Nga Flora Carmichael dhe Marianna SpringBBC Trending
(Përkthyer në shqip nga Stefan Paloka,  nga qyteti i Lezhës.)
“Higjiena e informacionit”. Çfarë mund të bësh për të ndërprerë përhapjen e informacionit të keq?
1. Ndalo dhe mendohu

Ti dëshiron të ndihmosh miqtë dhe të afërmit që të qëndrojnë të lidhur. Është kjo arsyeja pse kur merr këshilla të freskëta – qoftë me email, WhatsApp, Facebook apo Twitter – mund t’ua përcjellësh atyre.
Por ekspertët thonë se gjëja e parë që mund të bëhet për të ndaluar përhapjen e informacionit të keq është thjesht të ndalosh dhe të mendohesh.
Nëse ke dyshime, qëndro dhe verifiko më tej.

2. Verifiko burimin

Përpara se t’i përcjellësh informacionet, bëji vetes disa pyetje elementare lidhur me atë se nga vijnë.
Nëse burimi është “shoku i shokut”, apo “komshiu i kolegut të tezes”, kemi të bëjmë me një flamur të madh të kuq.
Kohët e fundit gjurmuam se si një postim keq orientues nga “xhaxhai i dikujt me diplomë masteri” u bë viral.
Disa nga detajet në postim ishin të sakta – disa versione, p.sh., nxisnin larjen e duarve si mënyrë për ngadalësimin e përhapjes së virusit. Por detajet e tjera ishin potencialisht të dëmshme, pasi përmbanin pretendime të pavërtetuara për mënyrën e diagnostikimit të sëmundjes.
“Burimet më të besueshme të informacioneve ngelen organet e shëndetit publik si NHS (Shërbimi Shëndetësor Kombëtar britanik, shën. Imi), OBSH, APO Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në SHBA.” Thotë Claire Milne, zëvendëskryeredaktore e organizatës fakte verifikuese me seli në Britaninë e Madhe Full Fact.

Ekspertët nuk janë të pagabueshëm. Por ata janë shumë më të besueshëm sesa një i afërm i panjohur i largët në WhatsApp.
3. Pamja e jashtme mund të mashtrojë.

Shtënia në dorë e llogarive zyrtare dhe atyre të autoriteteve është e mundur, përfshi këtu edhe ato të BBC News dhe qeverisë. Mund të ndryshohen edhe screenshot-e për të bërë që të krijohet përshtypja sikur informacionet kanë ardhur nga një trupë publike e besueshme.
Kontrollo llogari dhe website-e të njohura dhe të verifikuara. Nëse nuk e gjen me lehtësi informacionin, mund të jetë fjala për një rreng. Dhe nëse një postim, video apo link duket mashtruese – ka gjasë të jetë e tillë.

Shkronjat e mëdha dhe të keqvendosura janë gjëra që përdoren nga verifikuesit e fakteve si tregues se postimi mund të jetë çorientues, sipas Claire Milne nga Full Fact-i.
4. Nuk je i sigurt se është e vërtetë? Mos e shpërndaj

Mos përcill gjëra të tipit “për të qenë brenda” se mund të jenë të vërteta. Mund të jesh duke sjellë më shumë dëm sesa dobi.

Shpesh ne postojmë gjëra në vende në të cilat e dimë se ka ekspertë – sikurse janë mjekët apo profesionistë të tjerë të mjekësisë. Kjo mund të jetë gjë e mirë, por sigurohu që të jesh sa më i qartë lidhur me dyshimet e tua. Dhe kujdes – fotoja apo teksti që ti shpërndan më vonë mund të nxirret nga konteksti.
5. Verifiko çdo fakt, individualisht

Ekziston një postim audio që po qarkullon në WhatsApp. Personi që flet aty thotë se po përkthen këshilla nga një “koleg që ka një shok” që punon në një spital. I është dërguar BBC-së nga dhjetëra vetë anembanë botës.
Por fjala është për një kombinim këshillash të sakta e të pasakta.
Kur merr lista të gjata këshillash, është kollaj të besosh gjithçka që gjendet aty vetëm për faktin se ti e di me siguri se njëra prej këshillave (të themi, ajo që ka të bëjë me larjen e duarve) është e vërtetë.

Por nuk është gjithmonë kështu.
6. Ruhu nga postimet emocionale

Është materiali që na tremb, na zemëron, na streson, apo na gëzon ai që priret të bëhet njëmend viral.
“|Frika është një nga motivuesit më të mëdhenj që lejon që të lulëzojë keqinformimi,” thotë Claire Wardle nga First Draft, një organizatë që ndihmon gazetarët për të neutralizuar keqinformimin online.
Thirrjet urgjente për të vepruar konceptohen për të shtuar ankthin – kështu që ki kujdes.

“Njerëzit duan të ndihmojnë të dashurit e tyre që të qëndrojnë të sigurt, kështu që kur ata shohin “Këshilla për parandalimin e virusit!” apo “Merr këtë supplement shëndetësor!” njerëzit synojnë të bëjnë të pamundurën për të ndihmuar”, thotë ajo.
7. Vrite mendjen për qëndrimet subjektive

A po e ndan diçka sepse e di që është e vërtetë – apo vetëm sepse je dakord me të?
Carl Miller, drejtuesi i kërkimeve i qendrës për Analizat e Mediumeve Sociale në organizatën Demos, thotë se ka më shumë gjasë që ne të shpërndajmë postime që përforcojnë bindjet tona ekzistuese.
“Bash kur jemi duke tundur kokën me zemërim, atëherë jemi më të brishtë se kurrë”, thotë ai. Pikërisht në atë çast, mbi gjithçka tjetër, kemi nevojë të ngadalësojmë gjithçka që bëjmë online.”