Gjendjet emocionale të nxënësve në shkollë janë një faktor i rëndësishëm për shkallën dhe aftësitë e tyre për përvetësimin e materieve mësimore. Nga analiza shihet se sa më shumë ndjenja pozitive të kenë nxënësit, aq më e madhe është arritshmëria e tyre dhe sa më e madhe të jetë paraqitja e ndjesive dhe emocioneve negative, aq më e theksuar është prapambetja e nxënësve krahasuar me mesataren e vendit.

Hyrje

Ndër matjet që ka  bërë PISA në testin e vitit 2018 është edhe matja e gjendjes emocionale të nxënësve dhe ndikimi i kësaj gjendjeje në rezultatet e përgjithshme të arritshmërisë. Nga analizat e dala del se një numër i konsiderueshëm e i nxënësve ballafaqohen me situata emocionale negative në shkollë dhe kjo ndikon në arritshmërinë  e tyre të përgjithshme. Konstatim i përgjithshëm është se sa më e keqe të jetë gjendja emocionale në shkollë dhe në familje, aq më i theksuar është mossuksesi i tyre në shkollë apo, në rastet më të lehta, prapambetja e tyre në përvetësimin e materieve mësimore në nivele të vogla apo më të theksuara. Analiza që do të paraqesim duhet të krijojë një situatë të re vetëdijësuese në Ministri, komuna dhe në shkolla për një ndërhyrje të shpejtë. 

Gjithashtu do t’i paraqesim edhe disa të dhëna për rastet kur nxënësit manifestojnë ndjenja pozitive dhe ndikimin e këtyre emocioneve suksesin në test.. Në raste tilla dallueshmëria e arritjeve të tyre mësimore është e vërejtshme dhe, thuaja përherë, mbi mesataren e vendit!

Ndjenjat pozitive dhe negative të nxënësve

Lumturia si ndjesi pozitive ka qene ndjesia e parë për të cilën janë pyetur nxënësit, në këtë aspekt atyre iu është bërë pyetja se në çmasë ndihen të lumtur gjatë qëndrimi të tij në shkollë. Gjetjet që kanë dalur paraqesin këto rezultate: se ndihen gjithmonë të lumtur janë shprehur 65.6% të nxënësve, për opsionin ndonjëherë të lumtur janë shprehur 28.5% të tyre ndërsa që të lumtur ndihen rrallë ose kurrë janë shprehur 5.8%. Se ndihen gazmorë sipas radhitjes së opsioneve më lartë janë shprehur: opsioni i parë 61.7%, opsioni i dytë 30.6%, opsioni i tretë dhe i katërt 7.7%.  Se janë krenarë gjithmonë janë shprehur 58% të nxënësve ndërsa që ndonjëherë këtë ndjenjë e përjetojnë janë 34.6% prej tyre. Rrallë ose kurrë nuk ndihen krenarë 7.4%. Të gëzuar dhe shumë të gëzuar gjatë tërë kohës që qëndrojnë në shkollë ndihen mesatarisht 61.2%, ndonjëherë këto dy ndjesi i kanë 32.7% të nxënësve ndërsa që  rrallë ose kurrë në këtë mënyrë ndihen mesatarisht 6.1% të tërë popullacionit të nxënësve të testuar në PISA.

Edhe ndjenjat negative të nxënësve janë një faktor që luan rol me rëndësi në mirëqenien dhe suksesin e përgjithshëm të nxënësve në  shkollë. Në testin për të cilin po flasim, edhe grupi i këtyre ndjesive kanë qenë pjesë e testimit. Sipas analizave që dalin nga statistikat e mbledhura del se gjithnjë të trembur në shkollat tona ndihen 2.5% e nxënësve. Ndonjëherë apo rrallë të trembur nëpër shollat kosovare ndihen 32.7% përkatësisht 43.5%. Këtë ndjenjë nuk e përjetojnë kurrë 21.3% të nxënësve tanë. 

