Lamtumirë Nana Vid, ti nënë e zemrës që sot dhemb në kaq shumë kraharore, frymës që shuhet dhe ngrohtësisë që fiket tek të gjithë, duke mbetur pikëllim dhe lot.
Ike edhe ti Nëna Vid, nëna e vajzave dhe djemve të mrekullueshëm, gjyshja e nipërve dhe mbesave, nëna e gjithë atyre që patën fatin të merrnin prej teje gjithçka të bekuar në dashuritë të lartë, të një nëne.
U shuajte Nëna Vid, duke ndezur tek ne zjarrin e një dhimbjeje që mëkoi zemra jote te secili.
Ikë duke lënë pas sa shumë kujtime, të një nëne që pati prehër për shumë dashuri, për shumë më shumë dashuri dhe mirësi, se gjoksi jot kishte mëkuar. Për aq shumë sa vetëm një nënë si ti dha kaq bujarisht, sa sot e kemi të pamundur ta lëmë të vijë pas teje në jetën e pasosur.
U shuajte nana Vid, ti që le tek ne nënën e dashur, zemrën e mëlmyer më kaq mirësi dhe begati, buzëqeshjen që rrezatoi ëmbëlsi dhe ngrohtësi, atë që do të mbetet përherë tek ne, e shndritshme dhe e bukur.
Unë pata fatin të ushqehem prej duarve tuaja, prej dashurisë tënde, prej ëmbëlsisë së asaj mirësie, të cilën e mëkove në çdo zemër, edhe pse nuk ishe nëna ime, nënë të cilën ti e ngrite tek unë në një altar.
Më vjen keq nëna Vid, që po ikën pa mundur të vi t’i puthë për herë të fundit ato duar që mëkuan kaq shumë mirësi dhe dashuri. Ti ike në paqe, në amshimin e shpërblyer me dritën e shenjtë të përjetësisë, për të dritur në mall, kujtime dhe dhimbje, për të gjithë ne që provuam ngrohtësinë tënde, atë që u shua, për të lënë të ndezur në çdo kraharor diellin e shpirtit tënd.
Të jam mirënjohës për veprën tënde të nënës që kultivove në kaq shumë zemra, të cilat sot ndahen pikëllueshëm me ty. Qoftë bekua ajo dashuri që zuri vend në kaq shumë shpirtra, që sot janë të detyruar të mbesin pa të të dhënë lamtumirë, atë që meriton akti jot i nënës, që mbolle tek ne.
Lamtumirë nënë e nënave të mira, nënë e shenjtërimit të nënës në tokësoren tënde që u ngjit në qiell në yllin më të shndritshëm të syve tanë.
I përjetshëm do të jetë kujtimit yt, Nëna Vid.

Më shumë dhimbje,

Albert  VATAJ