Pas sukseseve të datave 9 dhe 10 prill 1999, forcat tona kishin filluar realizimin e fazës së dytë të planit. Të njëjtën ditë, forcat e armikut kishin filluar kundër-ofensivën për t’i rikthyer pozicionet e humbura. Përveç batalionit kufitar, kishin angazhuar edhe njësitë e brigadës së tyre 125 të motorizuar.

Ditën e 11 prillit 1999, njësitë tona u ballafaquan nga afërsia, drejtpërdrejt me forcat serbe – forcat tona sulmonin për t’i marrë objektivat e fazës së dytë, kurse forcat serbe ishin në kundërsulm për t’i rikthyer pozicionet e humbura.

Ishte një betejë e ashpër dhe e përgjakshme në të gjitha drejtimet, por forcat tona, edhe përkundër lodhjes, ia dolën në betejë duke i shkaktuar armikut humbje të mëdha në njerëz dhe teknikë dhe ia bënë me dije se këtu kanë të bëjnë me një organizim profesional ushtarak që ka aftësi të jashtëzakonshme në lufte frontale.

Armikut i shkaktuam humbje të mëdha, por radhet tona ranë në altarin e lirisë për të mos vdekur kurrë:

• Agim (Hysni) Ramadani nga Zhegra e Gjilanit
• Driton (Gani) Veliu nga Polaci i Skënderajt
• Sylejman (Adem) Shala nga Vidishiqi i Mitrovicës
• Harun (Nebih) Beka nga Gushafci i Mitrovicës
• Rrahman (Jetullah) Tafa nga Carraleva e Shtimes
• Imri (Pajazit) Curri nga Hani i Elezit
• Arben (Skënder) Jusufi nga Cërrnica e Gjilanit.

Kjo ishte dita më e vështirë në jetën time sepse më nuk e kisha në krah Agim Ramadanin, i cili ishte frymëzim për të gjithë luftëtarët e Betejës së Koshares. Edhe sot, pas 21 vitesh, kur e kujtojmë dhe nderojmë figurrën e Heroit të Kosovës Agim Ramadanit, kujtojmë rrugën e përbashkët të lirisë dhe sfidat me të cilat u ballafaquam gjatë këtij rrugëtimi. Disa prej tyre do t’i shpalosi në vijim.

Agimi ishte Shef i Shtabit të Brigadës 131 dhe Shef i Shtabit të Grupit Operativ GO-3. Ai e kishte formuar dhe përgatitur vetë njësitin diversanto-vëzhgues Kobra.

I kujtojmë aksionet e shumta në Jasiq, Gjocaj e Junik; evakuimin e të plagosurve dhe të popullatës civile nga Juniku; aksionin në trekufi; aksionin Feniks; hartimin dhe prezantimin e planit për heqjen e kufirit shqiptaro-shqiptar me luftë. Këtë plan e prazantuan së bashku me Sali Çekajn dhe unë e miratova si komandant i atij formacioni.

I kujtojmë edhe shumë thënie të tij që do të mbeten në antologjinë e luftës për liri:

“Jemi duke ju thirrë ejani me neve në luftë, e jo duke ju thënë shkoni në luftë”.

“Edhe ushtari i fundit do të respektohet si ushtari i parë në strukturën e Brigadës sonë”.

“Në luftë mund të ndodhë që dikush të flijohet, por edhe nëse mbetet vetëm një ushtar i gjallë, e ka për obligim që në vendbanimin e parë ta formojë ushtrinë dhe ta vazhdojë luftën deri në çlirimin përfundimtar”.

“Ejani kyçuni në programet stërvitore, me theks të veçantë në përgatitjen për luftë kundërajrore, luftë antitank, luftë kundër njësive speciale dhe diversante, përdorim të armëve kolektive të artilerisë së rëndë”. Ky koncept është i vlefshëm edhe për ditët e sotme të luftërave moderne.

Koncepti i Agimit për çlirimin e Kosovës ishte koncept ofensiv. Ai thoshte “Kosova nuk çlirohet duke u mbrojtur, por duke i sulmuar forcat e armikut edhe aty ku janë më të fortë”. Këtë e dëshmoi Agimi me aksione të shumta në vitin 1998 dhe 1999.

Roli i Agimit në Betejën e Koshares ishte unifikues i faktorit ushtarak dhe politik.

E madhe është ajo ushtri që në radhët e veta kishte një ushtarak të përmasave të Agim Ramadanit.

Nderim i përjetshëm për Heroin Agim Ramadani dhe të gjithë heronjtë e Betejës së Koshares dhe betejave tjera të UÇK-së.