Trishtimi gjithashtu është pjesë e jetës së nxënësve tonë edhe pse jo në përqindje të madhe. Këtë ndjenjë e kanë pjesë të ditës së tyre në mënyrë të përhershme 2.9% e nxënësve, derisa ndonjëherë apo rrallë ndihen në këtë mënyrë 8.3% përkatësisht 24.3%. 

 

Treguesit në rezultatet e nxënies për nxënësit që kanë shfaqur emocione pozitive

Nga rezultatet e treguara dhe statistikat e nxjerra në testin e PISA mund të vërehet se nxënësit që kanë shprehur emocione pozitive, zakonisht, tregojnë të arritura më të mëdha në mësime. Testi është fokusuar për t’i konstatuar vetëm rezultatet e këtyre nxënësve të treguara në Lexim. Autorët e testit, para së gjithash, e kanë bërë edhe identifikimin e nxënësve që vijojnë mësimet në shkolla më të avancuara dhe në shkolla më pak të avancuara në aspektin socio ekonomik.

Nga rezultatet e dala mund të vërehet se dallimet  nuk janë të mëdha por , megjithatë, të vërejtshme. P.sh. nxënësit e lumtur të shkollave me status ekonomiko social më të mirë kanë treguar sukses më të mirë dhe mesatarisht kanë diferencë prej +31 pikë në testin e leximit, po kështu mesatarja pozitive për nxënësit që vijnë nga shkollat me gjendje socio ekonomike më të dobët paraqitet për +26 në krahasim me  mesataren e përgjithshme të nxënësve kosovarë.

Edhe nxënësit që kanë theksuar se janë gazmorë janë më mirë në numrin e pikëve të fituara në lexim në krahasim me mesataren e përgjithshme. Në këtë rast grupi i nxënësve nga shkollat me status të avancuar socio-ekonomik kanë treguar +32 pikë  ndërsa që nxënësit nga shkollat me status më të dobët socio ekonomik janë paraqitur më mirë se mesatarja e përgjithshme për +27 pikë. Edhe nxënësit që ndihen të gëzuar kanë +29 dhe +22 pikë, gati njësoj sikur edhe ata që janë deklaruar tepër të gëzuar që janë dalluar për +30, respektivisht. +27 pikë më shumë se mesatarja. Diferencën më të vogël e kanë shënuar nxënësit të cilët ndihen krenar, ata kanë shënuar +7 apo +9 pikë më shumë se mesatarja varësisht nga statusi social-ekonomik  i shkollës.

 

Paraqitja e shkollave në të cilat nxënësit kanë shprehur emocione pozitive

Shikuar në nivel shkolle dallimet në mesataren e pikëve të fituara janë këto: Në shkollat e avancuara socio-ekonomikisht ku nxënësit ndihen të lumtur mesatarja e pikave është 358 pikë për dallim me shkollat me gjendje socio-ekonomike jo të mirë mesatarja e të cilave është 337 pikë. Nga kjo mund të shohim se diferenca e grupit të parë të shkollave me grupin e dytë të shkollave është 21 pikë. Po kështu diferenca grupit të parë të shkollave dhe grupit të dytë te atyre në të cilat numri më i madh i nxënësve janë deklaruar se ndihen gazmor  është 361 me 330 pikë. Në shkollat ku nxënësit ndjehen të gëzuar mesataret janë 370 për grupin e parë dhe 329 për shkollat e grupit të dytë. Edhe në shkollat ku nxënësit ndihen tepër i gëzuar diferenca është 357 me 336 pikë mes dy ndarjeve të shkollave.

 

Mesatarja e OECD dhe e Kosovës në kuadër të përshkrimit të arritshmërisë së nxënësve që kanë shprehur ndjenja pozitive dhe krahasimi i mesatareve kosovare dhe asaj të OECD-së

Edhe pse po flasim për shprehjen e ndjenjave pozitive të nxënësve dhe edhe pse ky grup i nxënësve zakonisht dallohet për të arritura të larta në krahasim me mesataren e përgjithshme të vendit, të dhënat që do të sjellim më poshtë do të tregojnë se Kosova qëndron tepër keq në krahasim me mesataren e përgjithshme të OECD.

