Mbrëmjeve beogradasit duartrokasin për mjekët, infermierët, policët. Mbrëmjen e së dielës “Duartrokitjet në 8” ishin rezervuar për të mbështetur shtetin, me të cilin Serbia ka qenë në luftë para tridhjetë vjetësh.
Atë mëngjes kryeqyteti i Kroacisë, Zagrebi ishte goditur nga tërmeti. Sarajevasit iu bashkuan shpejt beogradasve në mbështetjen e tyre. Duartrokitjet u pritën mirë në Kroaci dhe në rajon. Kjo ishte hera e parë në 30 vjet, që Beogradi shprehu një mesazh kaq të fortë dhe transparent të përkrahjes për Kroacinë. Mesazhe të ngjashme të ndërsjella mbështetjeje, por jo kaq të forta ka pasur në dekadën e fundit në raste përmbytjesh apo eventesh sportive. Në Serbi e mbështetën ekipin e Kroacisë në finalen e Kampionatit Botëror të futbollit, ndërsa në Kroaci mbështetën tenismenin Novak Djokoviçin në fitoret e tij në Grand Slams.
Solidariteti ka mundur indiferentizmin
Po ashtu pas tërmetit një karikaturë nga Sarajeva. Vučko (ujku, simbol i lojërave olimpike të Sarajevës të vitit 1984) mbante Zagi-n (fokën, simbolin e univerzijadës së Zagrebit të vitit 1987) duke e ndihmuar të dilte nga rrënojat. Ata që janë më cinikë do të thonë se të dyja ngjarjet kanë ndodhur para shpërbërjes së Jugoslavisë. Por, shumica nuk janë cinikë. Karikatura u bë virale.
Fasada e bashkisë së Sarajevës u ndriçua me mesazhin „nga Sarajeva për Zagrebin” me zemrën në mes. Në të dyja vendet këto mesazhe u pritën me shumë emocion. Qarkullon një shaka ballkanase, që thotë se virusi Corona nuk ka asnjë lloj shansi në Bosnjë-Hercegovinë, sepse atje liderët do ta ndajnë në tre viruse nacionale, kështu që do ta dobësojnë dhe do ta mundin më lehtë. Viruset natyrisht nuk duan t‘ia dinë për ndarjet etnike, por i detyrojnë drejtuesit të veprojnë ndryshe.
Një shembull nga Mostari, qyteti që është simbol i ndarjes së Bosnjës dhe Hercegovinës. Në Mostar ka dy spitale. Njëri në pjesën perëndimore trajton kryesisht kroatë, ndërsa tjetri në pjesën lindore trajton kryesisht myslimanë. Spitali në pjesën perëndimore regjistroi një grua shtatzënë të infektuar me virusin Corona, dhe spitalet menjëherë u morën vesh. E gjithë gjinekologjia nga perëndimi u transferua në lindje, brenda pak ditëve u bë desinfektimi dhe gjinekologjia u kthye sërish nga lindja në perëndim të Mostarit. Një foshnjë e „perëndimit” e lindur në „lindje”, e cila një ditë ndoshta mund të bëhet temë e një rrëfimi interesant gazetaresk.
Virusi vrau urrejtjen
Qoftë edhe përkohësisht. Në Dobrinjë të Sarajevës disa qytetarë kanë lënë ushqim në hyrje të ndërtesës, që ta marrin ata që kanë nevojë. Pa limite për nacionalitetin. E njëjta gjë ndodhi në qytetin e Zenicës. Vullnetarë të rinj në të gjithë rajonin i çojnë ushqim të moshuarve, studentët e mjekësisë shprehin gatishmërinë për të punuar në spitale, dhe vajzat e reja mbajnë fëmijët e punonjësve të mjekësisë dhe të policisë, të cilët duhet të shkojnë të punojnë. Sportistët e suksesshëm dërgojnë donacione për njerëzit dhe spitalet në rajon, jo vetëm për vendin e tyre. Miralem Pjanić, futbollist i “Juventusit”, veshi fanellën e ish-bashkëlojtarit të tij Mario Mandzukiç nga Kroacia, dhe e postoi fotografinë në instagram.
Mori më shumë se 130.000 pëlqime. Papritur nacionaliteti u bë i parëndësishëm. Madje as mediat nuk kanë më kohë të theksojnë konfliktet, sepse tani të gjithë shkruajnë për të njëjtën temë dhe dërgojnë të njëjtin mesazh. Ndiqni këshillat e ekspertëve, qëndroni në shtëpi, lajini duart rregullisht e të ngjashme.
Ku mbeti intoleranca?
Organizatorët e aksionit “Duartrokitje në 8” në Beograd kanë shkruar në mesazhin e tyre se virusi do të kalojë, por ajo që ata dëshirojnë të mbetet, është solidariteti. „Kujdesi dhe mbështetja nuk njohin dallime etnike, fetare, apo politike”, thonë me të drejtë. Sa kohë do të zgjasë ky muaji i mjaltit? Nëse virusi korona i ka detyruar njerëzit në Ballkan të bëhen solidarë si të gjithë të tjerët në botë, a mund të bëhet ky unitet sjellje e vazhdueshme edhe pas krizës?
Mbështetja masive në instagram, facebook dhe në mediat e pavarura për “Duartrokitje në 8”, për karikaturën nga Sarajeva dhe mesazhin në bashkinë e Sarajevës, dëshmon për diçka të re. Për diçka krejt të kundërt me mesazhet politike dhe aksionet, që shtetet ndërmarrin prej vitesh duke arritur me sukses deri në prag të incidenteve.
Nëqoftëse ata që marrrin vendime nuk e kuptojnë energjinë, shpirtin e shpresës së këtyre mesazheve, që lulëzojnë në shtetet e Ballkanit Perëndimor, një shans i madh për të jetuar në paqe dhe fqinjësi normale do të humbasë. Politikanët duhet të bëjnë së paku një herë një ndryshim, të përpiqen të fitojnë zgjedhjet me mesazhe tolerance e solidariteti, në vend të indiferencës dhe urrejtjes. Të shkosh drejt kësaj 30 vjet pas kolapsit të Jugosllavisë, është shumë, shumë e ngadaltë, por më mirë vonë se kurrë. Nëse është dashur një katastrofë, për t‘i çuar ato drejt ndryshimit – atëherë ashtu qoftë.
Nenad Pejic