Ambasadori amerikan, Richard Grenell, i dërguar i posaçëm i presidentit Donald Trump për bisedimet Kosovë-Serbi, ritheksoi të martën kërkesën për heqjen e tarifave ndaj mallrave serbe.

Në një postim në rrjetin social twitter, ambasadori Grenell tha se “është thelbësore që tarifat të hiqen, në mënyrë që investimet të funksionojnë”.

Ai i bëri këto komente në përgjigje të një postimi po në twitter të shefit ekzekutiv të programit për Kosovën të Korporatës “Sfidat e Mijëvjeçarit”, Petrit Selimi, lidhur me investimet e kësaj korporate në Kosovë.

Radiotelevizioni i Kosovës njoftoi se ambasadori Grenell ka komunikuar gjatë ditës me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, si dhe kryetaren e parlamentit Vjosa Osmani, të cilëve, sipas RTK-së “ua ka bërë të qartë se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të bëjnë investime miliona dollarëshe në Kosovë, nëse hiqen tarifat. “Megjithëkëtë’, sipas njoftimit të RTK-së, “SHBA-ja do t’i anulojë të gjitha këto projekte deri sa Qeveria nuk i heq taksat dhe nuk heq dorë nga planet për vendosje të reciprocitetit”, citon televizioni publik një burim të tij.

Zëri i Amerikës ju drejtuar zyrës së ambasdorit Grenell me kërkesen për të sqaruar njoftimin lidhur me pezullimin e investimeve.

Zëdhënësi i ambasadorit Grenell, Dick Custin në përgjigjen e tij u shpreh se “Ambasadori Grenell gjithmonë e ka bërë të qartë se tarifat dëmtojnë ekonominë e Kosovës dhe i dërgojnë një mesazh të keq sektorit privat se Kosova nuk është një vend për të bërë biznes. Ai ka dëgjuar nga shumë afaristë brenda Kosovës, përfshirë disa ndërmarrje amerikane, se tarifat po i dëmtojnë ata. Ambasadori Grenell u ka bërë të qartë udhëheqësve politikë në Kosovë dhe Serbi se investimet amerikane në Kosovë nuk do të kenë rezultatin e dëshiruar për të ndihmuar ekonominë nëse tarifat vazhdojnë të jenë në fuqi. Dhe zëvendësimi i tarifave me më shumë barriera duke i quajtur ato “si masa të reciprocitetit ” gjithashtu do të jetë kundërproduktive për krijimin e vendeve të punës për të rinjtë”, thuhet në deklaratën e zëdhënësit të të dërguarit të posaçëm amerikan Richard Grenell.

Qeveria e re e Kosovës e ka kushtëzuar heqjen e tarifave me vendosjen e masave të reciprocitetit të plotë më Serbinë. Por, ende është e paqartë se si do të realizohet një synim i tillë i qeverisë së re.

Në nëntor të vitit 2018, qeveria e Kosovës vendosi tarifat prej 100 për qind ndaj mallrave serbe në shenjë kundërshtimi ndaj qasjes së Beogradit ndaj shtetësisë së Kosovës. Beogradi kushtëzon vazhdimin e bisedimeve për normalizim marrëdhëniesh me Kosovës me heqjen e këtyre tarifave, por qeveria e ish kryeministrit Ramush Haradinaj refuzoi çdo përpjekje të diplomacisë perëndimore për ta bindur për një gjë të tillë.

Opozita nuk pajtohet me planet e kryeministrit Kurti për heqjen e tarifave madje Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, paralajmëroi sot se “do të përdorë të gjitha mjetet demokratike për të penguar heqjen e tarifave”.

Menjëherë pas formimit të qeverisë së Albin Kurtit, ambasadori amerikan Richard Grenell, i dërguar i posaçëm amerikan për bisedimet Kosovë – Serbi, tha se “pret që tarifat të hiqen menjëherë”. Ambasadori Grenell gjatë muajit janar vizitoi Kosovën dhe Serbinë duke kërkuar që Prishtina të heqë tarifat, ndërsa Beogradi t’i jap fund fushatës për tërheqjen e njohjeve për pavarësinë e Kosovës.

Ai kritikoi qasjen e opozitës duke ritheksuar qëndrimin amerikan për heqjen e tarifave.

Please follow and like us: