshqiti sipër meje…, pa ditur ku të ngulej. Më ngriu gjaku. Ishte Hasua, plaka me sybardhë e që hante fëmijët me sy.
Ne trembeshim prej saj edhe kur e pikasnim së largu.
“Haaasua!” – thërriste ai që e shihte i pari…Të tjerët nuk shihnin ku i hidhnim këmbët.
-Ptu! Ptu! -dëgjohej zëri i saj, si për të na ruajtur.-Plastë syri i keq!
Po ku i besonim ne “ptu-ve” të saj ? Kur sëmurej dikush e shuanin thëngjijtë për të plasur syri i keq, vetëm thëngjijtë e Hasos plasnin sa binin në ujë. “Ja, shiko. Hasua u ka ngrënë edhe kësaj here…Sa herë u kemi thënë, mos t’i dilni para?
Një herë kishte parë një mushkë të kuqe. “ Sa e bukur qenka,- tha, pa e ditur që ishte mushka e dajës së saj.. Në çast mushka u gremis e ra në greminë. Njëherë kishte parë një kumbull të mbushur me lule. Sa kishte thënë “Ç’qenka kjo kumbull kështu, o zot… !?”, kumbulla u tha që në rrënjë. Djalin e Vahitit e treti si qiri. E bëri me “ilet”,- kështu i thoshin sëmundjes së tokës.
I hodha një shikim të frikur; flokët e saj të thinjur dhe të pakrehur, nën dritën e zbehtë të fenerit dukeshin sikur lëshonin tym të bardhë.
Sakaq dy fishkëllima gjylesh nisën të çanin qiellin e natës dhe shkuan e ranë matanë Borshit. Nga ajo shpellë ku ishim strehuar ne mund të përcaktonim me saktësi nga vinin dhe ku shkonin e binin gjylet italiane.
Në përgjigje të gjyleve greke, artileria italiane i nisi dhjetë gjyle njëherësh; grekët ia kthyen karshillëkun në çast, me pesë gjyle më shumë. Edhe pse kisha dy muaj që kisha hyrë në klasë të parë, unë dija të numëroja gjer në njëqind.
Nisa të numëroj gjylet sipas gjëmimeve që binin, aty ku binin me tërsëllimë. Aq shumë gjyle shëtisnin nëpër qiell sa më vinte çudi si nuk përplaseshin në ajër me njëra-tjetrën. Sa herë që ndonjë gjyle binte në afërsi: “Plasjaaa!”, mallkonte halla e mbledhur kruspull në bisht, si një xhinde plakë, me llullë në buzë.
Gjylja që ra në afërsi të fshatit, erdhi nga deti edhe pse grekët i mbanin për topçinj të zotë. Një gjyle italiane në vend që të binte në Borsh të vjetër, ra në fshatin tonë. Duhej ta kishte nisur ndonjë topçi i ri, i pastërvitur mirë.
Nuk morëm vesh në ishin bërë dëme, pasi me mëhallën e bregut ne i kishim prerë lidhjet. Ata ishin strehuar në Shpellën e Bufit dhe atë të Soroit, ne në shpellën e Koritës.

* * *
Kur hapa sytë ishte zbardhur plotësisht. Për një çast nuk kuptova dot përse ndodheshim në shpellë? Të tjerët ishin zgjuar prej kohësh dhe kishin ndezur një zjarr të madh në hyrje të saj. Një kusi e madhe me qumësht, e nxirë nga poshtë e gjithë blozë, lëpihej nga flakët e zjarrit. Dola dhe unë në hyrje të shpellës për të parë fshatin. Maja e malit të Çikës shndrinte nga dielli në shpërthim. Shtëpitë tona dukeshin si kërpudha të vogla ose si buburreca me pika të kuqe.
-Ujë! Dua ujë!- çirrej një fëmijë në hyrje të shpellës.
Dikush solli një kungull uji me dy barqe.
-Kur të mbaroni punë silleni dhe këtej…
“Një…dy …tre..dhjetë, nisa të numëroj shtëpitë e fshatit. Fshati ynë kishte gjithsej 92 shtëpi. 10 familje duhet të ishin strehuar në këtë shpellë.
