Ballina Diaspora MENDJET E NJERËZVE – Tregim nga Ramiz GJINI – Amerikë

MENDJET E NJERËZVE – Tregim nga Ramiz GJINI – Amerikë

Znj. Kaleme e akuzoi të shoqin, teknikun e ndërzimit Marin Dermeku se ecte me mendjen e bukuroshes Pola Pupsi.
– Ke marrë mendjen e asaj piliherdhës, – i tha ajo, – prandaj më shikon shtrembër me sy.
Tekniku i ndërzimit e kundërshtoi gruan. Ai tha se mendjen e kish krejt të tijën dhe se nuk ia kishte marrë askujt. Madje shtoi, se mendjen e tij nuk do ta ndërronte as me mendjen më pjellore që mund të gjendej mbi shpinën e krrusur të tokës.
Znj. Kaleme nuk i besoi të shoqit; i tha se gënjente…
Kështu, hidh e prit, thanë dofar fjalësh të hidhura e bënë njëfar shamate.
Që puna të mos shkonte gjer në ndarje, ata vajtën te kryeplaku Maliq Burnazi dhe iu lutën ta shkoqiste drejt këtë punë.
Kryeplaku Maliq Burnazi, ishte nga ata pleqtë e sertë e vramuz, të idhët – lëng vërrini, por të mençur e që s’ta bëjnë kurrë fjalën dy. Sapo kish mbushur të nëntëdhjetat dhe kish shpallur se nuk do të vdiste pa i shkoqitur mirë do punë të ngatërruara në Biboll.
Para nja dy muajsh, vajti ta merrte ëngjëlli Azrail, por nuk ia doli dot mbanë.
E reja e tij, znj. Ismete, bënte bè e rrufè se natën, pak para se të këndonte gjeli i parë, e kish dëgjuar të vjehrrin duke rrahur Azrailin me shkop mu te pragu i derës së shtëpisë.
– Unë të thërras vetë kur të jemë gati për të vdekur, o Azrail, – i kish thënë ai.
Pastaj e pati urdhëruar t’i vinte majat nga kish vënë thembrat. Por Azraili si Azraili! Nuk qe bindur. Madje, për t’i mbushur mendjen plakut se duhej ta merrte me vete se s’bën, kish nxjerrë nga xhepi i tij edhe një kartë-vendim të shkruar e të vulosur nga zoti i madh dhe ia kish treguar.
– Unë zbatoj vendimet që merr Ai, nuk bëj në kokën time, o Maliq Burnazi, – i kish thënë Azraili duke hapur krahët si të deshte të shfajsohej.
Plaku i moçëm, ia kish ngulur vështrimin që poshtë vetullave të trasha e të gjata si fshesë; pastaj duke tundur shkopin e tij prej dru thane darrunga-darrunga, – athua se Azraili s’qe i dërguari i Zotit, por Xim budallai i mëhallës së poshtme, – i qe hakërryer:
– Ik ore mbushu me gjithë vendim! Të thashë: do të të thërras vetë sapo të shkokloj do punë të vogla në katund. Por, kur Azraili kish këmbëngulur në të vetën, plakut të urtë i patën kërcyer rrebet. Ia kish veshur me shkop kurrizit dhe ia kish bërë atë më të butë se barkun. Edhe atë vendimin e shkruar në letër nga i lartmadhërishmi, ia pati grisur e bërë thërrime-thërrime. Tek e mbramja, pati hyrë brenda, kish rrëmbyer kimën, dhe gjithë mllef nga inati, kish nisur të grinte duhan edhe për nja dy vjetë të tjera.
Me të dëgjuar ankesën e znj. Kaleme, kryeplaku Maliq thithi një shtëllungë të madhe tymi nga llulla e ndezur, përdrodhi mustaqet me gishta dhe ra në të thella.
