Fjala egoizëm vjen nga latinishtja EGO, që do të thotë mënyra e të reaguarit, duke kufizuar dhe shkatërruar interesat e tjetrit për hirë të vetvetes.
Egoizmi është dashuria për veten dhe për çdo gjë në funksion të vetvetes, është dëshira për të përvetësuar meritat e të tjerëve.
Tek personat që posedojnë një nivel inteligjence pak më të lart se mesatarja është egoizëm pozitiv, mirëpo tek personat me intelegjencë të ulët, egoizmi manifestohet në mënyrën e shëmtuar, me tendencën e rrënimit të vlerave e të tjerëve.

Tendenca e hapur e presidentit për ndërhyrje në punën e qeverisë

Dëshira e madhe presidentit për të përvetësuar meritat e të tjerëve duhet të jetë në përputhje me kompetencat dhe përgjegjësitë kushtetuese.
Në rendin kushtetues çfarë ne e kemi si republikë parlamentare, roli i presidentit më tepër është ceremonial sesa vendimarrës dhe me kompetenca të kufizuara politike.
Prandaj nuk është ashtu siq e mendon dhe dëshiron presidenti Thaçi, që atij “t’i subordinohen të gjitha palët që janë pjesë e politikës së jashtme, në këtë rast edhe qeveria dhe kryeministri, që kanë rol zbatues të politikës së jashtme dhe këshillues për propozimet e tyre dhe jo anasjelltas”.
Dëshira e pakufishme e presidentit Thaçi, që ai të ketë rolin kyq në dialog me Serbinë, ka bërë që ai të merrë jashtëligjshëm kompetencat e kryeministrit dhe ministrit të punëve të jashtme, respektivisht qeverisë së Kosovës.
Deklarata e dalë prej Zyrës së Presidentit, se “Presidenti i Republikës së Kosovës është institucioni më i lartë kushtetues, i cili udhëheq me politikën e jashtme”, është ndërhyrje në punën e qeverisë dhe tendencë e hapur për dominim në politikën e jashtme të Kosovës.
Askush nuk mund t’ia mohon presidentit të drejtën e takimit me homologët e tij ndërkombëtar, pra as me presidentin e Serbisë, sikurse që as presidenti nuk mund t’i merrë kompetencat e kryeministrit dhe ministrit të punëve të jashtme.
Çdo tendencë për përzierje kompetencash do ta degradojë akoma më tepër politikën e jashtme të Kosovës dhe do ta ulë imazhin e përfaqësimit të shtetit tonë në arenën ndërkombëtare si republikë parlamentare.
Lufta e ashpër në mes të Kryeministrit të Kosovës Albin Kurtit dhe Presidentit Thaçi për ta kontrolluar dhe dirigjuar politikën e jashtme të Kosovës, është rezultat i inateve personale dhe ndërskamcave politike për dominim ekstrem në stilin monarkik.
Kërkesa e presidentit Thaçi për raportim në Kuvend pas vizitës më shumë private sesa shtetërore në SHBA dhe takimit jo zyrtarë me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ishte krejtësisht e paarsyeshme dhe e panevojshme.
Mbase adresimi i presidentit Thaçi në Kuvend do të kishte kuptim sikur ai të ishte takuar me presidentin Trump, por jo me Vuçiqin dhe zyrtarë të nivelit të ulët të administratës amerikane.
Përfundimisht, liderët e tri institucioneve më të larta shtetërore, presidenti Hashim Thaçi, kryeministri Albin Kurti dhe kryeparlamentarja Vjosa Osmani duhet ta njohin dhe pranojnë njëri-tjetrin si dhe të koordinojnë veprimet në përputhje me rregullimin kushtetues të vendit, e jo sipas fuqisë politike apo partiake.

