Duhanpirja në Shqipëri vijon të rritet, rreth 40% e popullisë janë duhanpirës. Në Europë renditemi në vendin e katërt për numrin e lartë të perdoruesve tw duhanit me rreth 2,500 fije cigare për person, ndërsa në botë renditemi në vendin e 6-të.

Eksperti i shëndetit publik, Roland Shuperka shprehet: “Meshkujt që kanë vite që pinë duhan po e lënë ,pasi janë trembur nga sëmundjet që kanë. Femrat jo, ato po e shtojnë, sidomos të arsimuarat.

Komiteti Ndërsektorial për Mbrojtjen e Shëndetit nga Produktet e Duhanit pak ditë më parë ka miratuar imazhet që do të vendosen në paketat e cigareve.  Këto imazhe do të përdoren dy vite pas miratimit, për t’i lënë kohën e nevojshme biznesit që të bëjë ndryshimet e duhura në paketim.

Për eskpertin Roland Shuperka ky është një vendim i vonuar i drejtuesve të Ministrisë së Shëndetësisë.

“Duhej të ishin vënë që në 2013. Janë shumë të vonuar se të paktën do të kishte sjellë një farë frenimi të duahanpirjes”.

Shqetësues për vendin tonë është konsumimi i lartë i cigareve te të rinjtë dhe ulja deri në 9 vjeç e moshës së fillimit të duhanpirjes. Kjo dëshmon edhe moszbatimin e ligjit, i cili ndalon shitjen e paketave të cigareve për personat nën 18 vjeç.