Sipas të dhënave nga OECD mesatareje shkollave me status sociokeonomik të mirë në nivel; të vendeve ë OPECD –së është 489 pikë ndërsa që mesatarja e shkollave me status sociokeonomik të ulët është 477 pikë (gjithmonë po flasim në partishmërinë në lexim).

Kur e bëjmë krahasimin me shkollat kosovare të të dyja kategorive del se shkollat e kategorisë së parë kanë mesatare prej 372 pikësh e shkollat e kategorisë së dytë e kanë mesataren 332 pikë. Diferenca në pika e shkollave të kategorisë së parë në mes të mesatares se OECD-së dhe Kosovës është (489-372=117) pikë. Një diferencë kaq e thjeshtë është një tregues i mjaftueshëm për ët konstatuar gjendjen e përgjithshme të mësimdhënies dhe të mësimnxënies në shkollat tona e cila është tepër larg nga mesatarja e OECD-së dhe shumë larg nga rezultatet më të larta të arritura në testin PISA. Po ta bëjmë një llogaritje matematikore (duke e pjesëtuar mesataren e OECD-së për moshën e nxënësve) dhe po ta ndajmë mesataren e pikëve me moshën e nxënësve atëherë mund të konstatojmë  se nxënësit e shkollave më të mira kosovare të moshave 15 vjeçe përformojnë njësoj sikur nxënësit 12 vjeçarë të vendeve që, përafërsisht, e kanë mbërritur mesataren e OECD-së, siç është Austria. Po kështu nxënësit e shkollave me gjendje socio ekonomike jo të mirë krahasuar me mesataren e OECD për këtë kategori të shkollave kanë diferencë prej 145 pikëve. Nëse e bëjmë të njëjtin spekulim matematikor atëherë del se nxënësit tonë përformojnë sikur nxënësit 10 vjeçar të shkollave të vendeve që kanë arritur mesataren e OECD-së.

 

Mesatarja kosovare dhe arritshmëria e nxënësve që kanë emocione negative 

Nga të dhënat statistikore të cilave po iu referohemi, del se, në përgjithësi, nxënësit që kanë shprehur emocione negative kanë përformuar më dobët në testin e PISA-s se mesatarja vendit. Sigurisht se njëri ndër faktorët e përformacës më të dobët është edhe faktori emocional i tyre i cili ka intensitet të ndryshëm ët paraqitjes dhe, po në bazë të këtij intensiteti, manifestohet me nivel me pak të ulët të pikëve apo më nivel më shumë të ulët të pikëve.

Sipas statistikave të dala nga testi për të cilin po flasim, nxënësit e trembur, pasi të merren parasysh aspektet socio ekonomike të shkollave dhe të tyre, nuk dallojnë për ndonjë përqindje nga mesatarja e përgjithshme e vendit, bile në bazë të këtyre statistikave kjo përqindje është zero. Më keq qëndrojnë fëmijët të cilat janë deklaruar se ndihen të trishtuar  nëpër shkollat tona. Në të dy llojet e shkollave (statusi sociokeonomik) është vërejtur se ky grup i nxënësve kanë fituar mesatarisht -29 nga grupi i parë i shkollave respektivisht -25 pikë më pak grupi i dytë i shkollave. Në përgjithësi mesatarja e pikëve minus për të dyja llojet e shkollave është -25 pikë.  Nxënësit e frikësuar, në përgjithësi, kanë shfaqur rezultat më të mirë se të tjerët me ndjesi negative dhe ata, mesatarisht, dalin me -3 pikë në krahasim me mesataren e përgjithshme. Nxënësit e mërzitur nuk dallohen me pikë negative në krahasim me mesataren e vendit. Dua të ceki se nxënësit që janë shprehur se ndjejnë apo përjetojnë emocione negative kanë pikë të ndryshme varësisht a i përjetojnë këto emocione, rrallë, ndonjëherë apo gjithmonë.  Është vërejtur se nxënësit që janë shprehur se ndonjëherë apo gjithmonë i përjetojnë emocionet e përmendura negative, dallohen me numrin më të madh të pikëve nën mesataren e përgjithshme.

