Nga Ismail SYLA* 

Babai, vëllai, gruaja dhe fëmijët e dëshmorit Fatos Krasniqi (Negroc i Denasit) nga Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, morën dekoratën më të lartë të vendit tonë, përkatësisht Urdhrin Hero i Kosovës. Fatosi ra dëshmor më 26 shtator 1998 te Guri i Zebnikut në malin e Kosmaçit, në ditët kur Ushtria Çlirimtare e Kosovës përballej me ofensivën e egër të ushtrisë dhe policisë serbe.
Fatosi pas vete la djalin, Albinin dyvjeçar (1996), ndërsa Herolinda u lind në muajin maj 1999, në vigjilje të çlirimit të Kosovës.

Bashkëshortja e Fatosit, Vjollca Kiçina, i rriti me dashuri dy fëmijët. Albini sot është kadet i FSK-së dhe student i inxhinierisë kompjuterike, ndërsa Herolinda studion në Fakultetin e Edukimit në UP.
Babai i Fatosit, Sherif Krasniqi është mësues me profesion. I përket një familje të madhe nga Negroci. Në vitin 1981 burgoset si veprimtar i dalluar për kërkesën themelore për Republikën e Kosovës dhe dënohet me 10 vjet.

Kam pasur fatin që mësuesin Sherif ta kem shok burgu, madje shok dhome në Shtëpinë Ndëshkimore në Pozharevc në pavijonin e tretë. Në dy dhomat e mëdha të tipit kazermë ishim tre shqiptarë (edhe i riu Alajdin Rrahmani nga Presheva) në mesin 160 të burgosurve serbë.

Me shpërthimin e luftës më 1998 mësuesi Sherif u angazhua me tërë familjen në radhët e UÇK-së. Ai gjendej kudo: edhe në llogore edhe në furnizime të vështira në kohë lufte.

Sot mësuesi Sherif është babai, gjyshi dhe kryefamiljari më krenar, me gjithë dhembjen për Fatosin e rënë në moshën 28 vjeçare. Është prind që i ka dhënë një pjesë të shpirtit Atdheut të tij.

________________

*Titulli redaksional