-Silleni këtej atë kungullin!
-Mbaroi. S’ka më. Ai që foli e ktheu dhe grykën e kungullit kokëposhtë.
-Gëzim!-urdhëroi ai të birin. – Merr kungullin dhe shko mbushe te currili. E di vendin?
-E di,e di, -tha djali që quhej Gëzim, i gatshëm për të dalë nga shpella.
-Kush ka fëmijë në gji? -ngriti zërin xhare Merjua duke mbajtur në dorë bardhakun me qumësht.
Fëmijë në gji kishte nëna, po nuk u përgjigj. Xhafua rrinte i heshtur në një cep të shpellës, i mbuluar me një batanije të vjetër ushtarake. Dikush i hodhi pranë këmbëve qesen e duhanit…Ktheu kokën dhe pa Jashon. I çahej hunda për një duhan, por.. fillimisht nuk e zgjati dorën. Të merrte duhan nga ai i të vëllait të madh. Bardhaku me qumësht i Dilisë, duke kaluar dorë më dorë si një kec i bardhë, mbërriti gjer te ne. Dilia ishte nusja e djalit të xhaxhait të saj, e martuar dhe e ndarë për ca fjalë që i kishin dalë.
“T’ia marr, apo jo?- ngurroi nëna një çast.
Nuk kishte asgjë më të këndshme sesa të shijoje atë mëngjes me aq shumë njerëz dhe në atë lartësi, nga ku mund të kundroje gjithë kurorën e maleve të Labërisë, nga veriu dhe detin, nga jugperëndimi. Dy orë më vonë nisën bombardimet. Ne që luanim të shpenguar jashtë shpellës, sa dëgjuam fishkëllimën e gjyles së parë vrapuam drejt shpellës.
-Bini moj të uruara, bini! –tha më zë të lartë Jashua.
Burri i tezes, Shezaiu, me Fetahun, kishin zënë vend në hyrje të shpellës.
-Grekët s’kanë faj, italianët sulmuan të parët.
-Po ne? Ç’faj kemi ne?-ia kthente Fetahu me zë të lartë.
Ndërkohë një aeroplan nxori kokën mbi malin e Çorre. I shkëlqenin krahët e bardhë. Sa i madh ishte…! Si qëndronte ashtu në ajër me gjithë atë peshë!? Në çastin që unë e soditja me kureshtje, ia dha batareja nga malet. “Viu…Viu!…Viu…!”
Aeroplani i bardhë bëri një rrotullim të vogël dhe nisi të nxjerrë tym nga bishti ? Në rënie lëshoi dy tullumbace, të cilat era i shtyu në drejtim të fshatit tonë. Një çift kaçatorësh nxorën kokën , u duk sikur u penduan dhe u kthyen nga ishin nisur.
Dhe artileria greke, që s’gabonte kurrë, në vend që të merrej me kaçatorët, nuk e di pse e hodhi gjylen mbi fshatin tonë.
-Ra mbi shtëpinë time, – thirri Shezaiu i tmerruar. -Imja, për nder…! Tentoi të merrte mauzerin, por nuk e lanë: ”Do t’u bëj t’ ëmën! Për nder do t’u bëj t’ëmën!” –thirri përsëri ai, por kësaj here pa ndonjë dëshirë të madhe për t’u shkëputur nga duart e atyre që gjoja e mbanin. I bindur që shtëpia e tij ishte në flakë, nisi të qante me dënesë, mbyturazi, si fëmijë, ndonëse kishte ende një shpresë, mos ndoshta nuk kishte rënë pikërisht mbi çatinë e shtëpisë së tij. Inshallah të ketë rënë mbi shtëpinë e …
-Mirë e bënë, – tha pas pak i qetësuar.- Gërmadhë ishte…që e kohës së Nuhut.
-Na marrtë të keqen, – tha tezja.- Kur të mbarojë lufta do ta bëjmë të re.
