Deri tani COVID-19 është cilësuar si, ndoshta sfida më e madhe me të cilën po përballet sot Bota që pas Luftës së Dytë Botërore. Kjo krizë nuk ka asgjë të ngjashme me krizat e zakonshme shëndetësore kombëtare apo lokale të vendeve të botës me të cilat tashmë jemi mësuar se si t’i kapërcejmë.

Por çfarë po ndodh në të vërtetë në sistemet ekonomike ?

Kush po goditet më shumë…? dhe si do t’ia dalim këtë herë, a kemi çfarë të mësojmë…?

Thuajse si në çdo krizë, të çdo lloji, biznesi është ai që merr goditjet më të mëdha. Sigurisht që, krizat së bashku me sfidat dhe efektet negative sjellin me vete shumë mundësi të reja dhe na bën të mendojmë dhe kuptojmë se shumë gjëra duhen bërë ndryshe.

Në kohë krizash disa biznese mund të përfundojnë deri në pezullimin e përkohshëm apo falimentim i tyre, por për disa sektorë të tjerë, siç po shikojmë, farmacitë, supermarketet dhe dyqanet ushqimore, etj., janë në një stad tjetër, me një funksionim normal dhe duke garantuar qëndrueshmëri dhe rritje të përfitimeve të tyre.

Por në këtë stuhi të re, ku ka hyrë bota dhe mbarë njerëzimi, biznesi është gjunjëzuar si kurrë më parë. Qindra e mijëra prej tyre mund të mos ngrenë më kurrë kokë, si: hoteleria, aktivitetet ndërtuese, fasoneria, turizmi, shërbimet e transportit ajror, rrugor e detar, si edhe shumë industri të tjera, të cilat po përballen me një “armik” që është jo vetëm i padukshëm, por që mesa duket ka ardhur që të kuvendojë me ne për një kohë të papërcaktuar.

Po pyetja shtrohet: a ka patur zgjidhje financiare kjo humbje masive dhe a duhet nxjerrë mësime nga kjo situatë?

Si mund të mbulohen ngjarje të tilla të papritura?

Cilat do të ishin rrugët e shpëtimit nga një kolaps i tillë ekonomik, financiar, politik, social dhe shëndetësor?

Natyrisht vështirësi të mëdha kanë edhe vendet ma të zhvilluara pa le ma ne qe jemi një vend i vogël, por kemi dhe shansin që mund ta marrim veten më shpejt, pavarësisht shkallës së zhvillimit ekonomik. Kjo situatë e përbotshme dhe krizat e natyrave të tjera apo të kësaj natyre që janë të rralla a kanë ndonjë mbrojtje dhe a ka gjëra që duhen dhe duheshin bërë ndryshe.

Fillimisht, industria e sigurimeve lindi nga nevojat e kohës dhe si një mënyrë e sigurtë për të garantuar mbrojtjen e mallrave gjatë transportimit të tyre nga një port në një port tjetër ku shumë anije mbyteshin nga dallgët e furishme e për shumë arsye të tjera. Por njerëzit filluan që të minimizonin humbjet nëpërmjet skemave të sigurimit. Më pas, lindi sigurimi i anijeve, i avionëve, sigurimi kundër dëmtimeve të natyrës së produkteve agrokulturore; lindën bankat dhe sigurimi i kapitaleve të tyre; lindën forma të ndryshme biznesesh dhe sigurimi i operacioneve të tyre; lindi teknologjia e Informacionit dhe, bashkë me avancimin e saj, edhe sigurimet kundër humbjeve si pasojë e krimeve kibernetike; apo sigurimi i jetës; sigurimi i shëndetit deri tek dërgimi i raketave dhe satelitëve në atmosferë dhe sigurimi i tyre etj.

Kështu, si nevojë e kohës linden në rrugë institucionale skemat e garantimit dhe mbrojtjeve financiare për individin dhe kompanitë. Falë kësaj garacie siguruese askush nuk do të dëmtohet në mënyrë të pakthyeshme, sepse rreziku potencial është i mbuluar. Vazhdimësia është e garantuar, prandaj është industria e sigurimeve…

Të gjithë “sytë” dhe shpresat e biznesit janë të drejtuara nga shteti dhe masat qeveritare ekonomike apo i shumëquajturi “Plan Ekonomik” pasi përgjegjësia kryesore në këtë situatë është vet shteti si administrues suprem i këtyre ditëve të të gjithë zinxhirëve të funksionimit.

Nën dritën e kësaj situate totalisht bllokuese dëshiroj të ndajë me ju disa mendime, disa ide:

Vetëm përpara tre muajsh, më 26 nëntor 2019, ne u goditëm nga një tërmet me pasoja shkatërruese ekonomike dhe sociale, dhe me humbjen e jetës së mbi 51 personave. Tregu i sigurimeve veproi shumë shpejt me të dëmtuarit e siguruar duke ju bërë pagesat sipas kontratave dhe kushteve të sigurimit. Pra, të dëmtuarit dhe siguruesit në përgjithësi i përmbushën detyrimet ndaj njeri tjetrit duke garantuar vijimësinë.

