Kompania Contour Global, bëri të ditur të martën se ka hequr dorë nga planet për ndërtimin e një termocentrali me qymyr linjit prej 500 megavatësh në Kosovë, dhe tha se nuk do të bëjë investime të tjera të tilla.

Kompania tha se po heq dorë edhe për shkak të zhvillimeve politike në Kosovë.

“Situata politike në Kosovë që nga korriku, formimi i një qeverie të udhëhequr nga një kryeministër që e kundërshtoi publikisht projektin dhe mosveprimi i qeverisë e kanë bërë të pamundur që projekti t’i përmbushë synimet”, thuhet në një njoftim për media nga Contour Global.

Contour Global tërhiqet nga projekti për termocentralin e ri në Kosovë

No media source currently available

0:002:320:00

 

 Direct link 

Kosova u bë me qeveri të re në fillim të muajit të kaluar gati katër muaj pas zgjedhjeve të përgjithshme të 6 tetorit të vitit 2019, që pasuan dorëheqjen e ish kryeministrit Ramush Haradinaj.

Në dhjetor të vitit 2017, qeveria e Kosovës nënshkroi marrëveshje me kompaninë amerikane “Contour Global” për ndërtimin e Termocentralit të ri “Kosova e Re”. Marrëveshja parashihte një investim prej 1.3 miliardë eurosh për ndërtimin e termocentralit të ri, që do të prodhonte 500 megavat orë energji elektrike.

LEXONI EDHE KËTË

Kosovë, nënshkruhet marrëveshja për termocentralin e ri

Në maj të vitit 2019 kompania Contour Global dhe qeveria e Kosovës, përzgjodhën konsorciumi i kompanive të General Electric si “ofertuesin e Preferuar në tenderin për Inxhinieringun, Prokurimin, Ndërtimin dhe Mirëmbajtjen Afatgjatë për projektin e ri. Qeveria është zotuar të blejë tërë energjinë që do të prodhohet gjatë 20 viteve nga ky termocentral.

Kosova llogaritet një nga vendet me rezervat më të mëdha të qymyrit linjit në botë të cilin e shfrytëzon për të prodhuar energji elektrike.

Prodhimi varet nga dy termocentrale të vjetra e të mbajtura keq që nuk sigurojnë dot energji të mjaftueshme për vendin, janë të dëmshëm për mjedisin dhe detyrojnë qeverinë të investojë në importe të shtrenjta.

Marrëveshja për ndërtimin e termocentralit Kosova e Re është kundërshtuar në vazhdimësi nga përfaqësues të shoqërisë civile, që e shohin atë si projekt të dëmshëm për mjedisin dhe me çmime të papërballueshme për qytetarët.

LEXONI EDHE KËTË

Kundërshtime ndaj projektit të termocentralit Kosova e Re

Projekti ishte kundërshtuar edhe nga lëvizja Vetëvendosje, kryetari i së cilës, Albin Kurti, është kryeministër i ri i vendit.

Partia Demokratike e Kosovës e cilësoi të martën humbje të madhe vendimin e kompanisë amerikane “Contour Global”.

“Kjo është një goditje e madhe për ekonominë, fuqinë e ardhshme energjetike të Kosovës dhe marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat sot janë në stadin më të keq të tyre. Sjellja e Qeverisë Kurti në raport me njërin prej investimeve më të mëdha amerikane në vendin tonë është e papranueshme dhe po tregon që në javët e para për drejtimin e mbrapshtë që ka marrë. Fillimisht u refuzua kërkesa e qeverisë amerikane për heqjen e taksës me gjithë vendosjen e bllokadës për fondet amerikane dhe paralajmërimet për largimin e trupave amerikane nga Kosova. Ky kryeministër dhe kjo qeveri VV – LDK, po deklarohet publikisht kundër investimeve dhe interesave amerikane në vendin tonë”, thuhet në reagimin e kësaj partie.

Ndërkaq, ish kryeministri Ramush Haradinaj, shkroi në rrjetet sociale se “në kohën e Qeverisë së Mashtrimit, Kosova dështoi sërish në raport me Shtetet e Bashkuara”.

Tash investitori Contour Global tërhiqet nga investimi në energji. Kosova e Re ka qenë projekti dhe investimi më i madh direkt në Kosovë, me 1.3 miliardë Euro! Ky projekt është bazuar në njërën prej pasurive kryesore të vendit tonë, rezervat e pesta të thëngjillit në botë, dhe do të zgjidhte problemin me furnizim stabil të energjisë në Kosovë. Për më shumë, ky projekt do të hapte 20 mijë vende të punës dhe do ta bënte Kosovën lider të energjisë”, shkroi ai duke nënvizuar se dështimi i ndërtimit të Kosovës së Re dërgon mesazhe negative për investitorët amerikanë dhe me gjerë.