Atë çast pashë këmbën e çalë të Hasos, të ngrihej lart, duke kapërcyer mbi të tjerët, për të parë mos ishte shtëpia e saj ajo që kishte marrë flakë.“-Hë pra, të erdhi rasti… përdore magjinë mbi ata, jo mbi mushka e kumbulla”. Njërën dorë e mbante mbi shkopin e drunjtë, tjetrën e mbante si strehë mbi sy. Për herë të parë e pashë pa frikë këtë plakë të tharë e të rrëgjuar, kockë e lëkurë e plot zhubra në fytyrë, duke picërruar sytë kuturu. E vërejta me kujdes. Nuk shihte nga sytë. Në vend të syve kishte dy zgavra të thara e pa rreze jete. Pra, qenkej e vërtetë ajo sa thoshin:
“Ajo s’ka sy për të parë ku hedh këmbën, jo më për të ngrënë me sy.. .”

* * *
Dita kaloi në pasiguri dhe në pritje. Gjatë mbrëmjes gratë u kujdesën për fëmijët dhe dukeshin të gëzuara, sikur kishin harruar përse kishin ardhur të banonin në këtë shpellë. Mua më dukeshin sikur ishin bërë më të dashura dhe më fytyrëçelura. Dhe punët kishin nisur t’i bënin së bashku, si në kooperativë. Gatuanin së bashku, me ato pak ushqime që kishin mundur të merrnin kur ishin larguar me ngut nga shtëpitë e tyre. Kishte shumë lezet t’i shikoje: me sa ëmbëlsi dhe përkujdesje i flisnin njëra-tjetrës. Edhe burrat, të mbledhur tok, sikur dukeshin të kënaqur me këtë jetë. Mbrëmjeve ia pleksnin muhabetit për shtatë palë qejfe. Kishin harruar fare se bëhej luftë dhe që shpella ku gjendeshim ne ishte në mes të dy kampeve ushtarake të dy ushtrive të huaja. Harronin që jetonin midis dy zjarreve.
U deshën vetëm disa gjyle që dy vëllezërit të harronin mëritë e të merreshin vesh me njëri-tjetrin , ndonëse përmes të tretëve.

* * *
Lojën me gjyle e nisnin të parët italianët. Ata e kishin portën në territorin Kuç-Kallarat. Skuadra e detit i hidhte pesëdhjetë gjyle skuadrës së pas malit. Skuadra e pas malit i kthente gjashtëdhjetë copë. Ne ishim shumë kureshtarë për të marrë vesh situatën e lojës dhe kush mund të fitonte nga të dyja ushtritë e vendeve fqinj, mirëpo loja bëhej lart, në qiellin tonë, dhe gjëma e gjyleve ndihej poshtë, në arat tona dhe mbi shtëpitë tona.
Atë mëngjes burrat e shpellës e ndienin veten si pjesëtarë të së njëjtës familje. Të ulur në sofatin e strehës së tyre të përbashkët bisedonin qetësisht:
-Grekët kanë të drejtë,- ngulte këmbë Xhafua.
-Posi… – ia kthente Jashoja. – Unë i njoh italianët. Janë më njerëzorë.
-Ç’njerëzorë, – hidhej përpjetë Shezaiu të cilit një gjyle italiane ia kishte rrëzuar çatinë.-Të jetë njeriu mirë e bukur… e të të vijë tjetri në shtëpinë tënde e të ta bëjë atë shkrumb e hi?…
-Gjylja mbi shtëpinë tënde, ishte llogaritur gabim. – e ngacmoi Jashua. – Kështu është kur armët e rënda u besojnë ushtarëve fillestarë.
Flamuri, djali i vetëm i Merjos, atë mëngjes zbriti në fshat. Ushqeu qenin, e zgjidhi nga zinxhiri dhe e la të lirë, ngarkoi një thes me ushqime dhe u kthye sërish në strehën tonë të përbashkët. Ai na i solli lajmet e këqija: ishin djegur shtëpitë e Mirtajve dhe të Brahajve. Gjylet që kishin rënë gjatë natës, kishin rrafshuar nomenë e Lonajve.
Një gjyle tjetër kishte rënë në Dushaj dhe kishte marrë me vete për në botën tjetër Mato Dushën, në moshën 73-vjeç.