Disa të siguruar, madje edhe nga ata që janë pjesë e strukturave të larta, u përpoqën që të përfitonin nga kjo situatë. Sigurisht që këta ishin në numër më të vogël, 3 apo 4 persona, krahasuar me barrën totale të dëmeve, që kalojnë për mbi 2.000 raste sigurimi të paguara. Madje edhe një mik i imi më pyeti: “Avni, nëse prona ime do të kishte qenë e siguruar me SIGAL UNIQA, a do të m’i kishit paguar të gjitha dëmet?” Dhe unë i thashë, “Po, sigurisht, një më një!” Atëherë ai me një të qeshur djallëzore më tha: “Po të paguaj tani dhe t’i bëj sikur unë të isha i siguruar më parë…”. Kështu, ai po kërkonte diçka që nuk i takonte. Po sa veta u dëmtuan nga tërmeti? Me mijëra, por përfitues ishin pak. Sepse duhet të ishim të gjithë të siguruar dhe ato dy-tre ditë pas tërmeti pati ndonjë të siguruar, më pas toka u qetësua dhe njerëzit heshtën?! Përseri në dorë të Zotit, a ka më mirë!

Situata është pothuajse e njejtë. Nuk kemi tërmet, por kemi pandemi. Pyetja është: a ka sigurim ndaj pandemisë? -Po, ka e kam thënë disa herë, çdo gjë është e sigurueshme. Klienti e di se nga se është i rrezikuar. Kompania e Sigurimit ofron sigurimin sipas kërkesës së klientit.

Nëse këto biznese, që sot janë mbyllur përkohësisht, do të ishin të siguruara, atëherë gjithçka do të ishte paguar. Pra, në se një fason, hotel apo linjë ajrore do kishte marrë edhe këtë lloj sigurimi, përveç sigurimeve bazë, atëherë shoqëritë e sigurimit do të bënin kompensimin e dëmeve të shkaktuara nga pandemija. Kompanitë e sigurimit më të mëdha sot në botë po mbledhin të dhëna për klintët e siguruar për të bërë kalkulimet e vlerave të dëmit, ndërprerjes së biznesit dhe kompensimit të dëmeve e shpërblimit të punonjësve për kohen e qëndrimit pa punë.

E pra, gjithçka është e mundur, por, për ne, është pak e vështirë ta kuptojmë dhe ta besojmë, po ja që ekzistojnë edhe këto sigurime, edhe këto mbulime, sepse kjo industri i ka edhe ekspertizat, edhe kapacitete financiare.

Në të gjithë këtë peisazh ndikon trashëgimia jonë e një mentaliteti komunist, ku mendohet që është shteti ai që duhet të na nxjerrë nga çdo fatkeqësi, dhe jo si përgjegjësi e vet individit. Mbizotëron një mendim i shtrembëruar se sigurimi është vetëm në interes të fitimit të kompanive të sigurimit. Dhe kështu, individi vazhdon të jetë në qiell të hapur, apo siç na pëlqen neve që të themi: “në mëshirë të Zotit.” E si ta ketë shkruar Zoti! Epo, edhe ne, gjithashtu, themi se, “Zoti thotë: ti ruaju pak, dhe unë të ruaj shumë!”

E pra, ne duhet të marrim përsipër përgjegjësitë tona dhe të bëjmë atë që është në dorën tonë, që në këtë rast do të thotë: ne nuk parashikojmë dot, por ne mund të mbrohemi!

Ndërprerja e biznesit është rrisk i sigurueshëm dhe kushtet për këto mbulime janë si kushtet e sigurimit për rreziqe të tjera, dhe këto nuk i kemi nxjerrë ne, po bota e qytetëruar ka qindra vjet që i blenë këto sigurime për të qenë të qetë e për ta ndjerë veten të sigurtë.

Gjithçka e kemi ndërtuar me mund dhe me djersë në këtë jetë, vet jetën tonë, shëndetin, biznesin, pasuritë, mirëqenien, sigurinë tonë, ndaj duhet të bëjmë çdo gjë që kemi në dorë për të minimizuar çdo rrezik që mund të na kanoset dhe të mbrojmë dhe garantojmë të ardhmen tonë financiare.

Të sigurohesh nuk është biznes, por përgjegjësi! Mbrojtje!

Siç thonë amerikanët: “Sigurimim më mirë ta kesh dhe në mos të të duhet, se sa të të duhet dhe mos ta kesh!”

Sigurimet nuk parandalojnë! Sigurimet mbrojnë!