 

Dallimi mes shkollave të 25%-shit të poshtëm dhe 25%-shit të epërm  ( në bazë të rangimit të shkollave) në pikët mesatare në lexim

Nga statistikat e mbledhur nga OECD është bërë edhe një krahasim në mes të pikëve mesatare të shkollave që në radhitje, në bazë të pikëve të fituara në test,  dalin në 25%-shin e poshtëm apo në 25%-shin e epërm. Kjo statistikë është bërë për shkollat në të cilat nxënësit janë deklaruar se kanë emocione negative nganjëherë ose gjithmonë.

Në shkollat ku nxënësit ndihen të trembur mesatarja e pikave është 332 për pjesën e poshtme dhe 372 për 25%-shin e epërm të shkollave. Shihet se diferenca mes shkollave të të dyja niveleve është 40 pikë në favor të shkollave të radhitura më lartë. 

Interesant është dallimi në pikë i shkollave në të cilat nxënësit ndihem të trishtuar(miserable) në këtë aspekt shkollat e çerekut të poshtëm dallohen për pikë më shumë në krahasim më shkollat e çerekut të epërm për 35 pikë. Në statistika del se grupi i parë ka mesatare prej 367 pikë ndërsa grupi i dytë ka mesatare prej 332 pikësh. 

Por dallimi në mes shkollave të çerekut të poshtëm dhe çerekut të epërm nuk del sikur në rastin e mësipërm. Në rastin e shkollave ku nxënësit janë shprehur se ndihen të frikësuar mesatarja në mes të çerekut të poshtëm të renditjes dalin me më pak pikë se ato të çerekut të epërm.  Derisa grupi i parë ka 336, i dyti ka 367 dhe diferenca e përgjithshme është 31 pikë.

Përafërsisht njësoj dalin edhe shkollat ku nxënësit janë deklaruar se ndihen të mërzitur. Në çerekun e poshtëm vërehet mesatarja prej 335 ndërsa që në çerekun e epërm kjo mesatare arrin në 356 derisa diferenca mes tyre është 21 pikë.

 

Përfundim

Nga analiza që e bëmë e pamë se gjendjet emocionale të nxënësve kanë një rol të rëndësishëm në nxënie dhe në përvetësimin e materieve mësimore të cilat i përfitojnë në shkollë. U pa nga analiza se nxënësit që kanë ndjenja pozitive dallohen dukshëm në pikët plus të fituara në test. Nxënësit që kanë ndjenja negative në mënyrë të shpeshtë kanë treguar rezultate më të dobëta se mesatarja e pikëve. Kjo imponon nevojën e intervenimit të shkollës, përpos në rritjen e përgjithshme të cilësisë në arsim, edhe në përmirësimin e atmosferës së shkollës e cila do të krijonte mundësi që fëmijët që ballafaqohen në mënyrë të vazhdueshme me gjendje emocionale negative të arrijnë që ta tejkalojnë këtë hendek emocional me qëllim të përmirësimit të arritshmërisë së tyre në arsim por edhe më qëllim që këta fëmijë ta kenë një jetë më cilësore emocionale edhe jashtë shkollës. 

Parë nga mesatarja vendore dhe ajo e OECD-së, vendi ynë qëndron për disa vite shkollore pas mesatares së vendeve anëtare të kësaj organizate. Kjo paraqet detyra dhe obligime të reja të shtetit të Kosovës për ndërhyrje në sistemin arsimor më qëllim të ngritjes së cilësisë së përgjithshëm të mësimit dhe të nxënies së nxënësve. Nevoja e ndërhyrjes edhe në këtë aspekt është imediate dhe e patejkalueshme, prandaj propozojmë që MASHT të ndërmarr masa sa më shpejt edhe në këtë aspekt, sidomos, në ngritjen e përgjithshme të cilësisë e cila, siç u pa, është, për vite, pas mesatares së cilësisë tek vendet evropiane.Në këtë kontest, çdo ndërhyrje duhet ta ketë parasysh edhe jetën emocionale të nxënësve si një faktor i rëndësishëm në arritshmërinë e përgjithshme të tyre.