Ishte duke dremitur nën manin e madh të Dushe. Pak metra më tutje ishte Gëzimi i vogël, që luante me gurë. Maton e kishte marrë, Gëzimi nuk kishte pësuar gjë.
Në Çorraj nuk kishte mbetur njeri. Gjylet kishin marrë me vete dy lopë. Pilotët që ishin hedhur me parashutë nuk ishin parë gjëkundi…

* * *
Gjatë natës nuk ndodhi asgjë e veçantë. Fishkëllima e gjyleve tashmë ishte bërë diçka e zakontë. Edhe jeta në shpellë e cila fillimisht u duk e veçantë, dukej e zakonshme. Të rriturit të gjithë shqetësimin e kishin te ne fëmijët. Ishim si një familje e madhe. Nga ajri i lehtë i malit apo nga kënaqësia e kësaj jete të re, natën e dytë bëra një gjumë të lehtë. Halla nuk vuri gjumë në sy, dremiti ndenjur, si kukudh.
Në orën nëntë dy ushtritë armike, sikur ta kishin bërë me fjalë, nisën të shkëmbenin gjyle. Nuk u bëra kureshtar për të numëruar sa gjyle hidhte njëra palë dhe sa tjetra dhe nuk dola nga shpella të shihja fluturimin e gjyleve.
Kur nisën gjëmimet, Jashua doli te dera e shpellës nxori orën nga qosteku për të matur kohën e luftimeve.
-Fiks… gjysmë ore”, – tha ai me indiferentizëm sikur të maste kohën sa mund të zgjaste loja. Xhafua i qëndronte pranë duke e dëgjuar me respekt. Të dy vëllezërit ishin pajtuar natyrshëm, pa i kërkuar falje njëri-tjetrit.
-E paskan zënë me nge..
-Se mos u qajnë fëmija.
-Ja, sa t’i sosin dhe ato pak të flamosura,- tha Xhafua. E kishte fjalën për gjylet.
Bombardimet zgjatën vërtet gjysmë ore. Tani edhe palët armike e kishin kthyer luftën në një detyrë të mërzitshme. Në ora tetë, mëngjesi…Nëntë gjer në nëntë e gjysmë, luftë… Ora dhjetë… program artistik. Pas bombardimit i cili e gjallëronte gjithmonë gjendjen në shpellë, niste përsëri jeta monotone.
Duhej përgatitur dreka. Gratë nxirrnin ushqimet dhe enët që kishin marrë me vete. Tani ajo quhej ekonomia jonë e përbashkët…(Këtë skenë e kam kujtuar shpesh, pasi mendoj se ky ka qenë edhe momenti i parë i futjes sonë në kooperativë). Problem mbetej uji i pijshëm. Gjatë gjithë asaj dite unë shkova disa herë te currili matanë shpellës për të mbushur ujë.
Ishim fëmijë të një familjeje të madhe. Çdo grua kishte të drejtë të na qortonte ose të na urdhëronte. Ishte vërtet një kënaqësi e madhe të jetoje në atë shpellë. Si do kenë jetuar të parët tanë?
Të lehurat e qenve dëgjoheshin gjer në shpellë, të alarmuar nga bombardimet dhe uria. Atë ditë u vendos që disa nga djemtë e rritur të fshatit të shkonin me urgjencë dhe t’i zgjidhnin sa më parë nga zinxhirët. S’ishte punë kjo! Të binin gjylet mbi qentë dhe ata të qëndronin të lidhur në zinxhirë, si të dënuar me vdekje. Nëna ime ishte bërë më e dhembshur, por edhe më e bezdisshme:
-Mos lëviz …! Mos e nxirr kokën jashtë…!… “Ti do të dalësh nga shpella kur të themi ne…!” Si mund të rrinim ne pa lëvizur gjithë ditën, pa dalë në qafë të malit për të kundruar atë pamje madhështore që shpalosej nga deti.
