Muhammed Al-Khuarizmi i përket asaj plejade të ndritur të kulturës dhe shkencës arabe të apogjeut të lulëzimit të saj nën dinastinë Abbasside. Matematicien, gjeograf, astronom dhe hartograf, ai ishte sinteza e trashëgimisë shkncore babilonase, persiane, indiane dhe greke. Në shek.12-të, veprat e tij u përhapën në Evropë përmes përkthimeve latine dhe ndikuan thellë në përparimin e Matematikës të Rilindjes europiane.

Si matematikan, bota shkencore i njeh atij kontributin në fillesat e Algjebrës. Ajo ishte një lëvizje revolucionare, larg konceptit grek të matematikës, thelbi i të cilës ishte Gjeometria. Algjebra ishte një teori unifikuese e cila lejoi numrat racionalë, numrat e irracional, madhësitë gjeometrike, etj. të trajtohen si “objekte algjebrike”. Ai i dha matematikës një rrugë krejtësisht të re zhvillimi, më të gjerë në koncept me atë që kishte ekzistuar më parë dhe siguroi një mjet për zhvillimin e ardhshëm të saj.
Algjebra, vjen nga fjala arabe “Jabr”, që do të thotë: “ribashkimi i eshtrave të thyera”, por që në arabisht, ishte përdorur prej kohësh si term në zgjidhjen e ekuacioneve algjebrike. “Kitab al-muhtasar fī hisab al-jabr vel-mukabele” është një libër matematikor i shkruar rreth vitit 820 e.r. Libri është shkruar me inkurajimin e Kalif el-Ma’munit si një ndihmesë për njerëzit në llogaritje dhe është plot me shembuj dhe aplikime për një gamë të gjerë problemesh nga fusha e tregtisë dhe financave. Libri u përkthye në latinisht dhe hyri ne Europe. Një kopje unike në gjuhën arabe gjendet sot në Oksford.

Puna e dytë e madhe e al-Khuarizmit ishte në fushën e Aritmetikës. Ai është autori i futjes të numurave arabë që kemi sot, bazuar në sistemin numerik hindu-arab të zhvilluar në matematikën Indiane. Termi “algoritëm” që perdoret sot e ka origjinën pikërisht në punimet e tij. Aritmetika e al-Khuarizmit sintetizoi njohuritë greke dhe indiane dhe përmbante gjithashtu kontributin e tij të një rëndësie thelbësore për matematikën. Kështu, ai shpjegoi përdorimin e zero-s, një numër të rëndësisë themelore në matematikë të zhvilluar nga arabët. Në mënyrë të ngjashme, ai zhvilloi sistemin dhjetor që kemi sot, si sistemi i përgjithshëm i numrimit. Përveç futjes së sistemit indian të numrave (tani i njohur përgjithësisht si numra arabë), ai zhvilloi disa procedura aritmetike, duke përfshirë operacionet mbi thyesat. Nuk vonoi që ky sistem, shumë më i thjeshtë dhe praktik se ai romak, të futej në Europë dhe sot të jetë Sistem universal numurimi në mbarë botën.

Puna e tretë e madhe e al-Khuarizmit është “Kitab Ṣurat al-Arḍ” (Libri i Përshkrimit të Tokës), i njohur gjithashtu si Gjeografia e tij, e cila u përfundua në vitin 833 e.r.. Është një ripërpunim i madh i Gjeografisë së Ptolemeut të shek. të 2-të, i përbërë nga një listë prej 2400 koordinatave të qyteteve dhe karakteristikave të tjera gjeografike. Ekziston vetëm një kopje e mbijetuar e cila mbahet në Bibliotekën Universitare të Strasburgut.

Por ajo që më bën veçanërisht përshtypje, krahasuar me botën e sotme islame por edhe me ne shqiptarët, është përkrahja që gjenin këta shkencëtarë nga vetë Kalifi, sundimtari absolut i pushtetit politik dhe fetar i Perandorisë, të cilët jo vetëm e çmonin punën e tyre por e vunë në shërbim të fuqizimit dhe përparimit të vendit të tyre. Mos harroni, jemi në vitin 800 e.r.!