Zgjodha ditën e Shën Valentinit ditën e sakrificës sublime për dashurinë, për të rrefyer një dashuri të veçantë, me gravitet të pamatë, vullkan që nuk shuhet kurrë, nuk thahet as nuk vyshket, e pastër si uji i kristaltë i Valbonës, e bardhë si bora e Shkelzenit, e ëmbël si puhiza e detit e flladi i bjeshkëve, e fortë si guri, e lidhur si nyja gordiane, që nuk mund ta presë as shpata e Aleksandrit të madh, e cila nuk është celebruar nga Shën Valentinoja por nga vetë Zoti.
Dashurinë për vendlindjen time,Tropojën të cilën nuk e thyen e s’e mposht asgjë, madje as vdekja.
Me duhet të huazoj memorien e Tolstoit, forcën e Pogaçios, romantizmin e Hygoit apo Gëtes, pathosin e Naimit, magjinë e Standalit , realizmin e Çajupit përtej elozheve e ditirambeve për të përshkruar bukurinë e saj e rrefyer dashurinë time për të.
Tropoja është më e bukur së hirushja e përrallave, me e hirshme se e bukura e dheut.
Kjo Mesapotomi e vogël shtrihet në Veri të Shqipërisë.
Zoti i ka blatuar një bukuri mahnitëse këtij amfiteatri natyror që shtrihet në prehër të Alpeve.
Malet madhështore të Shkelzenit, Jezerces Maja e Hekurave që e rrethojnë e ruajnë atë nga sytë  lakmitarë.
Pamjet magjepsëse të Luginave të Valbonës, Sylbicës ( Tropojës), Nikaj Merturit, të cilës i rrin si çati mbi krye Edeni Shqiptar, Fshati Curraj i eperm, Lugina e Gashit pjesë e Uneskos, ku lodrojnë shtojzovallet, lumenjtë e Valbonës, Drinit, Currajt, Vranës, Lumi i Gashit dhe Tropojës, përligjin mësëmiri postulatin e Aristotelit të lashtë:
“Jeta rrjedh nga rrjedhin lumenjtë, ata janë mjalti i qytetërimit”
Në këto troje është mbjell fara e janë rrënjët e Qytetërimit Iliro-Dardan, 2000 vjet para lindjes së Krishtit.
Aty u ngjiz Geni Arbëror dhe lindi Identiteti Kombëtar Plisi- Xhamadani e Xhubleta dhe lahuta si mjet i komunikimit me Zotin.
Në historinë mijëravjeçare Trolli i saj u shndërrua në beteja spartane të banorëve aty me invadorët e shumtë  i cili u ba barrikadë e pathyeshme kështjellê e pamposhtur.
Fushat e Tropojës kanë qenë historikisht sheshe mejdanesh e dyluftimesh me krajla, zhupana, sulltana e bajlozë, që nga kreshnikët e Jutbinës, Gjergj Elez Alia e deri në luftën e fundit për çlirimin e Kosovës.
Këto beteja legjendare të shëmbëllejnë me Termopilet, e dyluftimet si ngadhnjimi i Davidit mbi Goliatin.
Historia në shekuj e Tropojës është e dhimbshme për e lavdishme.
Shpeshherë lumenjtë e saj janë skuqur nga gjaku i derdhur i betejave homerike për liri e çlirim kombëtar.
Janë të panumërt bijtë e bijat tropojane që kanë dhanë gjënë më të shtrenjtë jetën për Atdheun.
Lulja me e bukur është lulkuqja që lind mbi gjakun e derdhur.
E ne me këto lulekuqe thurim kurora për ta në shenjë vlerësimi e mirënjohje për veprën e tyre sublime.
Unë e dua Tropojën.
Është dashuri hyjnore, e shtrenjtë dhe e shenjtë, si e djalit për nënën.
Në rrugëtimin tonë të përbashkët prej disa dekadash asnjëherë se tradhëtuam njëri- tjetrin, nuk përfituam asgjë në kurriz të shoqi- shoqit dhe nuk shitemi për 30 asprat e Judes, groshët e Havelit, madje as për gjithë pasurinë e Botës.
Ajo është fotosinteza ime e Engjëlli im mbrojtës  kurse unë perpiqem të bahem rrufepritës i saj.
Sa herë na kanoset ndonjë rrezik vrapojmë si maratonomaku, apo fluturojmë si Zogu Sokol për të qenë bashkë u lëshojme kushtrimin shqipeve të maleve, bilbilave e zogjëve  të bjeshkëve për të lajmëruar dragojtë e zanat, orët e maleve në mrizet e tyre për tu mbrojtur.
Të dy së bashku jemi përpjekur të ndalim dorën e makbethëve e hamleteve, u munduam të parandalojmë vëllavrasjen mes kainëve e abelëve, remëve e romulëve që na shkaktuan tragjeditë eskiliane.
Me gurët e Tezeut e Gjonbalës jemi përpjekur ti zëmë udhën djallit.
Kur nuk kemi forcë lutemi e kërkojmë ndihmën e Zotit e Shenjtorës Nanë Terezës e hyjënorëve Dervish Luzha e Rexhep Beli.
Sokrati na mëson:
“Ekziston një e mirë e vetme, dija, një e keqe e vetme, injoranca”, prandaj e mirepres korrigjim e Lokëmadhes.
Ndërsa kur e korrigjon të paditurin e ban armikun tend atë.
Gjatë gjithë këtyre ditëve në një betejë maratonë me argument e forcën e arsyetimit, të qetë e më maturi kemi mbrojtur vlerat universale, natyrore, njerëzore, artistike kulturore, shkencore, akademike, virtytet, doket, zakonet, ritet, të vena në lojë nga satira komediane, me prapavijê politike të një Sulltani që po përpiqet të na grabisë avenirin e jetës.
Përballë një propagande shpifëse të mirë organizuar nga makina shtetërore e qeverisë, ekipi i marketingut të filmit komedi “I love Tropoja” shumë shpejt nëpërmjet rrjeteve sociale ia dolëm të shderrohemi mazhorancë dermuese, duke lanë në pakicë mjerane një grush njerëzish të hipotekuar në oborrin e Despot Ramës.
Respekt e mirënjohje të thellë të gjithë malësorëve, burrave e grave, djemëve e vajzave, artistëve të spikatur shqiptarë, mendjeve intelektuale nga e gjithë Shqipëria që hodhën poshtë këtë skeç politik, bashkim  barcaletash të dalë bëje.
E kuptoj që keni patur presione, intimidim, shantazhe por për asnjë moment nuk u stepet e nuk u ndalët.
Bota është e guximtarëve.
Kur panë që s’trembemi u përpoqën të na ofendojnë
Ofendimi që të vjen nga balta nuk të ban pis.
“I love Tropoja”.