Këtë fjalë e ka përdorur dhe e përdor populli ynë me një ngarkesë negative emocionale, gati me përpjekjen për të ngjallur tmerrin që i bie dikujt mbi kurriz. Themi: “Filani ka bërë adalet; ose do të bëj adalet n’të etj.” (Gati si me thanë, “ka ba masakër”. Kur hapa fjalorin e gjuhës turke dhe u konsultova edhe me njohësit e kësaj gjuhe, mora vesh se “adalet” turqisht do të thotë drejtësi. Ardhja e kësaj fjale në gjuhën tonë është e hershme dhe do të ketë hyrë si term administrate; p.sh., Ministria e Adaletit (e drejtësisë). Por me sa duket shqiptarët e kanë njësuar fjalën drejtësi me konceptin e tmerrit. Dhe jam i bindur se kështu u duket edhe sot. Po sikur të mendojmë pak për të ashtuquajturën “reformë në … drejtësi… (në adalet)”? Të gjithë mendojnë se drejtësia ose adaleti është gjëja më urgjente që i duhet këtij mileti. Dhe pasi të bëhet ky adalet, të parët do ta pësojnë ata që bënë adalet, sipas mënyrës dhe oreksit të tyre, këto tri dekada mbi këtë popull. Por a thua janë të gatshëm t’i nënshtrohen adaletit ata që e ushtruan atë, domethënë, a do të bëjnë drejtësi autorët e adaletit? Sepse vetëm ata e kanë në dorë. Edhe coronavirusi ka disa tipare të adaletit.
(Fotot: shkrimtari e studiuesi Zija Vukaj/  Akademiku Rexhep Qosja me shkrimtarin e studiuesin Zija Vukaj)