Ditën që pashë detin…çfarë t’ju them!..Edhe sot e kam para syve atë masë të madhe uji ….S’ kuptohej ku niste deti dhe ku mbaronte qielli. I mrekulluar qëndrova gjatë gjersa deti më hyri i gjithi në sy. Kur u ktheva në shpellë e hëngra një shpullë për vonesën. Ee, punë e madhe…Unë kisha parë detin.

* * *
Gjatë gjithë natës nuk reshtën ulërimat e qenve. Lëshonin ca rënkime që ta këputnin shpirtin. Ata të shpellës së Soroit kishin zbritur në fshat, i kishin ushqyer dhe i kishin lënë të lirë. Me ata të shpellës së Soroit merreshim vesh çdo ditë, me korrierë. Gjatë orëve kur reshtnin bombardimet, venim e vinim, shkëmbenim lajme dhe ushqime. Në shpellën e Soroit ishin Bezhanajt, ishte gjyshi me gjyshen nga nëna, së bashku tezen e vogël me dy fëmijët, dy dajat, me gjithë fëmijët. Atë mëngjes Jashua, me cigare në buzë, bisedonte me Luto Mirten, te gryka e shpellës:
-Bezhanajt dhe Brinjajt kanë zbritur mbrëmë dhe i kanë liruar qentë.
-Ja, të dërgojmë Zerbinin.
-Zebra nuk e njeh Zerbinin, të bëjë vaki t’i afrohet ajo e shqyen. Atë punë e bën vetëm Vitua.
Vitua ishte vajza e vogël e Jashos.
Unë me nënën dëgjonim bisedat e tyre. Ne nuk kishim qen.
-Le të shkojë Vitua me djalin, – tha nëna.
Jashua më hodhi një shikim dashamirës, për t’u siguruar në isha i gatshëm për të shkuar me të në fshat.
-Shkoj, pse jo?- i thashë.
Më pëlqeu propozimi i nënës edhe ngaqë me ne do të vinte edhe Zerbini, djali i madh i Lutos. Ai malësor trupgjatë e i fuqishëm, jetonte në mal me bagëti dhe, sa herë do të zbriste në fshat, ne do të shikonim shfaqje sportive te lëmi i Bezhanajve ku zhvilloheshin garat e mundjes. Po kush mund ta shtrinte Zerbin Mirten për tokë?
U nisëm poshtë si era. Nuk ecnim, fluturonim. Zerbini para, unë me Viton pas tij. Vitua më mbante për dore. Ka merak për mua, mendoja. Sytë i kishte të zinj dhe të ndritshëm. Ishte e shkurtër, por ishte gjithë sisë e vithe.
Nuk e kuptova pse, pas pak Zerbini e kapi nga flokët. ”Mos, mos ! – i thoshte ajo,…-Unë të kam kushëri.. ”.
-Më ke kushëri të katërt,- thoshte ai.
-Kushëri të tretë, – ngulte këmbë ajo.
Për herë të parë dëgjoja që kushërinjtë paskëshin numra.
U ndalëm te burimi i Mustos, u freskuam pak, pimë ujë. Vitua hoqi shaminë. Iu derdhën flokët.
Unë u nisa para tyre. Në një çast ktheva kokën të shihja pse po vonoheshin. Zerbini e kishte mbërthyer time kushërirë për beli, sakaq ajo iu shkëput me forcë, me inat dhe turp.
Nuk folën gjer te shtëpitë e para të fshatit. Kur u gjendëm pranë lagjes së Rrëzës vumë re që shtëpia e tezes ishte pa çati. Unë u bëra kureshtar, por Vitua më tërhoqi për dore. ‘Eja, s’kemi kohë”.
Shtëpia e Zerbinit ishte në një kulm me atë të tezes sime. Kur pa katrahurën, Zerbini u shkëput prej nesh dhe nxitoi të merrte vesh ç’kishte ndodhur? Ne u varëm kalldrëmit. Kur u gjendëm te porta e Jashos, Zebra e ndjeu erën e Vitos, u hodh në litarë e nisi të leh egërsisht.