Marin Dermeku nisi të fliste. Donte të kundërshtonte ato që tha gruaja gjatë ankesës; por plaku i moçëm ngriti lart trinën e dorës, e bëri të heshtë e tha:
– Durim! Kam pasur shumë ankesa të tilla… Më vjen çudi se si arrijnë njerëzit të marrin mendjet e njëri-tjetrit! Vallahi, më duket se Zoti, nuk e ka ndarë hiç drejt këtë punë.
Pastaj u tha të shkonin në shtëpi; të vinin sërish të dielën në darkë, sapo muzgu të rrasej në ahuret e bagëtive dhe hutini të lëshonte klithmën e parë.
Kryeplaku Maliq Burnazi, vendosi t’ua mblidhte mendjet të gjithë njerëzve, t’i fuste ato në një dollap, që gjendej në murin e odës së tij, dhe pastaj, njerëzit të vinin një nga një dhe secili të zgidhte mendjen që dëshironte.
Të dielën në darkë, me t’u dëgjuar klithma e parë e hutinit, na u mblodhën te kryeplaku gjithë bibollasit, i madh e i vogël.
Sejcili, nisi të dorëzonte mendjen e tij, ndërsa shkonin e zinin vendet jashtë, ca të ulur në bar e ca në këmbë, pasi qenë shumë në numër dhe nuk i nxinte dot të gjithë oda e kryeplakut.
Nja tre-katër vetë, dorëzuan vetëm nga një gjysëm mendje. Ato thanë se gjysma tjetër u kish rrjedhur prej halleve të shumta të jetës.
Zavalli Tosum Masllumi, i cili gjatë gjithë jetës qe hequr si burrë i mençur, i la në dorë kryeplakut vetëm një çerek mendje.
Kjo çerek mendje qe bajagi e trashë, por e lehtë pupël.
Kryeplaku, uli pak kokën siç e kish zakon dhe e pa poshtë vetullave plot mosbesim!
– Kaq kisha, – tha Tosum Masllumi, – nuk kam ku ta gjej më të plotë.
– Po ti sikur…! – e preu fjalën në gjysmë kryeplaku dhe priti përgjigje.
– Tre çerekshin e kam shitur, prandaj e lëmë tani këtë muhabet, o kryeplaku ynë, – tha tjetri dhe doli jashtë.
Plaku urtar, i mori të gjitha mendjet e njerëzve bashkë me gjysmat dhe i futi në dollap.
Pastaj, ia shkrepi t’i numëronte njëherë.
Për çudi, ai zbuloi qe një mendje mungonte!
Doli jashtë e briti:
– Cili dinsëz nuk ma ka dhënë mendjen e tij?
– Unë, o kryeplak, – tha djaloshi Kil Tesporoti duke ngritur dorën lart.
Pastaj, lulkuqe nga turpi, ai shpjegoi se e kish humbur mendjen qysh para katër vjetësh duke rendur pas bukuroshes Pola Pupsi. Pra, kuptohet, nuk kishte çfarë dorëzonte.
Kryeplaku, ia tundi çibukun e ndezur mu para syve e tha:
– Turp…! Turp i madh të humbë burri mend për dy gisht vend!
Kil Tesporoti bëri mënjanë edhe më turpëruar.
Kel Fisti, – për të cilin pëshpëritej lart e poshtë se kish mendjen e një dhelpre,- e porosiste Xim budallain, që të bënte kujdes, se mos ndoshta, kur të zgjidhte për të marrë mendjen e re, nga pakujdesia, mund të merrte mendjen e Gjon Belaziut në vend të mendjes së Gjon Bolenës.
– Mjaft ndejte budalla, o Ximi, – i thoshte ai, – Gjithmonë laj e thaj një palë mend budallai! Përse të mos bëhesh edhe ti njëherë i zgjuar si Gjon Bolena?! Veç ki kujdes, si të thashë: zgjidh atë më të hollën; atë si petë byreku dhe i ke rënë pikës.
