-Falenderim Publik nga veprimtari i shquar shqiptaro-amerikan Zekë NOKSHIQI në Teksas- SHBA për miqtë e tij Ismail Uka- nga Vushtria e Kosovës, Drin Ahmeti- nga Bujanovci i Luginës së Preshevës, Ramiz Tafilaj nga Deçani i Kosovës –

Këto ditë marsi Familja jonë e madhe Nokshiqi nga krahina e Plavë-Gucisë, të emigruar në vitet e Demokracisë nga Tropoja në Fort Worth të Teksasit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, patëm një gëzim e festim të veçantë familjar e farefisnor, sëbashku me miqtë e dashamirët tanë.

Djali im, Nexhmedin Nokshiqi, kishte 25 vjetorin e Lindjes së tij, një çerek shekulli të jetës së tij.

E festuam këtë ditëlindje sipas traditës familjare e kulturës së kohës dhe në vlerësim e nderim të djalit tim, të rritjes së tij të mirë e me të mira në vendlindje, Atdheun e Kombin tonë dhe në Teksasin e Amerikës, këtë vend mikpritës, të bekuar.

Të gjithë të ftuarit ishin të nderuar dhe na nderuan me praninë e tyre në këtë Ditëlindje, ishin pjesë e gëzimit e festimit tonë të përbashkët, por surpriza më e veçantë, më e bukur, më emocionuese e përjetësuese ishte ajo e tre miqëve tanë nga Kosova dardane.

 Të tre ishin menduar e bashkuar për një dhuratë të veçantë, surprizë: një kompozim (pllakatmadh) i formatit 2 metra lartësi e 5 metra gjerësi, si i thonë fjalës “sa një ballë muri”; sa një pikturë murale në vende kulti; “sa një dekor tribune i një aktiviteti madhor”.

Tre miqtë tanë: Ismail Uka – nga Vushtria e Kosovës (që e kishte mbajt barrën kryesore financiare të pikturës), Drin Ahmeti – nga Bujanovci i Kosovës Lindore (Lugina e Preshevës), që jeton në Prishtinë, e tani punon në Chase Manhatan Bank në Houston të Teksasit; Ramiz Tafilaj – biznesmen, veprimtar e botues nga Deçani i Kosovës e me aktivitet kryesor në Hjuston të Teksasit, i vlerësuar nga Presidenti Trump me “Çmimin e Presidentit për Arritjet e Jetës”, ishin ideatorët, organizatorët e kësaj dhurate suprizë. 

Kjo dhuratë është e vlerësueshme edhe për nga formati i saj i madh, por madhështia e saj më e madhe janë vet vlerat e saj në pasqyrimin motivor e realist të historisë së shquar të Kombit tonë Shqiptar në Ballkan; të hartës së Shqipërisë tonë Natyrale-Etnike e të Flamurit tonë Kombëtar Shqiptar; të Betejës legjendare të Nokshiqit të historisë; paraqitjen e kullës alpine malësore; të vazhdimësisë disa breza të truallit e geneve tona nokshiqiane- nga Bajram Hysi (Mekuli), Bali Bajram Nokshiqi… e deri tek brezat e sotëm; të Valles epike të Kelmendit, etj. Pra, më duket se ka rëndësi e madhështi dhe për vet mesazhet që iu përcjell brezave e kohërave; e cila më ngjason sikur të ishte një pikturë murale në Muzeun Historik Kombëtar të Tiranës apo dikund tjetër në Kosovë, Malin e Zi, Sanxhak (Tregu i Ri), Maqedoni e Veriut, Luginë e Preshevës, etj.

Ky kompozim fortmadh sa një ballë muri e me disa epoka histori, na sjell Atdheun tonë në komunitetin tonë shqiptaro-amerikan e në vatrat tona nokshiqiane në Fort Worth të Teksasit të Amerikës, na mban ma të lidhur me Atdheun tonë, na rrit krenarinë tonë për emrin Shqiptar e Kombin Shqiptar, prandaj do ta mbajmë e ruajmë si një dhuratë me vlera të shumëfishta, si një pasuri të çmuar.

Kjo dhuratë-surprizë e tre miqëve tanë të mirë: Ismail Uka- nga Vushtria e Kosovës, Drin Ahmeti- nga Bujanovci i Luginës së Preshevës, Ramiz Tafilaj nga Deçani i Kosovës, ishte një nder për Familjen tonë të madhe Nokshiqi në Ditëlindjen e djalit tim 25-vjeçar Nexhmedin Nokshiqi, por dihet se i Nderuari Nderon, ndaj këta tre miq qofshin të nderuar gjithmonë.

 Zekë NOKSHIQI

Fort Worth – Teksas, SHBA

25 vjecari Nexhmedin NOKSHIQI para pikturës në Ditëlindjen e tij

Tre miqtë dhurues të pikturës surprizë Ismail Uka e Drin Ahmeti e Ramiz Tafilaj ulur dhe babë e bir Zek Nokshiqi e Nexhmedin Nokshiqi në këmbë

Gjatë festimit të Ditëlindjes së 25 vjecarit Nexhmedin Nokshiqi ku bie në sy 93 vjecari Shaban Nokshiqi veprimtar e poet me disa libra biznesmeni Din Nokshiqi e të tjerë

Pamje nga ditëlindja e Nexhmedin Nokshiqit në Teksas të Amerikës