Rënja e fuqisë politike të Hashim Thaçit

Dita e merkurë e javës së kaluar i vërtetoi dy gjëra; rënjen e fuqisë politike dhe dredhitë e Hashim Thaçit. Siq po shihet qartë kanë ndryshuar gjërat, Hashim Thaçi nuk e ka më fuqinë politike të ndikimit ndaj Kuvendit siq e kishte një vit më parë. Dita e merkurë e 4 marsit 2020 e shënon dështimin e Hashim Thaçit që ta marrë legjitimitetin në Kuvend si njeriu më i fuqishëm dhe i vetëm që do ta përfaqësojë Kosovën në procesin përfundimtar të dialogut me Serbinë.
Mos përfillja me urgjencë e kërkesës për raportim para deputetëve, e tregon dështimin dhe delegjitimimin e plotë të Hashim Thaçit që të vendosë i vetëm për fatin e Kosovës.
Thënë edhe më qartë, nga dita e merkurë Hashim Thaçi e ka humbur të drejtën e nënshkrimit i vetëm të marrëveshjes finale me Serbinë. Mund të takohet sa herë të dojë me Vuçiqin në Bruksel e Uashington, por nuk e ka të drejtën e përfaqësimit dhe nënshkrimit i vetëm të asnjë asnjë marrëveshje finale, për arsyes se, Kosova është republikë parlamentare, e ka qeverinë dhe kuvendin, gjegjësisht edhe kryeministrin dhe kryeparlamentaren të cilët duhet të jenë nënshkrues të barabartë të marrëveshjes finale me Serbinë, marrëveshje e cila duhet të kthehet për miratim në referendum popullor, për shkak se këtu kemi të bëjmë me ndarje dhe bashkim territoresh, e tek pastaj të ratifikohet në Kuvend.

Këndellja e vonuar e presidentit Thaçi për Specialen

Letra që presidenti Thaçi ia dërgoi sekretarit të shtetit amerikan, Mike Pompeo, më 29 nëntor 2019, lidhur me tentativën për ta penguar punën e Gjykatës Speciale, është e këndellje e vonuar, e pavlerë dhe dëmshme në aspektin politik.
Efektet politike të “Speciales” po ashtu do të jenë me pasoja afatgjata për të ardhmen e vendit,…të cilat do ta rehabilitojnë pushtuesin tonë verior-Serbinë, sponsorizuesin kryesor të kësaj gjykate.
Specialja do të nivelojë krimet e supozuara individuale të ndonjë pjesëtari të UÇK-së me gjenocidin shtetëror serb në njërën anë, ndërsa në tjetrën do ta bllokojë Kosovën në ecjen e saj drejt integrimeve evropiane!
Gjykata Speciale është produkt i dështimit të politikës dhe shoqërisë kosovare në përgjithësi në ngritjen e aktakuzave kundër shtetit serb për vrasjet gjenocidiale dhe spastrimin etnik të shqiptarëve.
Megjithatë, përgjegjës kryesor për themelimin e Gjykatës Speciale është politikani numër një në vendin tonë, Hashim Thaçi dhe jo vetëm.
Përgjegjëse është e tërë klasa politike që e mbështeti një ide të tillë, por në radhë të parë përgjegjës janë deputetët që e votuan një gjykatë të njëanshme dhe krejtësisht politike kundër interesave të shqiptarëve.
Hashim Thaçi, si president i vendit, duke qenë politikani më i shkathtë në Kosovën Post-Rugoviane dhe protagonisti i të gjitha ngjarjeve që janë zhvilluar në Kosovë dhe për Kosovën , paralelisht letrës dërguar sekretarit të shtetit amerikan, Mike Pompeo, do duhej adresuar qytetarëve të vendit me kërkimfaljen e sinqertë për dëmet e shkaktuara Kosovës nga dialogu i pabarabartë me Serbinë në Bruksel, në veçanti duhet t’iu kërkojë falje luftëtarëve të lirisë për dëmet dhe problemet e mëdha që ua shkaktoi me pranimin e Gjykatës Speciale, kësaj gjykate të njëanshme dhe tendencioze, për ta pasuar tëreqjen e nënshkrimit mbi të gjitha marrëveshjet me Serbinë, e në veçanti për Gjykatën Speciale dhe Asociacionin e Komunave Serbe.
Vetëm kështu presidenti Thaçi mund ta lajë një pjesë të borxhit ndaj qytetarëve të vendit, pjesën tjetër le ta bën drejtësia. Kërkimfalja është akt i lartë dhe shprehje e vlerave njerëzore.

08.03.2020