Xim budallai tundëte kokën në shenjë miratimi; ndërsa herë pas here, hidhej në beft për të vrarë miza në hava me pëllëmbët e duarve të palara.
Znj. Kaleme, qe pështetur pas një huri gardhi. Pati krijuar një lidhje të përkohëshme me mendjen e saj tashmë të kyçur në dollapin e kryeplakut dhe kish rënë në një lloj soditje. Herë kruante vithet pas hurit të gardhit, herë kruante dhëmbët me një fije bari. Dhe nuk dinte, cilën mendje duhej të zgjidhte.
I shoqi i saj, tekniku i ndërzimit, Marin Dermeku, dukej i hutuar. Nuk ishte i sigurtë nëse kish dorëzuar tek kryeplaku mendjen e vet, apo mendjen e bukuroshes Pola Pupsi.
Po çfarë bënin të tjerët?
Disa rrinin të heshtur e disa llafosnin anamendas me zë të vogël; natyrisht rragatje fjalësh, pa mend fare.
Që të mos i ngelej hatri askujt, kryeplaku Maliq Burnazi, shkruajti një nga një secilin emër në copa të vogla letrash. Pastaj i palosi letrat me nge, i përziu mirë e mirë dhe kapi të parën.
Me ta hapur, ai thirri:
– Të vijë të zgjedhë i pari Xim budallai!
Kel Fisti e shtyu Ximin me teftik përpara e tha:
– Ec shpejt Xim…! Dhe mos harro porosinë: merr atë më të hollën. Atë si petë byreku.
Xim budallai mori të ecte pa ia ndarë sytë një mize të madhe në fluturim.
U dëgjua zhurma e një lëvizje në grumbullin e madh të njerëzve. Dhe pastaj zëra:
– Shyqyr! Më në fund edhe Ximi nuk do të jetë më Xim.
– Kaq vite i shtyu i shkreti me atë mendje budallai!
– I thashë të marrë mendjen e hollë të Gjon Bolenës, por…
Kur Xim budallai doli jashtë, dukej i kënaqur me zgjedhjen që kish bërë. Ngriti të dy pëllëmbët e duarve lart e nisi të hidhej për të vrarë një bumballë, që gumëzhinte e bënte rrathë sipër kokës së tij. Pastaj kur pa, që insekti fluturoi në drejtim të gjindjes, e tregoi me gisht e thirri:
– Bumballa, bumballa! Vriteni se iku! Uaaa…!
Dukej ashiqare, që Xim budallai kishte marrë mendjen e vet.
I dyti hyri zavalli Tosum Masllumi. Si një cjap varros, i veshur me një xhaketë xhivezi të mbushur plot dekorata!
Doli jashtë me çerekun e mendjes së tij të trashë e të lehtë pupël!
– Rrëmova në gjithë atë grumbull dhe nuk gjeta mendje më të mirë se timen, – shpalli ai.
Tekniku i ndërzimit Marin Dermeku, kish marrë dy mendje: mendjen e vet dhe atë të bukuroshes Pola Pupsi; ndaj kur doli, u mëdysh, nuk dinte nga t’ia mbante, iu ngatërruan këmbët e gati u rrëzua për të thyer qafën.
Kryeplaku Maliq Burnazi e kuptoi, iu hakërrye me shkop dhe e detyroi të kthehej në odë e ta linte në dollap mendjen e dytë.
Kësodore, të gjithë hynë një nga një në odën e kryeplakut dhe morën në dollap secili mendjen e vet!
Më të zgjuarit të Bibollit, Gjon Bolenës, i ra shorti të hynte për të marrë i fundit. Ai nuk u çudit fare kur gjeti në dollap mendjen e tij. Askush s’e kishte prekur me dorë.
Teksa dilte, kryeplaku Maliq Burnazi e ndali dhe i tha:
– E shikon, o bir, si janë njerëzit?!