-Mjeshtri i Madh, Ali Mulaj, më 24 shkurt 2020 mbush 91 vjeç!
Mendjehollë, me kujtesë për tu pasur zili edhe nga më të rinjtë, gjithnjë energjik dhe hokatar, i përshtatshëm në çdo mjedis, falë humorit të pandalshëm dhe komunikimit me fjalët që duket se gjithmonë buzëqeshin, kur dalin të artikuluara prej tij, anipse tash me pauza dhe me ndonjë moment kur duhet të marrë frymë thellë dhe të kollitet, ai gjithësesi ka një terheqje të çuditshme në bashkëbisedim…
Po i afrohet shekullit me moshë, ka kaluar një jetë dinamike ,duke improvizuar në shumicën e fragmenteve të rëndësishme jetësore dhe kur e pyet sesi mund ta përshkruajë sot jetën e tij, ai pergjigjet thjeshtë:” Si një javë e bukur që sapo ka kaluar, por tjetra është më pas apo jo?!’’
Kur dikush e uron, sapo e takova sot, me atë shprehjen e thatë” edhe 100!” qeshi ironikisht dhe ju drejtua uruesit me fjalët:” Vetëm edhe 9 vjet, kaq pak?!”
Përse gjithmonë me humor, alegori dhe sarkazëm, e pyes dhe ai shprehet në çast:
“ Kemi vuajtur në epoka ne shqiptarët, luftra, ikje nga atdheu, zakone dhe doke të vjetra dhe kufizuese, shumë përpjekje për bukën e gojës, shume derte, ndërkohë që humori për mua ka qënë një kundër realitet,një guvë ëndrrash, ku kam ndertuar vetveten…”
“ Tropoja, vendi ku lindëm dhe u rritëm, vertet ka pasur shumë halle në kohëra të ndryshme, por për nga virtytet njerëzore, traditat dhe krijuesit e çdo fushe, do të duhej të ishte një vend i madh, ndoshta me një million banorë, sidomos kur shton këtu dhe parajsën e saj natyrore dhe vlerat kulturore në shekuj, sidomos humorin popullor” Dhe përmend bartësit e njohur të këtij humori, përcjellë nga soba burrash, sheshe luftrash, mjedise dasme apo morti, duke krijuar kësisoj një mekanizëm perfekt mbrojtës, mundësi për karakter të forte dhe perballim të traumave kombëtare, familjare apo personale.
“ Ne kemi vajtuar duke kënduar, ne kemi kënduar, dhe kemi qeshur dhe qarë së bashku, ne kemi dashuruar, duke fshehur pas figurave dhe gjuhës së sofistikuar kodin tonë të nderit, ndryshimet historike të sjelljeve tona, mbi të gjitha i kemi besuar, e kemi kerkuar dhe kemi ndertuar sa kemi mundur civilizimin, si mbijetesë e jona, si identitet dhe truall. Humori e ka mbajtur gjithmonë gjallë malësorin, ajo fjala jonë e parë” Mirë se të pruni zoti” e shkruar në ballin dhe zemrën e gjithësecilit, zjarri në vatër, besa dhe humori ishin elemetët tanë të mbijetesës”
Ali Mulaj, një ndër themeluesit e Ansamblit “Dardania”, pjesëmarrës në gjitha festivalet kombëtare, lokale dhe në shumë të tilla nderkombëtare si instrumentist virtuoz i ka shtuar një tjetër përmasë personalitetit të tij artistik.
Sot në mjediset e Hotelit të bukur “Margjeka” në gjirin e Valbonës alpine, ai jo vetëm interpretoi per një program të ardhshëm televiziv disa nga perlat e tij humoristike, për gati dy orë papushuar, por dhe luajti në disa vegla popullore si fyell, çifteli, sharki , duke mahnitur vizitorët e resortit, por edhe grupin që e shoqëronte, Mjeshtirin e Madh, kompozitorin Skender Doshlani, gazetarin Ismail Buçpapaj, i cili me inisiativen e tij na ftoi ta ndërtojmë këtë program,me krijuesin e vargjeve popullore, por dhe humoristike , poetin Hasan Buçpapaj, me instrumentistin Shaban Zenelaj.
Unë si drejtues i “Klubit të Shkrimtarëve dhe Artistëve” ndihem krenar që gjej mbështetje dhe bashkëpunëtorë, me të cilët perpiqemi me të gjitha forcat tona ti japim një shtysë zhvillimeve kulturore në Tropojë, sidomos në drejtim të një kujtese historike serioze të figurave të shquara të kulturës në Malsinë e Gjakovës.
Ali Mulaj po shkon drejt 100 vjetorit dhe trashëgimia e tij kulturore duhet regjistruar, perpjekja e sotme shkon në këtë drejtim.i uroj edhe shumë vite jetë të lumtur Ali Mulës dhe humorit të tij të mrekullueshëm!
Valbonë, 11/02/2020