Në Kosovë po ndodhin dy situata paralele kontradiktore: kriza shëndetësore dhe ajo politike. E përbashkëta e këtyre dy krizave është mos gjetja e terapisë efikase, kurse e veçanta është se megjithatë,trendi i rritjes së pandemisë në Kosovë ende është brenda një grafikoni normal të numrit të infektuarve dhe tepër minimal të viktimave. Kjo edhe falë punës perfekte të institucioneve shëndetësore dhe të sigurisë, me ç’rast u dëshmua edhe një herë se shteti i Kosovës, pavarësisht krizave politike e institucionale, ka kultivuar një kulturë të mjaftueshme menaxhuese për të përballur edhe situata të paparashikuara.

Ky efikasitet shtetëror i Kosovës erdhi në shprehje edhe pas tërmetit që ndodhi në nëntorin e vitit të kaluar në disa zona të Shqipërisë, ku FSK dhe ekipet e kërkim-shpëtimit nga Prishtina mbërritën në rajonet problematike madje edhe para strukturave emergjente të shtetit shqiptar.

Por, ngjarjet e fundit, sidomos pas mocionit të votëbesimit për rrëzimin e Qeverisë Kurti, më 25 mars, ngjarjet morën një kurs të padëshiruar. Kosova edhe njëherë u fut në një rreth vicioz me shumë të panjohura, ndërkohë që ballafaqimi me pandeminë nga virusi Covid-19 po imponohet si temë që detyrimisht i lë në plan të dytë të gjitha temat tjera, madje edhe ato të karakterit aktual politik.
Kur jemi te pandemia, vlen të thuhet se edhe në këtë çështje u tregua një çoroditje e tejskajshme institucionale në raport Qeveri-President, ku ky i fundit u mundua me të gjitha mjetet dhe mënyrat ta mbivendos pushtetin e tij presidencial mbinivelet tjera ligjzbatuese përmes shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme, ide kjo e refuzuar në mënyrë kategorike nga Kryeministri Kurti.
Në fakt edhe pa shpalljen zyrtare të gjendjes së jashtëzakonshme, situata shëndetësore në terren është e jashtëzakonshme si pasojë e pandemisë globale që ka kapluar Kosovën. Qeveria në detyrë po bën çmos që të mos hetohet kurrfarë boshllëku në veprimin institucional, duke menaxhuar dhe koordinuar një sërë masash, si në sferën shëndetësore, ashtu edhe në atë të sigurisë dhe furnizimit normal të qytetarëve me ushqim dhe medikamente.
Askush para pak muajve nuk e kishte menduar se Kosova do tëmund të futej në një labirnth të tillë çfarë e kemi sot, ku është vështirë të dallosh se cila krizë është më e rrezikshme, ajo shëndetësore, apo ajo politike-institucionale.
Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, pas konsultimeve me liderët e subjekteve politike, të mërkurën dhe të enjten, vendosi që ti kërkoj mandatarin Lëvizjes Vetëvendosje, pa shkuar në zgjedhje, ide kjo e refuzuar kategorikisht nga partitë tjerra politike.
Duke i komentuar lëvizjet e fundit të Presidentit Thaçi,kryeministri në detyrë Albin Kurti përmes një statusi në Facebook ka thënë se presidenti ka anashkaluar nenin 82.2 të Kushtetutës e cila i referohet situatës pas mocionit të suksesshëm të mosbesimit ndaj Qeverisë.

“Ajo që ishte e nevojshme por nuk u bë, përbën shkelje. Presidenti ka vendosur të anashkalojë nenin 82.2 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës i cili i referohet situatës pas mocionit të suksesshëm të mosbesimit ndaj Qeverisë. Presidenti po sillet thua se Qeveria varet nga Kuvendi por ky s’varet nga populli, thua se zgjedhjet demokratike janë mjet por jo edhe vlerë”, ka shkruar Kurti dhe ka shtuar se presidenti nuk është neutral dhe se ai ka interes politik dhe synim personal. Sipas Kurtit, presidenti don të besojë se 25 marsi 2020 ka ndodhur pa 3 shkurtin 2020!

“Ajo që ishte e panevojshme por u bë, po ashtu përbën shkelje. Presidenti takoi gjitha partitë parlamentare politike, dhe, më pas kërkoi nga subjekti ynë fitues i zgjedhjeve të propozojë kandidatin për Kryeministër. Pra, Presidenti nuk është neutral, ai ka interes politik dhe synim personal, gjersa duhej t’ishte i paanshëm e procedural.
Disi don të besojë se 25 marsi 2020 ka ndodhur pa 3 shkurtin 2020! Sidoqoftë, ne do t’i përgjigjemi, në një moment të përshtatshëm, në këtë kohë virusi”, ka nënvizuar Kurti.
Në një pjesë të opinionit publik tash më po mbisundon bindja se pas kësaj situate të krijuar, Kosova pashmangshëm po shkon drejt thellimit të krizës institucionale, mu në kohën kur ajo më së paku na duhej. Edhe sikur të mos ishte fare kriza shëndetësore, qytetarëve të Kosovës iu ka mjaftuar guri i rëndë në qafen e tyre të kërrusur nga makthi i halleve sociale dhe padrejtësive shoqërore. Prandaj po ta bëni një anketë me qytetarët, sigurisht që do të dominojë bindja se pasojat e rrëzimit të qeverisë aktuale do të reflektohen në javët dhe muajt në vazhdim, por përgjegjësinë për këtë nuk do ta marrin ata që e iniciuan një ide të tillë të pa sens në një kohë krize shëndetësore.
Nëse në vitet nëntëdhjetë vetëdija qytetare e shqiptarëve të Kosovës mbajti gjallë organizimin paralel në të gjitha fushat e jetës, tani në vitin 2020, kur Kosova tash më është bërë shtet i pavarur, na duket absurde që qytetarët sërish të ballafaqohen me vetminë dhe depresionin e shkaktuar nga përçarja e krerëve politik. Qytetarët e Kosovës sërish po braktisen nga politikanët milionerë, të cilët po kujdesen vetëm për karrierat e tyre personale dhe për mbijetesën në politikë me metoda makiaveliste, pa i dhënë askujt llogari për bëmat e tyre.

Kosova a është futur në një qorrsokak pa vullnetin e qytetarëve të saj, apo dikush qëllimisht po do që kilometrazhin e saj ta kthej në vitin zero? Nëse çdo kthim mekanik nënkupton falsifikim flagrant, në rastin e Kosovës falsifikimi ka ndodhur në momentin kur vullneti plebishitar i qytetarëve brenda natës u përdhos dhe u fut në kandarët e pistë të pazareve politike.