I hoqëm litarin dhe ajo u sul drejt portës si e çakërdisur. Vitua mori helmetën e qullit mbi sorua dhe u fut brenda, s’vonoi dhe doli sërish te dera: ”S’paskemi ujë…”, – më tha. Unë mora gjymin dhe zbrita te vija e ujit.
Nuk di sa jam vonuar, veç, kur u ngjita lart, desha të hapja derën dhe i thirra Vitos, nuk m’u përgjigj. I rashë derës me grusht, i sigurt që gjendeshin brenda. Atë çast dëgjova një ulërimë… Thirra sërish dhe hipa mbi një gur për të vërejtur nga dritarja. Në atë çast u hap dera dhe Vitua doli flakë e kuqe në fytyrë, dukej e qetë, e qetë dhe e gëzuar.
-U bëre merak, vëlla ?- më pyeti. U ul në gjunjë dhe më puthi disa herë në faqe.

* * *
Nga ajo lartësi ku gjendeshim, dukeshin shumë afër grumbullimet e reve mbi malin e Çikës. Imitonin tymrat e luftës, duke bërë edhe ato ca manovra ushtarake. Nisi të binte një shi i dendur dhe i imët i cili e mbylli me lesh të dendur e të palarë pamjen nga deti. Një rrufe tronditëse plasi në afërsi si gjyle. “Subuhan Allah!”- pëshpëriti halla. Ata që kishin zënë vend në hyrje të shpellës i detyroi shiu të futeshin më në brendësi, duke na ngucur edhe më me njëri-tjetrin.
Shiu nuk deshi të pushojë as gjatë orëve të natës. Dukej sikur në të njëjtën kohë binin rrufe dhe gjyle, së bashku.
Nga ora dhjetë na erdhën lajme të këqija nga Soroi. Me një sulm të befasishëm grekët kishin postuar pozicionet armike duke i detyruar të tërhiqeshin në thellësi të maleve. Nuk vonoi dhe pamë me frikë dhe habi të papërshkuar, njëshkolonën e ushtarëve. Disa mbi kuaj… ( duhet të ishin oficerë) e disa në këmbë. Tërhiqnin mushkat me vështirësi midis monopatit. “Grekët?!” Në çast më pushtoi një frikë e pashpjegueshme. Kur kolona e ushtarëve grekë u var poshtë, u futa sërish në shpellë, te gjinia ime e vjetër dhe primitive.
Pashë Hason, plakën e lashtë, duke u kujdesur për djalin e saj.

* * *
U bënë disa ditë që nuk pati as lëvizje avionësh, as bombardime. Na dukej sikur rrinim kot në shpellë, por askujt nuk ia mbante të zbriste në fshat.
– Të presim dhe ca, – tha Jashua, si të ishte komandant i shpellës. Edhe pse gjatë atyre ditëve në shpellë nuk u mendua për të bërë të parë të saj, Jashos ia dëgjonin fjalën, si më i moshuar dhe me përvojë luftërash. Ai kishte marrë pjesë në luftën e Vlorës dhe kishte luftuar në Junan me ushtrinë turke, së bashku me gjyshin tim nga nëna.
Atë mëngjes erdhi në shpellë dajo Nedimi :
-Zbrisni të gjithë poshtë ! – tha ai. Grekët janë futur nëpër shtëpitë tona dhe na i kanë bërë plaçkat lesh e li. Spitalin ushtarak e kanë ngritur në lëmin tonë. Babai më porositi t’ju them të ktheheni, pasi kërkojnë punëtorë për të rindërtuar rrugën.
-Po ka thënë Ismail Efendiu, s’ka ç’presim më, -tha Jashua.
Të gjithë këtë ditë prisnim. Të ktheheshin sa më parë në shtëpitë tona. Shpella nisi të boshatisej me shpejtësi. Nëna ime doli e fundit. I dha një pastrim të shpejtë, siç e kishte zakon. Grumbulli i shpellarëve po zbriste në fshat. Dukeshin të gjithë të lumturuar, gra, fëmijë, pleq e plaka. Ku ka si shtëpia jote! Sido që të vente puna, edhe nëse nisnin sërish bombardimet, ata ishin mësuar me gjëmimet dhe me prapësitë e luftës.